
Klubi i njohur serb u ka bërë dje një ofertë zyrtare drejtuesve të Tiranës.
Ashtu siç ishte parashikuar, sulmuesi i skuadrës së Tiranës, Bekim Bala, do të largohet sezonin tjetër nga bardheblutë. Madje, mund të thuhet se lojtari ka luajtur edhe ndeshjen e fundit me këtë fanellë ndaj Grevenmakerit në Ligën e Europës, ku Tirana ka kaluar në turin e dytë. Gjatë ditës së djeshme, Bala ka qenë nën shoqërinë e menaxherëve të tij, duke diskutuar mbi të ardhmen dhe klubin ku do të luajë kampionatin tjetër, pasi ofertat nuk kanë të mbaruar. Në zyrën e administratorit Tagani, dje ka mbërritur një ofertë zyrtare për futbollistin nga klubi i njohur serb, Partizani i Beogradit. Këta të fundit kanë ofruar jo pak, por 250 mijë euro për të marrë shërbimet e shkodranit, i cili tashmë është në qendër të merkatos së kampionatit tonë. Bisedimet zyrtare kanë nisur dhe në ditët në vijim mund të ketë edhe zhvillime të reja në lidhje me transferimin e futbollistit. Por, në këtë rast hyn në lojë edhe vetë dëshira e futbollistit, për të përcaktuar klubin ku do të luajë. Tirana duket se nuk mund ta mbajë më Balën, pas kërkesës për rritje page që ai bëri pak kohë më parë. Kjo kërkesë nuk u miratua nga drejtuesit e klubit, ndaj ai ka shpallur “divorcin” me bardheblutë. Pengesa e vetme në këtë rast është kontrata e tij, pasi ajo skadon në janarin e vitit të ardhshëm.
© Panorama.alTagani: Nuk ikën pa 100 mijë euro
Në lidhje me largimin e Balës nga klubi i Tiranës, në mënyrë zyrtare ka reaguar dje edhe administratori i bardhebluve, Salih Tagani. “Deri në këto momente, për këtë çështje kam kontaktuar vetëm me menaxherë të ndryshëm, por me asnjë drejtues klubi. Kam kërkuar të komunikoj vetë me drejtuesit e klubeve të interesuara dhe më pas të vendos, pasi bëhet fjalë për rreth 100 mijë euro që Tirana përfiton nga kartoni i lojtarit. Balës i kemi thënë që ka dy opsione: ose të pranojë rinovimin për dy vjet, ose të paguajë për kartonin e tij. Vetë Bala na ka kërkuar të dijë më shumë për pozicionin e tij në skuadër”, tha Tagani.











