Ballkani, “sfinksi” që i buzëqesh me ironi Diplomacisë

May 11, 2012 | 12:04

PANDELI MAJKO

NATO po përforcon trupat e saj në Kosovë. Rreth 700 trupa amerikane mbërritën në Shqipëri për një stërvitje të përbashkët disaditore.  Vakumi politik parazgjedhor në Serbi dhe Greqi nga njëra anë dhe gjendja e tensionuar n¸ ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, në Kosovë, dhe “jeta e dyfishtë” e Bosnjë-Hercegovinës, e risjellin Ballkanin edhe më sfidues për politikat e sigurisë rajonale.
Politika amerikane pas Luftës së Ftohtë pati një  protagonizëm të paprecedent në rajonin e Ballkanit. Të qenit superfuqia kryesore në botë është një shpjegim i thjeshtë për ta kuptuar rolin ekskluziv që ajo i ruajti vetes në këtë hapësirë europiane.
Pas Luftës së Ftohtë, politika ballkanike ndoqi me vëmendje pikat kulmore të strategjisë amerikane, të cilat u shfaqën gjatë çlirimit të Kuvajtit, ndërhyrjes në ish-Jugosllavi, pas 11 shtatorit, luftës së Irakut dhe bombardimin e Libisë nga NATO.
Ballkani, ose siç quhet tani me “përkëdheli” diplomatike, Europa Juglindore, nuk është një rajon i lehte për t’u kuptuar. Vështirë se ekziston ndonjë territor si ai ballkanik, që të ketë qenë “zonë kufitare” e ndryshimeve të historisë njerëzore. Kjo daton me kufijtë midis Romës katolike dhe botës ortodokse të Kostandinopojës (sot Stamboll). Më pas kjo u zëvendësua nga kufiri midis Perandorisë Osmane dhe hapësirës së Rilindjes Europiane. Nuk çuditesh kur verifikon se Lufta e Parë Botërore filloi në Ballkan nga çekuilibrimi i interesave të Austro-Hungarisë, Rusisë dhe Stambollit.
Pas Luftës së Parë, Ballkani me meritë fitoi nga Diplomacia ndërkombëtare titullin “Fuçi baruti”. Përballë saj në këtë periudhë u shfaq për herë të parë politika amerikane me idetë uillsoniane, e cila iu bashkëngjit pragmatizmit britanik dhe francez për rajonin. Konkluzioni i tyre për krijimin e Jugosllavisë për të “zëvendësuar” rolin austro-hungarez e bëri edhe më të komplikuar balancën rajonale.
Lufta e Dytë Botërore ishte për rajonin e Ballkanit vetëm vazhdim i së parës. Fronti i luftës së radhës vinte në rajon me pamjen e ofertës për të prishur status quo-në, ku çdo palë bashkohej me kundërshtarin e palës tjetër. Ndarja e padukshme në rajon ishte midis atyre që “donin” dhe “nuk donin” status quo-në e vendosur nga konflikti i fundit.
Lufta e Ftohtë ishte një mbulesë “ngrirje” për rajonin. Ndarja e Jaltës e përcaktoi sërish Ballkanin si zonë kufitare midis Perëndimit dhe Lindjes. Siç ndodh rëndom, zona të tilla kthehen në “bursa” të Diplomacisë në kohë paqeje dhe në zona konfrontimi në periudha disbalancimi. Gjatë Luftës së Ftohtë politika amerikane u shfaq si fuqia e radhës që balanconte influencën e “vjetër” të fuqisë ruse në Ballkan. Marrëveshja e Jaltës “u respektua” gjeopolitikisht. Greqia dhe Turqia u lidhën me Perëndimin, Bullgaria dhe Rumania u lidhën me Lindjen, kurse Jugosllavia dhe Shqipëria qëndruan “në mes”.
Mbarimi i Luftës së Ftohtë ndryshoi “renditjen” e Jaltës. Tërheqja ruse rimodeloi rajonin dhe shkatërroi Jugosllavinë. Ky proces i fundit, pikën kulmore të vet e pati në vendimin e NATO-s për të hyrë në luftën e Kosovës, i cili u konsiderua konflikti më i rëndësishëm në Europë pas Luftës së Dytë Botërore. Jugosllavia vdiq aty ku filloi, dhe vendimin për këtë e morën thuajse të njëjtat fuqi që e krijuan.
Rajoni i Ballkanit, në raport me politikën amerikane dhe jo vetëm me të, po përjeton periudhën e post-Jugosllavisë. Faktorët në rajon janë përsëri të ndarë sipas parimit “të kënaqur” dhe të “pakënaqur”.
Nëse do të shtrohet pyetja se “çfarë ka ndryshuar në Ballkan?”, përgjigjen duhet ta gjejmë sidomos tek “operatorët”, të cilët ushtrojnë influencë në këtë rajon. Aktualisht vendet e Ballkanit po përballen me gërryerjet e sovranitetit përballë problemeve rajonale. Mbi të po ushtrohet në rritje “presioni apolitik” i Bashkimit Europian dhe NATO-s.
Qeveritë e vendeve e Ballkanit janë përballë sfidave serioze për të ndërtuar profilin e tyre të pas-Luftës së Ftohtë. Ky proces zhvillohet jo vetëm si pjesë e makrobalancës midis SHBA, Rusisë dhe Kinës, por edhe të një mikrobalance që fillon me Hungarinë ambicioze, Rumaninë e shqetësuar, Turqinë në rritje, Serbinë e “mundur”, Kroacinë e rilindur, Greqinë në vështirësi ekonomike dhe Shqipërinë e pamësuar me rolin e saj të ri.
Nuk përmenda më lart fuqitë tradicionale të Europës si Britania e Madhe, Franca, Gjermania apo Italia. Problemi është se ato janë vetë problemi për rajonin e Europës Juglindore. Politika e tyre është në një “jetë të dyfishtë” midis asaj që ushtrojnë vetë direkt në marrëdhënie bilaterale dhe asaj në emër të Bashkimit Europian.
Mentaliteti “kufitar” ballkanik di t’i dallojë divergjencat. Po ashtu ai di të jetë tepër i ndjeshëm karshi “ndarjeve”, pasi çdo palë brenda saj sheh me “bisht të syrit” çfarë bën pala tjetër përballë tyre. Politika amerikane, edhe për këtë arsye, ka qenë përherë e “përkthyer” mirë në rajon. Ajo bazohet sidomos tek ai kontinuitet që ka karakterizuar politikën e jashtme amerikane pa dallimet “majtiste” apo “djathtiste”, të cilat karakterizojnë jo rrallë politikën e qendrave europiane.
Kjo, pa dyshim, e ka bërë politikën ballkanike të vëmendshme ndaj çdo distance të panatyrshme të politikes amerikane dhe asaj që qendrat politike europiane prodhojnë përballë njëra-tjetrës. Lufta e Irakut ishte ndër shembujt “epruvetë” që ngjallën dyshime serioze dhe që u reflektuan në balancat e reja të pas-Luftës së Ftohtë. Takimi i San Petërsburgut midis Rusisë, Gjermanisë dhe Francës sollën një hije të Marrëveshjes së Rapallos (realizuar pas Luftës së Parë Botërore midis Rusisë komuniste të anashkaluar dhe Gjermanisë së mundur)… Sigurisht që ky takim ishte veç një “hije” e saj, por në sytë e një ballkanasi, asgjë nuk bëhet asgjë. Për të çdo gjë që prek peshoren rajonale ngjall shqetësim. I tillë është edhe vendimi i pritshëm për tërheqjen e trupave amerikane nga baza strategjike në Kosovë.
Pyetjet “ballkanike” për këtë vendim janë disa. A është kjo tërheqje për t’i lënë më shumë “hapësirë” politikës së Europës në Ballkan? A është vërtet e gatshme Europa që ta plotësojë këtë vakum? Kur themi në këtë rast termin “Europa”, çfarë kemi parasysh? Këto pyetje janë një ftesë për reflektim ndaj politikës amerikane për ta kuptuar termin “Europë” ashtu si ajo është, si një strukturë e papërfunduar, ende virtuale, brenda së cilës lëvizin interesa kontradiktore.
Europa, siç na paraqitet, po lëviz me dy shpejtësi midis asaj tradicionale dhe asaj të “euros”. Ajo shfaqet moralisht dhe ekonomikisht e fragmentuar në tri pjesë. Pjesa europiane e zhvilluar e lidershipit, ajo në krizë ekonomike dhe pjesa tjetër gjeografike ende e paintegruar në BE qëndrojnë mbi një godinë burokratike “të papërfunduar”. Ajo është ende me fuqi politike të kufizuara për të vepruar në emër të të gjithë anëtarëve të saj. Mendoj se ka informacion të mjaftueshëm për ta bërë realiste politikën amerikane në mostrajtimin e nxituar të Europës si plotësisht të aftë për të qenë një fuqi globale e nivelit të Rusisë, Kinës, Indisë, Japonisë dhe Brazilit. Arsyetimi fillestar është i thjeshtë. Politika amerikane është pjesë e “fibrës” ndërtuese të Europës. Në konstruktin e saj është vendosur hapësira e aleancës më të rëndësishme amerikane të NATO-s. Për arsyet e veta, procesi historik i ndërtimit të Bashkimit Europian ka prodhuar “sasi”, e cila ende nuk është bërë “cilësi” që ta kthejë atë në një fuqi gjeopolitike të “standardit” të dëshiruar. Një distancim amerikan nga roli natyral ndihmues në “ndërtimin” e Europës mund të rezultojë edhe shkatërrues për vetë të ardhmen e quajtur Bashkimi Europian.
Ky udhëkryq mundësish e bën të natyrshëm ndjeshmërinë e Ballkanit ndaj politikës amerikane. Ai nuk duhet të nuhasë “tërheqjen” në strategjinë e politikës amerikane nga kjo hapësirë. Kjo do të rrezikonte një histori të gjatë të kredibilitetit amerikan në rajon dhe do t’i nxiste “palët” e saj të ambientoheshin në “dallimet” europiane dhe influencat e fuqive të treta.
Mentaliteti “kufitar” i ndarjeve në Ballkan do një kohë të nevojshme për t’u zbutur nën çatinë europiane ende të papërfunduar. Politika amerikane mbetet e pazëvendësueshme në ekuilibrimin e politikës vibrante ruse. Kjo e fundit po rikthehet në Ballkan me interesa të mirëpërcaktuara. Bëhet fjalë për një rajon, i cili, përveç prezencës së popullsive sllave, dhuron rrugët alternative të furnizimit europian Lindje-Perëndim.
Në këtë periudhë globalizimi, Ballkani nuk duhet konsideruar i paprekshëm nga problematikat e ndarjeve në Lindjen e Mesme. Sado absurde që të duket, “pranvera arabe” ka prishur ekuilibrat e status quo-së “Kisinger” atje. Tërheqja amerikane nga Ballkani dhe rritja e influencave të Lindjes në këtë rajon do të sillnin në skenë një intrigë të re dhe të vjetër për ta vizatuar atë brenda një kornize ndarjesh fetare. Vetëm kaq si fillim, dhe do të hapte rrugën e çudive që Ballkani t’i dhuron me pamjen e një rregulli që nuk pranon vakumin.
Aktualisht politika amerikane është përballë zgjedhjesh të rëndësishme për rolin e saj jo vetëm në Ballkan. Megjithëse ironike, ajo nuk ka një kundërshtar të barabartë me të cilin të ndajë “rolet” në hapësirë dhe kohë. SHBA dalin përballë vetes, marrin vendime për zgjedhjet e veta, edhe për të tjerët. Ballkani është një pjesë e vogël e lojës së madhe globale, por tepër e rëndësishme për t’u llogaritur si një histori naive dashurie e shprehur me thënien e Oscar Uaild: “Illusion is the first of all pleasures”… Për politikën amerikane, Ballkani vlen të shihet edhe si hapësira ku fillojnë “kufijtë” e padukshëm të kontradiktave europiane në formimin e vetvetes. Të stabilizosh Ballkanin do të thotë t’i heqësh Europës ankthin më të keq të saj për të ardhmen. Sfida ballkanike nuk është vetëm europiane. Ajo nuk mund të fitohet pa prezencën e fortë politike të SHBA-ve. Politika amerikane në Ballkan është një mision ende i papërmbushur i saj. Historitë e mëdha fillojnë nga pranimi i dobësive. Unë jam optimist. Sigurisht.

© Panorama.al

Te lidhura