
Një 34-vjeçar lidhet me zinxhirë nga prindërit për t’u mbajtur nën kontroll.Historia shokuese përsëritet dhe ndodh në bashkinë e Bulqizës, pak metra larg godinës së pushtetit lokal, policisë dhe institucioneve të tjera shtetërore. Familja Martini është sistemuar muaj më parë në një pallat që ka marrë emrin “Kompleksi i minierës së kromit”. Ajo jeton në skamje të vërtetë. Dy djemtë e vetëm të familjes njihen në të gjithë qytetin verilindor si të sëmurë të shëndetit mendor. “Osmani dhe Hekurani njihen në të gjithë qytetin”, thonë banorët. Ata shëtisin në rrugët e pakta të qytetit dhe rikthehen në shtëpi. Zakonisht nuk krijojnë probleme me njerëzit, por prindërit kanë vendosur që Hekuranin, djalin e tyre 34-vjeçar, ta lidhin me zinxhirë prej tri javësh. Djali me probleme mendore nuk kundërshton dhe i është bindur këtij veprimi mesjetar. Edhe pse është verë, djali i lidhur është mbuluar me një jorgan. Ai nuk reagon fare kur e pyet pse e kanë lidhur. Madje prindërit thonë se edhe kur djali i tyre ushqehet, mbahet i lidhur.
Izet Martini, një burrë rreth të 70-ave, pranon pa iu dridhur qerpiku se ai është autori i prangosjes së djalit. Pasi ka siguruar një zinxhir të gjatë, nga ata që përdoren zakonisht te kafshët e barrës, i ka lidhur këmbën me njërin skaj të zinxhirit dhe skajin tjetër e ka lidhur në këmbën e krevatit, që vetëm i tillë nuk mund të konsiderohet. “Jam 75 vjeç dhe kam dy djem të sëmurë. Osmani është pak më i urtë dhe nuk krijon probleme, ndërsa Hekurani largohet me ditë të tëra nga shtëpia. Kam frikë se më krijon ndonjë problem dhe kam vendosur ta lidh”, shpjegon qetësisht Izet Martini. Ai

thekson se policia lokale e di këtë fakt dhe se ajo në jo pak raste nuk ka ditur çfarë të bëjë me të. “Kam kërkuar ndihmë nga shteti. Dy djemtë trajtohen me nga nëntë mijë lekë sigurime shoqërore. Kemi kërkuar ndihmë, por nuk na është miratuar. Lekët që marrim nuk na mjaftojnë as për barna. E shihni në ç’gjendje jemi? Tani është behar dhe nuk kemi ftohtë, por në dimër kemi shumë ftohtë dhe jetojmë si mos më keq”, tregon plaku nga Bulqiza. Edhe nëna e dy djemve të sëmurë, Nuhije Martini, 60 vjeçe, thotë se e kanë problem mbajtjen nën kontroll të djalit të madh, pasi ai ndonjëherë bëhet agresiv. “Ka raste që e kërkojmë gjithë natën nëpër qytet. Po ashtu ka ndodhur që është larguar me ditë të tëra. Ka vajtur në Tiranë, Peshkopi e Burrel dhe nuk e kemi ditur se do të kthehet. Duke e kërkuar ka ndodhur që kam thyer brinjët e dorën. Nuk duam të na ngatërrojë me njerëzit, prandaj e kemi lidhur”, shprehet nëna e të “arrestuarit” nga babai i tij. Banorë të lagjes e shpjegojnë ndryshe lidhjen me zinxhirë të 34-vjeçarit. Sipas tyre, sa herë ai konsumon alkool në lokalet e qytetit apo te njerëzit e tij të afërm, bëhet agresiv dhe mund të shqetësojë qytetarët. “Sa herë prindërit e kuptojnë se ai është dehur me raki, e lidhin me zinxhirë”, tregojnë komshinjtë e familjes Martini. Të tjerë shtojnë se nuk ka rëndësi çfarë bën Hekurani, e keqja qëndron në faktin se atë e lidhin me ditë të tëra me zinxhirë. “Kjo nuk mund të pranohet”, shtojnë ata.
Precedenti i motrave Keshi, u lidhën me zinxhirë nga babai

Precedenti i motrave Keshi, u lidhën me zinxhirë nga babai Njerëz të lidhur si në mesjetë. Është rasti i tretë po në rrethin e Bulqizës. Motrat Keshi u mbajtën të lidhura nga babai i tyre për muaj të tërë, derisa strukturat e shtetit ndërhynë për t’iu ardhur në ndihmë. Ato ishin larguar nga Spitali Psikiatrik në Shkodër pasi ishin qetësuar me barnat e nevojshme. Por, sipas babait të tyre, vajzat iknin nga shtëpia duke përfunduar dhe në shtetin fqinj të Maqedonisë, për shkak të afërsisë që kishte fshati i tyre me kufirin. Për të shmangur largimin ai zgjidhte mënyrën e lidhjes, edhe pse me zinxhirë, në oborrin e shtëpisë. Për babanë e tyre nisi hetimi me akuzën e “heqjes së lirisë së tjetrit pa vendim gjykate”. Në këto raste janë ngritur pyetjet nëse mund të ketë doza stimulimi apo nëse prindërit e këtyre të sëmurëve mendorë veprojnë në këtë mënyrë për të përfituar ndihma në të holla e ushqime nga shteti, biznesi apo shoqatat jofitimprurëse?
BULQIZE/ HASAN PASHA
© Panorama.al











