Bala: Shkëlqej në Ligën e Europës, më pas largohem

Jul 7, 2012 | 14:39
Bekim Bala

Sulmuesi kryesor i skuadrës së Tiranës, Bekim Bala, duket gjithmonë e më larg bardhebluve. Zërat për një largim të tij jashtë Shqipërisë janë shtuar gjithmonë e më shumë. E fundit ofertë ishte ajo e qipriotëve të Ael Limasol, të cilët i kanë ofruar sulmuesit shkodran një shumë financiare të kënaqshme, që Bala e ka konfirmuar edhe vetë. Megjithatë, në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, ai saktëson se më parë do të përfundojë aventurën e tij me Tiranën dhe më pas do të largohet. “Kam pasur oferta nga shumë skuadra të huaja, por ende nuk kam firmosur asgjë dhe vazhdoj të jem lojtar i Tiranës. Një gjë të tillë e kam bërë pasi më parë duhet të mbyll aventurën me Tiranën në Ligën e Europës dhe të bëj një paraqitje të mirë aty, më pas të mendoj për largimin tim përfundimtar”, – është shprehur sulmuesi. Në drejtim të Balës ka pasur edhe një ofertë nga Vllaznia. Tirana arriti të fitojë me lehtësi përballë luksemburgasve të Grevenmakerit, që në fushën e blertë u treguan një skuadër amatore. Bardheblutë e drejtuar nga Rubio, edhe pse kishin mungesa në formacionin e tyre, arritën të shënonin dy gola pjesën e parë të ndeshjes dhe, në një farë mënyrë, të sigurojnë kualifikimin për në turin tjetër eliminator. “Luksemburgu, edhe pse ishte një skuadër modeste, përsëri na vuri në vështirësi. Pavarësisht se ne kemi arritur të shënojmë dy gola, kjo nuk do të thotë se kemi siguruar kualifikimin, pasi kemi edhe 90 minuta lojë ku mund të ndodhë gjithçka”, – ka vijuar sulmuesi shkodran. Ndërkohë, në ndeshjen që do të luhet të martën e ardhshme në Luksemburg, trajneri Rubio do të ketë në dispozicion të tij grupin e plotë të lojtarëve, pasi rikthehen Sina, Dushku dhe Karabeci. “Me aktivizimin e këtyre futbollistëve do të jemi edhe më të fortë në ndeshjen tjetër, pasi janë një forcë më shumë për ekipin. Por, edhe në ndeshjen e parë, kur ata nuk ishin të pranishëm, skuadra bëri një lojë të mirë dhe arriti të fitonte”, – ka pohuar lojtari. Në rast se Tirana do të arrijë të sigurojë kualifikimin, gjë që  duket e pamundur të mos ndodhë, duke parë formën jo të mirë që kishte kundërshtari, në turin e dytë të Ligës së Europës do të ketë përballë ekipin norvegjez të Alesundit. “E dimë që nuk do të jetë një ndeshje e lehtë, pasi Alesundi është ekip që luan mirë në Europë. Por, ne si skuadër do të përpiqemi të japim maksimumin tonë që ta çojmë Tiranën sa më larg në këtë kompeticion”, ka përfunduar Bala.

Teuta
Sikurse të gjithë lojtarët e Teutës, edhe mesfushori Emiljano Veliaj ka mbetur i zhgënjyer nga paraqitja e Teutës në ndeshjen ndaj gjeorgjianëve të Metalurg Rustavit. “Ndaj Metalurgut bëmë një paraqitje mjaft të dobët, e cila na kushtoi shumë shtrenjtë duke mos na lënë thuajse fare shpresa. Humbja 0-3 është një rezultat që vështirë të kthehet në favorin tonë. Mendoj se kundërshtari ishte më mirë se ne fizikisht dhe kjo ndikoi edhe në rezultatin e takimit. Pas pësimit të golit, të gjithë u demoralizuam dhe u ndjemë të lodhur dhe nuk vonoi pësimi i dy golave të tjerë që na fundosën përfundimisht”.

Flamurtari
Babai i Gerhard Prognit, futbollistit të Flamurtarit, ka akuzuar dje trajnerin e kuqezinjve, Shkëlqim Muça, se ky i fundit i ka kërkuar 1 milion lekë (të vjetër) që ta aktivizonte djalin e këtij të fundit si titullar në ndeshjen ndaj Honvedit. Nik Progni (babai) ka pohuar për “Panorama Sport” se Muça i ka kërkuar parà atij edhe në kohën kur ishte te Dinamo. Sakaq, vetë trajneri ka pohuar se këto janë veçse shpifje, për të denigruar figurën e tij. “Janë shpifje fund e krye, nga persona që duan të hedhin baltë mbi punën time. Progni ka luajtur kur e ka merituar dhe këtë kam bërë me të gjithë lojtarët”, reagoi Muça.

© Panorama.al

Te lidhura