Bajerni në humnerë, Nojer del blof

Aug 8, 2011 | 12:45
Bajern Mynih - Mynshengladbah 0-1

Euforia e tepërt ka qenë tragjike për Bajernin e Mynihut. Debutimi i portierit Manuel Nojer dhe trajnerit Jup Hejnkes u shndërrua në një dramë për investimet e klubit bavarez. Numri 1 gaboi dhe rekordmenët gjermanë paguan faturën e humbjes 0-1 në start të Bundesligës përballë Borusias Mynshengladbah, duke hedhur poshtë çdo blerje dhe gjithë mundin e fazës përgatitore. Me këtë dështim, bavarezët nuk janë në gjendje t’u tregojnë rivalëve të tyre forcën dhe kualitetin që kushton 240 milionë euro. Përveç humbjes 0-1, me gol të realizuar me kokë nga sulmuesi De Kamargo, nga fusha e “Alianc-Arenës” doli i dëmtuar edhe mbrojtësi Zherom Boateng, i cili bashkë me Nojerin ishin protagonistët e pësimit të golit, pasi nuk u koordinuan siç duhej. Në provën e parë të sezonit dominimi dhe shpirti luftarak i bavarezëve nuk mungoi. Trajneri Jup Hejnkes hodhi në fushë një nga formacionet më të mira, ku titullar ishte edhe Roben, ndërsa Riberi u aktivizua në minutën e 60-të. Që në minutën e parë, vendësit u përpoqën të ndëshkonin miqtë, por muri blindues dhe forma e mirë e portierit, Mark-Andre ter Stegen, bëri që rrjetat e portës së Mynshengladbahut të mos prekeshin. Pjesa e parë përfundoi në barazim pa gola. Në 45 minutat e dyta, bavarezët ishin të vendosur për të fituar, por me fjalë dhe jo me vepra. Edhe pse ekuilibrat mes mbrojtjes dhe ofensivës ishin në nivel optimal, kjo balancë u prish për disa momente. Në minutën e 59-të, sulmuesi De Kamargo arrin të gjunjëzojë portierin Manuel Nojer, por arbitri Babak Rafati u ndërpret festën miqve, pasi e quan të parregullt. De Kamargo i shkaktoi faull mesfushorit Bastian Shvajnshtaiger. Por goli nuk do të vonojë. Tri minuta pas golit të anuluar, sulmuesi i Borusias Mynshengladbah ka çuar në rrjetë krosimin e saktë të dhënë nga mbrojtësi Bruvers. Ai fiton luftën në ajër me portierin Nojer dhe shënon kështu golin e avantazhit. Edhe pse trajneri Hejnkes aktivizon fantazistin Riberi dhe sulmuesin Nils Petersen duke ndryshuar skemën, përsëri aksionet e njëpasnjëshme të Bajernit nuk u kthyen në gola. Rasti ideal u inskenua në minutën e 77-të, kur Myler del i vetëm përballë portierit, por tregohet i pakujdesshëm, pasi anësori e nxori pozicion jashtë loje.

© Panorama.al

Te lidhura