Banda e Durrësit, Apeli: Në fuqi 4 dënime burg përjetë

Jul 3, 2012 | 13:44
“Banda e Durrësit” në gjyq

Apeli i Krimeve të Rënda lë në fuqi katër burgime të përjetshme dhe një total prej 245 vitesh burg për 16 anëtarët e “bandës së Durrësit”.
Vendimi është shpallur dje në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda, e cila deklaroi lënien në fuqi të vendimit të dhënë nga Shkalla e Parë më 16 janar 2012 për të akuzuarit e bandës. Vendimi i Apelit i dha formë të prerë dënimit me burgim të përjetshëm të të pandehurve Lulzim Berisha, Plaurent Dervishaj, Indrit Taullai dhe Endrit Dokle. Të pandryshuara mbetën masat e dënimit edhe për 12 të pandehurit e tjerë të dosjes. Vendimi në Apel u shpall nga një pesëshe gjyqtarësh të kryesuar nga gjyqtari Dalip Bushi. “Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda vendosi lënien në fuqi të vendimit nr.1, datë 16.01.2012 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda”, lexoi dispozitivin e vendimit kryesuesi Bushi. Vendimi u prit me pasthirrma negative nga disa prej mbrojtësve të të pandehurve ne sallë. Jashtë saj, avokatët pohuan se do t’i bënin rekurs vendimit në Gjykatën e Lartë. Nga të pandehurit e dosjes, dje ishin të pranishëm vetëm tre prej tyre, një prej të cilëve i penduari dhe bashkëpunëtori i Drejtësisë, Adriatik Coli.
I “FUNDOS” COLI
Ashtu si në Shkallën e Parë të Krimeve të Rënda, deklarimi i të penduarit Coli, arriti të “fundosë” të pandehurit e “bandës së Durrësit” edhe në Apel. Dëshmia e tij, ishte prova “kyç” e Prokurorisë për Krimet e Rënda. Në të dyja shkallët, avokatët mbrojtës dhe të pandehurit e kanë kundërshtuar në vijimësi dëshminë e Colit, duke pretenduar se ajo është e fabrikuar dhe e pavërtetë. Por, hollësitë e rrëfyera nga i penduari mbi ngjarjet kriminale të bandës, rezultuan bindëse për togat e zeza. Në vendimin e Shkallës së Parë gjykata pohonte se nga dëshmia e Colit janë marrë në konsideratë ato thënie që mbështeteshin nga prova të tjera shkresore, apo me dëshmitarë, të sjella në gjykim. Nga Shkalla e Pare, vendim që u konfirmua dje nga Apeli, Coli u dënua me burgim të përjetshëm, por për shkak të statusit të tij dhe lehtësive të përfituara ai u dënua përfundimisht me 10 vjet burg. Të pandehurit e dosjes u deklaruan të fajshëm për përfshirje në vepra të rënda penale, mes të cilave edhe “vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, “krijim dhe drejtim të grupit të strukturuar kriminal”, si dhe “rrëmbimit ose mbajtja peng e personit”, kryer në bashkëpunim.
KRIMET
Sipas verdiktit të Gjykatës, ngjarjet me pasoja kriminale, për të cilat u dënuan të akuzuarit e “bandës së Durrësit” fillojnë më 17 tetor 1998 kur në qytetin e Durrësit është vrarë me armë zjarri Dritan Sallaku dhe janë plagosur Ilir Nela dhe Agim Rexhepagaj. Njëmbëdhjetë ditë më vonë janë vrarë shtetasit Viron Curri e Arjan Paja dhe është plagosur Marsel Sotiri. Në vijim, po në Durrës në datën 05 korrik 1999 është vrarë shtetasi Eduart Ongari dhe më 22 gusht 1999 u vra Marsel Sotiri. Po sipas vendimit të Gjykatës, në vijim, më 09 korrik 2000, është shënuar një tjetër ngjarje, ku mbeti i vrarë shtetasi Dritan Disha. Më 14 janar 2002, në qytetin e Durrësit, pranë stacionit të trenit, është vrarë shtetasi Erion Lame. Në datën 13 tetor 2005, në fshatin Memaj të rrethit Durrës është gjendur kufoma e shtetasit Avni Gashi. Ndërsa mbrëmjen e 30 tetorit 2005 është vrarë në Tiranë Ilir Kodashi dhe njëkohësisht është plagosur i pandehuri Kujtim Buna. Sipas Prokurorisë, grupimi kriminal fillimisht është formuar si rrjedhojë e bashkimit të dy grupimeve të personave me precedentë penalë, që drejtoheshin respektivisht nga Lulëzim Berisha e Klodian Saliu. Më pas, pas vrasjes së Klodian Saliut në shkurt 2005, të pandehurit Endrit Dokle e Adriatik (Dritan) Coli vendosin të kundërpërgjigjen duke vrarë kundërshtarin e tyre, të pandehurin Lulzim Berisha. Ndaj Berishës janë realizuar  disa atentate, të gjitha të dështuara.

DENIMET
Burg përjetë
Lulzim Berisha
Plaurent Dervishaj
Indrit Taullai
Endrit Dokle

Dënimet e tjera
Dritan (Adriatik) Coli 10 vjet burg
Sardian Sulejmani          25 vjet burg
Kujtim Buna                25 vjet burg
Altin Olloni               25 vjet burg
Elvin Hoxhosmani           25 vjet burg
Alban Neli                 20 vjet burg
Selman Heti                25 vjet burg
Spartak Kalthi             10 vjet burg
Altin Nikolla              20 vjet burg
Kristian Begu              20 vjet burg
Ahmet Ajeti                20 vjet burg
Osman Karpuzi              20 vjet burg

ARMAND BAJRAMI

© Panorama.al

Te lidhura