Bakaj te Çernomorets Odesa për 50 mijë euro

Feb 24, 2012 | 12:07

Elis Bakaj ka lënë Dinamon e Bukureshtit dhe është transferuar në kampionatin ukrainas të futbollit te Çernomorets Odesa, skuadër ku luan aktualisht edhe mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Kristi Vangjeli. Lajmi është bërë i ditur dje nga mediat rumune, të cilat jepnin edhe detaje të transferimit të përkohshëm të Bakajt te kjo skuadër. Në fakt, lojtari është dhënë në formë huazimi deri në verën e këtij viti për shifrën e 50 mijë eurove. Sakaq, nuk do të ndryshojë shifra që përfiton lojtari si rrogë, çka do të thotë se Bakaj do të paguhet 8 mijë euro në muaj, po aq sa merrte edhe te Dinamo e Bukureshtit. Bakaj erdhi te kjo skuadër në fundjanarin e vitit të shkuar me “bekimin” e Sulejman Demollarit. Madje në Rumani, të galvanizuar edhe nga emri i madh që ka ish-futbollisti dhe trajneri i Kombëtares, nuk vonuan shumë që Bakajn ta cilësonin si “Demollari i ri”. Por kjo vetëm në teori, pasi në praktikë lojtari nuk dha atë që pritej. Madje këtë sezon ai ka luajtur shumë pak, duke shënuar vetëm një gol në 11 ndeshje. Kjo bëri që drejtuesit të shikonin mundësi largimi të shqiptarit, me qëllim që ai të mund të kishte më shumë mundësi aktivizimi në një skuadër tjetër, më të dobët sesa Dinamo e Bukureshtit.

© Panorama.al

Te lidhura