
“Në fillim nuk donin të largohesha, tani duan parà”
Elis Bakaj është drejt divorcit zyrtar me Dinamon e Bukureshtit. Fantazisti hasi në probleme pas ndërrimit të trajnerëve, duke mos pasur mbështetje nga tekniku i ri, Liviu Ciobotariu. “Po, ju kam kërkuar që të iki, madje ta prish edhe kontratën. Në fillim nuk donin, kurse tani më kërkojnë para për kartonin”, ka thënë 25-vjeçari për “Panorama Sport”. Gjatë këtij sezoni, Elis Bakaj ka luajtur gjithnjë e më pak, pa ndonjë motiv thelbësor, por thjesht për shkak se ndryshoi trajneri i skuadrës. I pafat edhe nga një dëmtim që e mbajti për më shumë se një muaj jashtë fushës, mesfushori humbi terren karshi rivalëve të tij, ndërsa tekniku Liviu Ciobotariu filloi të mbështeste vetëm lojtarët e krahut të tij. Sapo nisi merkatoja e janarit, Bakaj i kërkoi klubit që të largohej, qoftë edhe në formë huazimi, por me qëllimin që të luante. Drejtuesit ishin dakord, por trajneri kundërshtoi duke i thënë se e donte në ekip dhe e kishte në planet e tij. Ndërkohë, gjatë kësaj periudhe lojtari dogji mundësinë që të shkonte në skuadra që i ofronin vërtetë shumë para si Çernomorets, apo edhe në Izrael. I zhgënjyer dhe i gjendur në një situatë të vështirë, lojtari kërkoi edhe njëherë largimin, ose huazimin të paktën në ndonjë klub rumun, meqenëse aty merkatoja mbyllet më 22 shkurt. Kërkesa e tij përçau drejtuesit e klubit. Një pjesë donin ta mbanin, disa të tjerë ta huazonin brenda kampionatit rumun, ndërsa të tjerë donin që të prishnin fare kontratën me të. Në fund, drejtuesit e klubit vendosën që ai të largohej, qoftë edhe në formë huazimi, duke respektuar vullnetin e lojtarit. Në këtë moment del sërish në skenë trajneri Ciobotariu që hedh idenë se lojtari nëse kërkon të prishë kontratën, atëherë duhet të shkojë në një klub që paguan për kartonin e tij. Këtu i hapet një tjetër problem futbollistit të Shqipërisë, që tani e ka të pamundur të transferohet në ndonjë skuadër të mirë perëndimore, pasi merkatoja në shumicën e vendeve është mbyllur. I pyetur nga gazeta, ish-futbollisti i Dinamos dhe Partizanit pohon se i ka bërë kërkesë klubit edhe për prishje kontrate, por ata tani kërkojnë edhe para për kartonin e tij. “I bëra kërkesë klubit në fillim dhe ma refuzuan, duke më kërkuar të qëndorja. Tani që u mbyll merkatoja, më thonë se jam i lirë të iki, por duhet një klub që të mund të paguajë kartonin tim. Nuk kam çfarë të bëj. Nëse nuk do të huazohem në ndonjë skuadër tjetër rumune brenda pak ditëve që kanë ngelur, atëherë do të qëndroj këtu deri në fund të sezonit”, është shprehur mesfushori.
© Panorama.alSalihi pa vizë, shqetësohen amerikanët
Hamdi Salihi nuk i është bashkuar ende skuadrës së tij të re, DC Jinajtit, në kampionatin amerikan të futbollit. Arsyeja është krejt burokratike, por që ka shqetësuar jo pak drejtuesit e skuadrës amerikane. Sulmuesi shqiptar nuk është pajisur ende më një vizë hyrëse në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe kjo gjë ka bërë që lojtari të mos jetë ende pjesë e seancave stërvitore të kësaj skuadre. Nga informacionet mësohet se lojtari ka paraqitur një herë dokumentacionin në Ambasadën Amerikane në Austri, por atij i janë kërkuar dokumente shtesë, duke qenë se në këtë vend tashmë nuk do të shkojë si një turist i thjeshtë, por si një kontraktor (punëtor). Pritet që në ditët në vazhdim lojtari të mund të zgjidhë këtë problem burokratik.Bogdani dhe Ujkani, ftesa nga De Biazi
Erjon Bogdani dhe Samir Ujkani do të jenë pjesë e skuadrës sonë kombëtare për ndeshjen miqësore ndaj Gjeorgjisë më 29 shkurt në Tbilisi. Lajmi është konfirmuar nga mediat italiane, të cilat kanë pohuar se si sulmuesi dhe portieri kanë marrë tashmë ftesat e tyre nga trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani de Biazi. Ky i fundit e ka shprehur edhe më parë në intervistat e dhëna se do mbështetet kryesisht te lojtarët që luajnë në kampionatin italian, duke identifikuar Lorik Canën, Samir Ujkanin dhe Erjon Bogdanin si shtyllat e skuadrës së tij për kualifikimet e Botërorit 2014. Ndërkohë, kujtojmë se Bogdani nuk ka luajtur ende një ndeshje me skuadrën e tij të re, Sienën, pas transferimit në janar nga Çezena. Ndërsa Ujkani ka shkëlqyer në ndeshjen ndaj Interit.











