
Edison Kamaj, 21 vjeç është autori i vrasjes me thikë në zemër të 13- vjeçarit, Xhevit Mehmeti në Ballsh.
Policia e Fierit njoftoi paraditen e sotme se ka arrestuar autorin.
Arrestimi i tij është bërë në qytetin e Fierit.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme rreth orës 22:00 pas një konflikti në një ndeshje futbolli.
Ngjarja
Dëshmitarë në vendngjarje bënë të ditur se një grup fëmijësh të së njëjtës lagjeje kanë qenë duke luajtur futboll në afërsi të vendit të quajtur “ish kinemaja” në Ballsh. Ata luanin gjithnjë në një fushë të improvizuar prej tyre dhe me ndriçim të mjaftueshëm për të zhvilluar ndeshjen. Por gjatë lojës së mbrëmshme, për shkaqe ende të pakonfirmuara, dy të miturit, të cilët kanë qenë në skuadra të ndryshme nga njëri-tjetri, kanë nisur të debatojnë. Në fillim janë sharë e gjuajtur me grushte, por më pas ngjarja precipitoi tragjikisht. Gjithçka ndodhi në sy të fëmijëve të tjerë, të cilët fillimisht nuk kanë kuptuar se çfarë po ndodhte. Ata mbetën të tmerruar dhe dhanë alarmin kur panë shokun e tyre që ra në fushën e lojës dhe ishte i përgjakur. Në vend mbërritën menjëherë banorët e bllokut të pallatit ku zhvillohej ndeshja. Por tentativa e tyre për t’i dhënë ndihmën e parë të miturit ka qenë e kotë, pasi ai kishte ndërruar jetë në vend për shkak se tehu i thikës i kishte prekur zemrën. Mësohet se viktima njihej në qytet me emrin Bushi (ashtu quhej gjyshi i tij), ndërsa origjina e familjes është nga fshati Klos i Mallakastrës. Ai ishte në klasën e shtatë dhe vetëm pak ditë më parë kishte përfunduar këtë vit shkollor. Policia bëri të ditur se 13-vjeçari ishte fëmija i vogël i familjes Mehmeti. Ai kishte edhe një vëlla dhe një motër tjetër.
© Panorama.al











