Bakteri i rrezikshëm enterohemiragjik E. Coli, që ka alarmuar Europën, kërcënon edhe Shqipërinë.Pavarësisht deklaratave nga krerët e Shëndetësisë dhe Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, ne nuk përjashtohemi nga harta e vendeve të rrezikuara. Burim infeksioni në prag të sezonit veror mund të jenë emigrantët, të cilët kthehen nga vendet ku janë raportuar raste. Sipas raporteve të ditëve të fundit në faqen zyrtare të OBSH-së, pjesa më e madhe e të infektuarve të parë, të zbuluar në 12 shtetet europiane, ishin kthyer nga Gjermania ato ditë. Një pjesë kanë pasur kontakte direkte me persona që kishin qenë në këtë shtet. “Një ndër mënyrat më të shpeshta të transmetimit të virusit është kontakti me persona të infektuar”, paralajmërojnë ekspertët e OBSH-së. Çka do të thotë se qytetarët mund të ruhen nga trangujt e importit apo ushqime të tjera që mund të shihen si burime infeksioni, por kujdesin maksimal duhet ta kenë nga të gjithë të afërmit që kthehen në verë prej vendeve ku jetojnë. Në këtë mënyrë, infeksioni mund të kalojë lehtësisht, edhe pse pikat kufitare kanë bllokuar importin e ushqimeve të dyshimta.
Komplikacionet vdekjeprurëse
Mund të infektohesh me bakterin enterohemorragjik E. Coli (EHEC) dhe të shërohesh brenda 10 ditëve pa pasur asnjë problem në vijim. Por, sipas OBSH-së, rreth 10% e rasteve të infektuar me EHEC – mund të zhvillojnë Sindromin hemolitik uremik (HUS). Norma e vdekshmërisë në këto raste është 5%. Sindromi hemolitik uremik (HUS) është një sëmundje e rrezikshme për jetën, e karakterizuar nga shkatërrimi akut renal (uremia e veshkave), anemi hemolitike dhe një nivel i ulët i trombociteve. Përgjithësisht HUS është shkaku i insuficiencës renale akute të veshkave te fëmijët. Nga sa bën me dije OBSH, ajo mund të shkaktojë komplikime neurologjike deri në koma në 25% të pacientëve HUS dhe insuficiencë kronike të veshkave, zakonisht të lehta, në rreth 50% e të mbijetuarve. Me HUS, në 12 shtetet që kanë raportuar prezencën e bakterit të rrezikshëm, rezultojnë të jenë prekur 29 persona, pjesa tjetër kanë formën e lehtë që shkakton bakteri enterohemorragjik E. Coli. Vetëm në Gjermani, nga më shumë se 1600 pacientë të prekur, 520 kanë shfaqur Sindromin Hemolitik. Dhjetëra raste kanë pasur komplikacione fatale, duke humbur edhe jetën. Sa i përket bakterit (EHEC), ai transmetohet te njerëzit kryesisht nëpërmjet konsumit të ushqimeve të ndotura, të tilla si të papërpunuara ose produktet e mishit dhe qumështit të papërpunuar, ujit të ndotur, kontaktit të drejtpërdrejtë me kafshët ose kontaktit me persona të infektuar. Ai shkatërrohet nga gatimi i plotë i ushqimeve deri në 70 gradë celsius.
Cfare eshte HUS?
Sindromi hemolitik uremic (HUS) është një sëmundje e rrezikshme për jetën, e karakterizuar nga një insuficiencë akute renale (uremi), anemi hemolitike dhe një ulje të trombociteve. Kjo kryesisht, por jo ekskluzivisht prek fëmijët. Ajo shkaktohet nga infeksioni EHEC dhe vlerësohet se deri në 10% të pacientëve të prekur, EHEC mund të zhvillojë HUS, me një normë të vdekshmërisë që shkon deri në 5%.
Cfare eshte EHEC?
Bakteri entorohemorragjik E. Coli (EHEC) është një formë me mutacion e bakterit të zakonshëm E. Coli, që gjendet zakonisht te kafshët. Ai prodhon toksina që mund të shkaktojnë sëmundje të rënda. Ai transmetohet te njerëzit nëpërmjet konsumit të ushqimeve të ndotura, ose kontaktit me persona të infektuar. Shumica e pacientëve shërohen brenda 10 ditëve, edhe pse në disa raste infeksioni në shkakton sëmundjen (HUS)
Simptomat e te prekurve
Simptomat e të prekurve nga bakteri i rrezikshëm EHEC përfshijnë dhimbje barku dhe diarre, të cilat mund të jenë edhe të përgjakshme. Nuk mungojnë ethet dhe të vjellat. Shumica e pacientëve shërohen brenda 10 ditëve, edhe pse në disa raste (sidomos në fëmijë të vegjël dhe të moshuarit), infeksioni mund të çojë në një sëmundje të rrezikshme për jetën, të tilla si HUS. Masat parandaluese për infeksionet janë ruajtja e higjienës, shmangia e kontakteve me persona të infektuar, larja e duarve dhe kujdes maksimal në tualetet publike, që janë vatra infeksioni.
AKU: Gatishmëri në pikat kufitare
Në vendin tonë nuk është raportuar asnjë rast i prekur nga bakteri i rrezikshëm EHEC. Nga sa bën me dije Ministria e Shëndetësisë, të gjitha institucionet përgjegjëse, si ato spitalore, dhe ato të ushqimit, kanë rritur vigjilencën duke filluar që nga pikat kufitare. “Operatorët e biznesit janë të detyruar të njoftojnë 48 orë përpara për llojin e produktit që do të arrijë në Shqipëri dhe ne kemi të gjithë instrumentet dhe informacionin e duhur për të vërtetuar dhe kontrolluar origjinën e produktit. Nëse kemi dyshime, kemi mundësinë ta parandalojmë hyrjen e këtij produkti”, shprehen krerët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. Sipas tyre, nuk ka vend për panik te qytetarët, pasi në rast se ata respektojnë të gjitha këshillat që lidhen me higjienë të pastër, nuk rrezikojnë të infektohen. “Shqetësimi për të tilla situata kalon në ekstrem me pa të drejtë. Të gjitha këto produkte, qoftë mishi i shpendëve në atë kohë, qoftë edhe produktet siç janë fruta-zarzavatet, kanë disa parime shumë të thjeshta, të cilat çdo konsumator duhet t’i zbatojë”, thonë specialistët.
Rastet e prekura
Shteti HUS EHEC
Gjermania 520 1612
Austria 0 2
Çekia 0 1
Danimarka 7 10
Franca 0 10
Holanda 4 4
Norvegjia 0 1
Polonia 1 0
Spanja 1 0
Suedia 15 31
Zvicra 0 3
Britani e madhe 3 8
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











