Baloteli-shou, Prandeli u falet priftërinjve

Jun 20, 2012 | 15:07

Pasi shënoi golin që blindoi fitoren kundër Irlandës, Mario Baloteli festoi i nervozuar dhe sipas mediave italiane, sulmuesi është shprehur: “Po tani kush është biri i k…? Ju jeni bij k…. Shkoni në djall”. Ndërkohë që për të frenuar “batutat” e radhës, u desh një ndërhyrje e zjarrtë e mbrojtësit Bonuçi për t’i vënë tapën gojës të “SuperMarios” së irrituar. Një sjellje e tillë duket se nuk i ka pëlqyer aspak Prandelit, i cili dje pati kërkuar një konfrontim me lojtarin. Prandeli fillimisht ka dashur të dijë nëse ato ofendime i ishin drejtuar atij, por përgjigjja e Balotelit ishte negative. Së dyti, tekniku i ka bërë të qartë futbollistit që të tilla skena nuk do t’i tolerojë më, sepse ai është i bindur që një shpërthim i tillë mund të ketë ardhur edhe si rrjedhojë e faktit që Baloteli e nisi ndeshjen nga stoli. Përpara sfidës me Irlandën, Prandeli kishte vizituar një komunitet fetar me origjinë italiane në Vieliczka, 22 kilometra larg bazës së Italisë. Ata, pasi kishin kryer ritet kristiane, u kishin premtuar këtyre priftërinjve që do të ktheheshin më këmbë për t’i vizituar nëse Italia do të kualifikohej. Dhe kështu ka ndodhur… Të hënën, pas mesnate, teksa të gjithë futbollistët flinin, Prandeli, stafi i tij dhe Albertini janë nisur më këmbë drejt Vieliczka dhe aty kanë takuar sërish priftërinjtë.

Moxhi
Luçiano Moxhi fton trajnerin e Italisë, Çezare Prandeli, që t’i besojë totalisht Mario Balotelit. “Kampioni i pazëvendësueshëm i kësaj Italie është vetëm Baloteli. Një lojtar si ai nuk mund të qëndrojë në stol, por duhet të luajë gjithmonë. Cilësitë e tij janë të jashtëzakonshme, por problemi i vetëm është që një ‘hamshor’ si ai kërkon një mjeshtër që të dijë ta kuptojë dhe ta ‘kalërojë’ siç duhet”.

© Panorama.al

Te lidhura