Pas dimrit më të ashpër në dekadat e fundit, rajoni i Ballkanit, sipas agjencisë së lajmeve, Associated Press po përballet me verën më të nxehtë dhe thatësinë më të keqe, në pothuajse 40 vjet.
Temperaturat e larta që kanë thyer rekorde, kanë shkatërruar të mbjellat, perimet, pemët dhe prodhimi i energjisë është goditur po ashtu, shkruan AP.
Këtë vit, thuhet në artikull, fermerët e Ballkanit po i drejtohen qiellit për ndihmë. Në Prizren, lumi Bistrica është tharë pothuajse tërësisht. “Në 73 vitet e mia nuk e mbaj mend nivelin kaq të pakët të ujit në lumë, dhe as këtë nxehtësi të egër”, thotë Abdyladi Krasniqi.
Ministri kroat i Bujqësisë, Tihomir Jakovina thotë se dëmet e këtij viti nga thatësia shkojnë nga 30-80 për qind, e diku edhe 100 për qind.
Në Serbi, Ministria e Bujqësisë tha se të korrat e misrit dhe të sojës, eksportet kryesore te vendit, do të përgjysmohen në krahasim me vitin e kaluar, duke shkaktuar humbje prej më shumë se 1 miliardë dollarë.
E njëjta situatë edhe në Bosnje ku i nxehti ka shkatërruar pothuajse 70 për qind të perimeve dhe të misrit.
Shqipëria po ashtu është goditur nga zjarre të fuqishme ditët e fundit, ku janë shkatëruar hektarë të tërë me pyje dhe kullota. Vetëm një ditë më parë, ministria e Brendshme raportoi 33 vatra zjarri në të gjithë vendin, një pjesë e tyre përhapen me shpejtësi të ndihmuar nga era dhe temperaturat e larta.
© Panorama.al











