Balerinët në zi i japin lamtumirën Agron Aliajt

May 19, 2012 | 13:04

Dje gjatë homazheve për nder të koreografit Agron Aliaj

U përcoll për në banesën e fundit koreografi.

Ilir Kerrni: Na ka dhënë shpirtin dhe ne jemi sot këta që jemi, falë tij.

Përpara hyrjes së Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit kishte aq shumë njerëz si në një ditë premiere. Kishte edhe shumë tufa lulesh, por fatkeqësisht ato nuk do t’i dhuroheshin maestros në fund të shfaqjes. Trupa e baletit ishte e veshur e gjitha në zi. Po përcillnin profesorin e tyre, Agron Aliaj, një nga koreografët më të mëdhenj që ka njohur skena e baletit shqiptar. I ndarë nga jeta mesditën e së enjtes, Aliaj u përcoll dje për në banesën e fundit, duke dalë nga institucioni, të cilit i kushtoi jetën. Homazhet u zhvilluan prej orës 12:00 deri në 14:00. Të afërm, miq, kolegë dhe shumë nxënës erdhën për t’i dhënë lamtumirën e fundit me zemër të thyer. Nga zyrtarët e lartë ishin të pranishëm kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli dhe ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi.
“Ai është mjeshtri im, mund ta thërras kështu edhe tani që nuk është më, sepse kështu e thërrisja kur ishte në jetë, çdo herë që e takoja… Takime që vitet e fundit ishin të rralla, sepse unë nuk isha shpesh në Tiranë. Mjeshtri im, mjeshtri i të gjithëve ne që jemi në skenë, na ka dhënë shumë, na ka dhënë shpirtin e tij dhe ne jemi sot këta që jemi, falë tij”, është shprehur ish-balerini i parë i TKOB, Ilir Kerrni, i cili kishte ardhur të ndahej me profesorin e tij, Agron Aliaj. Sipas tij, do të jetë koha që do të dëshmojë për vlerat e mëdha të një figure, e cila është e pazëvendësueshme. “Zëri, lëvizjet, kritikat dhe këshillat e tij kanë qenë pjesë e pandarë e jetës sime. S’ka dyshim që do na mungojë shumë, ama ne do të bëjmë ç’të mundim për të ecur në gjurmët e tij”, u shpreh solisti Gerd Vaso, i cili e ka të vështirë të fshehë tronditjen. Valltari Besim Zekthi, koleg i vjetër i koreografit, prej fillimit të viteve ’50-të kur ishin në fillimet e karrierës, e ka të vështirë të shohë humbjen e një miku. “E kemi nisur karrierën thuajse në të njëjtën kohë. Përveçse një koreograf i jashtëzakonshëm i baletit, Agroni ishte një interpret të cilin rrallë mund ta arrijë ndokush, një interpret i jashtëzakonshëm i folkut tonë, përpos të tjerash. Me shuarjen e tij ka shkuar një korife jo vetëm i skenës, por i kulturës kombëtare”, tha ai. “Kam kujtime të jashtëzakonshme. Është ai që ka besuar në mua dhe në Gerdin dhe që ka realizuar kryeveprat botërore, të cilat do të trashëgohen brez pas brezi”, tha balerina e parë e TKOB, Enada Hoxha. Homazhe për nder të koreografit u zhvilluan dje edhe në Shkollën e Mesme Kombëtare të Koreografisë (Shkolla e Baletit). Sipas drejtoreshës së shkollës Blerina Arbana, “Agron Aliaj, ish-studenti i shkëlqyer i ‘Bolshoi Teatër’ në Moskë, ishte promotori i traditës dhe i risive të koreografisë shqiptare. Buzëqeshja e magjishme, qetësia apostolike në aparencë, fshihte një pasion të brendshëm të fuqishëm dhe një inteligjencë të rrallë. Kërcimi për të ishte jeta dhe jetën e tij e la në kërcim, te “Plaga e 10-të e Gjergj Elez Alisë”, që po e përgatiste për ta rivënë në skenë e që shërben si një lamtumirë për të gjithë ata të cilëve u dha mendjen e shpirtin. Humbja është e madhe po ashtu edhe dhimbja, po ne ngushëllohemi me faktin se dijetarë dhe artistë të tillë nuk njohin moshë dhe nuk vdesin kurrë”. Por dhimbja ndihet edhe më shumë në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, ku gjatë homazheve u shfaqën edhe imazhe të veprave të realizuara nga Aliaj. “Tani po nderojmë e po i japim lamtumirën njeriut, i cili i ka dhënë shumë këtij vendi dhe sidomos kësaj skene, e cila s’do të ishte kurrsesi e njëjtë pa të”, tha maestro Zhani Ciko.

ALMA MILE

© Panorama.al

Te lidhura