
Dinamo e Bukureshtit do përballet me Vorslkën në Ligën e Europës, ku përballë do jenë edhe shqiptarët Elis Bakaj ndaj Armend Dallku dhe Ahmend Januzit. Takimi i parë ndaj tyre do zhvillohet në Rumani dhe media vendëse i ka kushtuar shumë rëndësi sfidës mes shqiptarëve. Dje ka pasur një takim mes Bakajt dhe Dallkut dhe është përfolur se ata kanë shkëmbyer “informacione” me njëri-tjetrin. Skuadrat nuk njihen aq mirë dhe mendohet se pikërisht dy lojtarët janë munduar të “vjedhin” diçka mes tyre. Madje, janë cilësuar edhe si spiunët e ekipeve respektive. Mbrojtësi i Vorsklës, në një intervistë “Prosport”, ka pranuar që ta ketë pyetur mesfushorin rreth Dinamos së Bukureshtit. “E takova Bakajn sot (dje), sepse jemi miq së bashku. E kam pyetur për Dinamon e Bukureshtit. Madje i kam thënë: “Çfarë duhet të bëj për t’ju mundur, kundërshtar?”… Kemi biseduar edhe për shumë gjëra të tjera”, u shpreh Dallku duke buzëqeshur. Më pas, ai u pyet për duelin e mundshëm në fushë, pasi Bakaj mund të luajë si mesfushor i majtë dhe i duhet ta markojë. “Do e ketë të vështirë të më kalojë mua. I uroj që të jetë i suksesshëm me Dinamon dhe të shënojë sa më shumë gola, por duhet të fillojë ta bëjë një gjë të tillë, pasi të kenë mbaruar dy ndeshjet që ka kundër Vorsklës”, deklaroi mbrojtësi. Nga ana tjetër, Bakaj i është përgjigjur akuzave se ai mund të jetë “spiuni” i Dinamos së Bukureshtit, duke sqaruar takimin me Dallkun. “Unë u takova me Armendin, pasi jemi miq të mirë dhe shok në Kombëtare. Ai më kërkoi informacione për Dinamon, por sigurisht që unë nuk i tregova asgjë. Unë nuk jam spiun”, u shpreh Bakaj.










