
Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve tha sot se do të hartojë projektin për rindërtimin e Banesës së Flamurit në Korçë e shembur pak ditë më parë. MTKRS pohoi gjithashtu se do të bashkëpunojë me Bashkinë e Korçës për rindërtimin e saj, duke iu përgjigjur kështu edhe kërkesës së kreut të Bashkisë së Korçës, Niko Peleshi.
Në deklaratën e MTKRS-së thuhet se; “Në datën 16 Gusht, është konstatuar nga ana e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Korçë se banesa ku u ngrit flamuri i krahinës autonome të Korçës në vitin 1916 ishte shembur.” Sipas saj, banesa është shpallur monument kulture i kategorisë së I-rë.
Në deklaratën e ministrisë thuhet se, Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Korçë i ka kërkuar Prokurorisë së rrethit gjyqësor Korçë fillimin e procedimit penal për këtë çështje.
Shtëpia muze në qytetin e Korçës u shemb pak ditë më parë duke shkatërruar kështu një objekt të rëndësishëm, me vlera historike për qytetin dhe të gjithë vendit.
Menjëherë pas shembjes, kryetari i Bashkisë së Korçës premtoi se do të rindërtojë nga e para shtëpinë muze. Ndërkaq të rinj dhe intelektualë të qytetit të Korçës kanë protestuar për mbrojtjen e vlerave historike të qytetit.
© Panorama.al











