Asgjë e re edhe për “Oscar”-ët britanikë. Çmimet kinematografike BAFTA përforcuan edhe një herë pozitat e kandidatëve potencialë për çmimet “Oscar”, që do të ndahen në fund të muajit. Mbrëmjen e së dielës u zhvillua një nga festivalet më të mëdha të kinematografisë botërore. Bëhet fjalë për çmimet britanike, të cilat nderuan me trofe të njëjtët emra si edhe Golden Globe. Kështu, në këtë edicion të 65-të ka triumfuar sërish filmi pa zë e bardhë e zi “The Artist”, duke marrë 7 trofe, përfshirë kategorinë e filmit më të mirë, aktorin më të mirë etj. Ashtu si edhe pritej, mbretëresha e mbrëmjes ishte aktorja Meryl Streep, e cila fitoi çmimin si aktorja më e mirë protagoniste për interpretimin e rolit të kryeministres Margareth Theatcher në filmin “Iron Lady”. Në kategorinë e aktorit më të mirë, të cilin në festivalet e tjera të zhvilluara në këtë fillimvit e ka kryesuar aktori George Clooney, triumfoi francezi Jean Dujardin. Me çmimin për regjinë më të mirë u nderua regjisori Martin Scorsese. Të tjerë trofe u ndanë për skenarin më të mirë origjinal, kolonën zanore etj. etj. BAFTA mblodhi në Londër aktorët dhe kineastët më të mirë nga e gjithë bota, megjithatë vëmendja tashmë është përqendruar më 26 shkurt.











