Babai i Voglit: Ju rrëfej për borxhet e pambyllura

Feb 24, 2012 | 11:26

Oficeri i vrarë në Afganistan, Feti Vogli

Bedri Vogli rrëfen karrierën dhe martesën e të birit.

“Qanija, nëna e Fetiut dhe bashkëshortja, Alva, janë të sëmura që prej tri ditësh”

Ato nuk janë në gjendje të flasin. Qanija, nëna e Feti Voglit dhe bashkëshortja e tij, Alva, kanë zënë divanet e shtëpisë dhe komunikimin më të mirë e kanë me mjekët që u rrinë pranë, nëpërmjet shenjave. Të tronditura nga lajmi tragjik dhe të lodhura nga pritja 3-ditore për trupin e të ndjerit, dy gratë kanë pamje krejt të zbehtë dhe nuk durojnë dot zhurma. Sytë, shumicën e kohës i mbajnë të mbyllura. Kur i hapin deri në gjysmë, shohin nga dritarja. Pamja nuk lë shumë për të dëshiruar. Jashtë xhamave qëndron gjatë gjithë kohës një ambulancë me ekip mjekësor në dispozicion, si dhe makina me vizitorë që ikin e vijnë për ngushëllime. “Kërkojnë të paktën që t’u kthehet trupi, se të dyja po e qajnë nën zë. Dhe kjo u bën më keq për shëndetin. Janë të dërrmuara që të dyja. Ju lutem, mos i trazoni”, thotë për gazetën “Panorama” Bedriu, babai i Feti Voglit, kapitenit që humbi jetën mesditën e së hënës, pasi u sulmua nga policia lokale afgane në Kandahar. Vdekja gjatë misionit atje e bëri Voglin martirin e parë të Shqipërisë në Afganistan, por edhe heroin e vetë familjes. Që nga e hëna tragjike, për çdo ditë u është premtuar nga strukturat e posaçme shtetërore mbërritja e arkivolit nga Kandahari. Dje, e enjte në mëngjes, trupi i pajetë nuk ishte sjellë akoma, por shpresat ishin… për t’u shuar sërish në drekë. “Afganistani është larg, janë shumë procedura dhe unë e mirëkuptoj vonesën, por gratë e familjes nuk munden më. Më thanë që nuk mund të vijë as sot trupi, por e sigurt që nesër që në orën 15:30 do të jetë patjetër në shtëpi. Ta qajnë gratë me zë e ne burrat nën vete dhe ta përcjellim me të gjitha nderimet, siç e meriton”, psherëtin i ati i kapiten Voglit.
Ushtria
Babai i tij, pavarësisht dhimbjes që ka për humbjen e të birit, kërkon që Fetiu të kujtohet si njeri besnik ndaj profesionit të tij dhe ndaj atdheut. “Siç e shihni dhe vetë, ne nuk jemi familje e pasur. As Fetiu që jetonte më vete nuk ishte. Megjithatë, ai nuk shkoi me mision në Afganistan me qëllimin e vetëm për të bërë para, për t’u pasuruar. Ka marrë tri medalje, dy në vitin 2007 dhe një në vitin 2010. Ka kryer misione të vështira, edhe me rroga qesharake. Nuk ka thënë kurrë ‘jo’. Shërbimi nën armë ishte profesioni dhe pasioni i tij. Që fëmijë e dëshironte disiplinën dhe i pëlqente të luante me armë. Kur u rrit, po ashtu. Gjithë jetën e ka pasur të lidhur me ushtrinë, ka kryer specializime të ndryshme në të gjithë botën dhe dy herë të tjera ka qenë me misione në Irak, nga dy dhe gjashtë muaj”, rrëfen i ati, ndërsa saktëson se Fetiu ka mbaruar Akademinë Ushtarake në specialitetin Artileri Tokësore dhe u bë pjesë e Forcave të Armatosura, me detyrë komandant toge në Brigadën e Stërvitjes së Bazës Bunavi. Sipas tij, në vitin 2005 Fetiu ka kryer me sukses një kurs bazë të forcave speciale dhe më pas është bërë pjesë e Batalionit të Forcave Speciale, me detyrë komandant grupi. Rreth një vit më vonë, për arsye shërbimi, Fetiu është vendosur për një kohë të gjatë në Vlorë, pranë Ujit të Ftohtë. Vendi ku u njoh me Alvën, vajzën që më pas do të bëhej bashkëshortja e tij dhe “nusja e vetme prej Jugu” në të gjithë zonën.
Martesa
Kur historia vjen në këtë pikë, me shumë spontanitet ndërhyn gjyshi i Alvës. “Vajza jonë vijonte universitetin për Cikël të Ulët në qytet. Ishte 20 vjeç asokohe. Ndërsa Fetiu 26-vjeçar shërbente si komandant pranë Marinës. Bëhet fjalë për para 5 vitesh, kur një ditë vjen Alva në shtëpi dhe na tregon për Fetiun. E morëm fillimisht pak me rezervë dhe duke qenë se jemi vlonjatë autoktonë, nisëm të pyesnim miq e shokë për djalin, sidomos ndër kolegë. Të gjithë na e lavdëruan si të përkryer, nuk gjetëm një person që të thoshte gjysmë fjale negative për të. Ndaj e dhamë me shumë kënaqësi, edhe pse në fshat”, thotë ai, ndërsa babai i Fetiut, shton: “E dini? Alva është nusja e vetme nga qyteti në këto zona, për më tepër nga Jugu”. Megjithatë, “e vetmja” ka jetuar vetëm me javë në Shpatë, fshatin e lindjes së Fetiut dhe pas disa muajsh fejese është transferuar me shtëpi në Tiranë, në periferinë lindore. “Nuk bënë dasmë, sepse kishin shumë dëshirë të blinin një shtëpi të tyre dhe nuk u dilnin paratë. Me shumë mund e kursime morën një shtëpi rrugës që shkon për në Dajt, në zonën që quhet Fresku. Me sa më ka thënë Fetiu, e kishin shlyer shumicën, por një pjesë ende ka mbetur për t’u paguar”, thotë Bedriu, ndërsa prek lart në oxhak portretin e zmadhuar të të birit. Është fotoja e vetme që ka në shtëpi. Edhe këtë ia sollën miqtë e kolegët e Fetiut natën kur mori lajmin e kobshëm. “Ngaqë nuk para i binte shpesh të vinte këtu, për shkak të shërbimit të vazhdueshëm dhe largësisë, i mori njëherë me vete të gjitha fotot dhe nuk na ka mbetur asnjë tjetër në shtëpinë tonë, përveç kësaj”, tregon ai, duke bërë me gisht nga portreti. Ai me gisht, ndërsa mbesa me sy. Është Egi, vajza e vetme e kapiten Voglit. Teksa sheh shumë njerëz nëpër shtëpi, vazhdimisht pyet se cilët janë dhe pse kanë ardhur. “Më 7 mars mbush 3 vjeç. Ishte pika e dobët e Fetiut, e donte çmendurisht. Tani vajza e kërkon gjithë kohës dhe nuk dimë çfarë t’i përgjigjemi. Si e vogël që është, vetëm pak fjalë di të shqiptojë dhe normalisht ‘babi’ e thotë vazhdimisht”, thotë Bedriu, teksa ora ka kaluar 17:00. Koha për ngushëllim e dhjetëra kolegëve që duken në oborr, por edhe e mirësjelljes së babait të kapitenit që ta lejojmë të ikë për të respektuar këta vizitorë, miq të armëve ndër vite të Fetiut.

Vizitë nga familja Peci
Prindërit e Aleksandër Pecit, nëntetarit që u plagos gjatë sulmit në Afganistan ku mbeti i vdekur kapiten Feti Vogli, kanë vizituar familjen e këtij të fundit. “Erdhën prindërit e Aleksandrit dhe disa të afërm. Ai dhe im bir, Fetiu, përveçse ishin në të njëjtin mision, ishin edhe shumë shokë bashkë. Na ngushëlluan dhe ata na e dinë më mirë dhimbjen, sepse e përjetuan edhe vetë për 2-3 orë. Falë Zotit që për ata nuk ishte e vërtetë dhe i uroj Aleksandrit shërim të shpejtë”, thotë Bedriu, babai i kapiten Voglit.

Ra ky mort e shtrohet rruga
Fshati Shpat, ashtu siç ka edhe emrin, gjendet në shpatet e kodrave dhe maleve që lidhin Tiranën dhe Elbasanin. Rruga drejt komunës që e përfshin, Baldushkut, është e asfaltuar dhe me vila të bukura përreth, por sapo merr kthesën drejt Shpatit, gropa gjigante dhe kanale të ndërpresin udhëtimin e makinave të vogla. Pamja vjen krejt zhgënjyese. Më saktë, vinte. Pas vdekjes së Voglit, një urdhër i dhënë “s’e dimë se nga kush”, por mirë që është dhënë, ka bërë që gropat të mbushen me çakull dhe zhavorr.

Detyra e fundit e kapitenit
Nga viti 2007 e këtej, kapiten Vogli është dalluar me shpejtësi në profesionin e tij, duke marrë tri medalje. Që nga 16 janari ai ishte pjesë e kontingjentit “EAGLE 4”, në misionin paqeruajtës në Kandahar. Ngjarja e rëndë u regjistrua pasditen e së hënës në fshatin Robat 2, në Kandahar, ku Grupi i Parë Special, i drejtuar nga kapiten Feti Vogli, është sulmuar teksa ishte në mision patrullimi. Ata kishin detyrë të patrullonin dhe siguronin jetën e “personelit të shërbimit të inteligjencës dhe USAID-it”.

Basha ngushëllon familjen Vogli
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ngushëlloi dje familjen e kapitenit Feti Vogli, i cili humbi jetën tri ditë më parë në krye të detyrës në Kandahar të Afganistanit. “Me veprën e tij, kapiten Feti Vogli dëshmoi se ne sot tregojmë me vepra dhe jo me fjalë se jemi plotësisht të zotë, po aq të zotë sa aleatët tanë, të mbrojmë vlerat e përbashkëta që qëndrojnë në themel të asaj që na bashkoi me Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe asaj që na bashkon, në përpjekje dhe sfidat tona për t’u siguruar qytetarëve shqiptarë për brezat që vijnë standardet, sigurinë, lirinë, demokracinë dhe të mirat që gëzojnë aleatët tanë”, u shpreh kreu i Bashkisë. Sipas tij “Sakrifica e Kapiten Feti Voglit dëshmon se jemi gati që me sakrificën e bijve tanë të mbrojmë këto vlera të përbashkëta që qendrojnë në themel të asaj që na bashkoi me aleancën e Atlantikut të Veriut”.

Ceremonia
Ora 03:15
– Pritet mbërritja e avionit që mbart trupin e të ndjerit
Ora 03:20 – Trumbetat njoftojnë për daljen e arkivolit nga avioni
Ora 03:25 – 03:30 – Ecja me arkivolin mbi supet e ushtarakëve për 200 metra deri te makina e funeralit. Vendosja e arkivolit në makinën e funeralit. Pjesëmarrësit zënë vendet e tyre nëpër makina
Ora 06:45 – 10:00 – Ceremonia mortore familjare
Ora 10:00 – 10:45 – Lëvizja e arkivolit me trupin e të ndjerit për në Pallatin e Kongreseve
Ora 10:45 – 11:00 – Vendosja e arkivolit në vendin ku do të zhvillohen homazhet, në hollin e Pallatit të Kongreseve
Ora 11:00 – 12:15 – Zhvillimi i homazheve
Ora 12:15 – 12:20 – Zhvillimi i homazheve nga ministri i Mbrojtjes dhe shefi i Shtabit
Ora 12:25 – 12:30 – Zhvillimi i homazheve nga Kryeministri
Ora 12:30 – 12:35 – Zhvillimi i homazheve nga kryetarja e Kuvendit
Ora 12:35 – 12:40 – Zhvillimi i homazheve nga Presidenti
Ora 12:45 – 13:00 – Zënia e vendeve për fillimin e ceremonisë mortore
Ora 13:00– Fillimi i ceremonisë zyrtare
Ora 13:00 – 13:05 – Himni Kombëtar
Ora 13:05 – 13:10 – Fjala e lamtumirës
Ora 13:10 – 13:11 – Trumbetat për përfundimin e ceremonisë
Ora 13:25 – 13:50 – Lëvizje e kortezhit për në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut
Ora 13:50 – 14:00 – Grumbullimi i pjesëmarrësve në ceremoninë e varrimit dhe vendosja e tyre në vendet e caktuara
Ora 14.00 – 14.07 – Zhvillimi i ceremonisë së apelit të fundit nga komandanti i Batalionit të Operacioneve Speciale, kolonel Dritan Demiri
Ora 14.07 – 14.17 – Lëvizja e arkivolit të mbajtur në krahë nga grupi i ushtarakëve për në vendin e varrimit
Ora 15.00 – Përfundimi i ceremonisë
Ora 15.30 – Dreka e përmortshme në Qendrën Kulturore të Ushtrisë

Homazhet do të mbahen në Pallatin e Kongreseve
Ceremonia, detajet e varrimit të kapiten Feti Voglit
Trupi i pajetë i kapiten Feti Voglit do të prehet sot në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, pas një ceremonie që do të zhvillohet në hollin e Pallatit të Kongreseve. Ministria e Mbrojtjes ka bërë dje publike të gjitha detajet e homazheve që do të bëhen për të parin ushtarak të rënë gjatë misionit në Afganistan nga Shqipëria. Trupi është parashikuar të mbërrijë në Tiranë në orën 03:15 pas mesnate (sot), dhe më pas trumbetat do të njoftojnë daljen e arkivolit nga avioni. Në orën 03:25 ushtarakët do të mbajnë për rreth 200 metra në krahë arkivolin me trupin e pajetë, deri te makina e funeralit. Sipas protokollit, është parashikuar që nga ora 06:45 deri në orën 10:00 të zhvillohet ceremonia mortore familjare dhe më pas, për 45 minuta, të bëhet lëvizja e arkivolit nga shtëpia në drejtim të Pallatit të Kongreseve. Në orën 11:00 është parashikuar nisja e homazheve në hollin e Pallatit të Kongreseve. Sipas detajimeve të Ministrisë së Mbrojtjes, nga ora 12:15 do të zhvillojnë homazhe krerët më të lartë të shtetit. Në fillim do të jenë ministri i Mbrojtjes, Arben Imami dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Xhemal Gjunkshi. Më pas, në orën 12:25, do të bëjë homazhe Kryeministri Sali Berisha, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe në fund Presidenti Bamir Topi. Në orën 13:00 është parashikuar Himni Kombëtar, që do të pasohet nga një fjalë lamtumire për kapiten Voglin. Pas dhjetë minutash trumbetat do të njoftojnë fundin e ceremonisë dhe në 13:25 kortezhi do të lëvizë drejt Varrezave të Dëshmorëve të Kombit. Në orën 14:07 arkivoli me trupin e pajetë të kapitenit do të mbahet nga ushtarët, të cilët do ta lëvizin drejt vendit të varrimit dhe në orën 15:30 do të shtrohet dreka e përmotshme në Qendrën Kulturore të Ushtrisë. Kapiten Feti Vogli mbeti i vrarë pak ditë më parë gjatë një sulmi të policisë lokale në Afganistan, ku u plagos dhe nëntetar Aleksandër Peçi dhe një ushtar amerikan.

Seanca e djeshme në Parlament
Kuvendi, një minutë heshtje për Voglin
Kuvendi ka mbajtur dje një minutë heshtje për nder të kapitenit Feti Vogli, i cili humbi jetën katër ditë më parë në Afganistan. Kryeparlamentarja Topalli tha në fillim të seancës së djeshme: “I nderuar zoti Kryeministër, zonja deputete, zotërinj deputetë, më 20 shkurt, në misionin paqeruajtës të forcave tona speciale brenda kuadrit të NATO-s, në Kandahar ka humbur jetën kapiten Feti Vogli. Ai është ‘Dëshmor i Atdheut’ dhe unë ju ftoj që të mbajmë një minutë heshtje për këtë hero shqiptar”. Gjatë ditës së sotme pritet që kryeparlamentarja, së bashku me kreun e qeverisë dhe Presidentin Bamir Topi, të zhvillojnë homazhe në Pallatin e Kongreseve për nder të kapiten Voglit.

ELISABETA ILNICA

© Panorama.al

Te lidhura