Babai i vajzës vret nënën e dhëndrit

Jul 3, 2011 | 10:29
Banesa ku ndodhi vrasja në Allias

Anife Elmazi, 44 vjeçe, kishte vetëm katër ditë që i gëzohej martesës së djalit të saj kur mesnatën e së premtes, një breshëri kallashnikovi në derën e shtëpisë i mori jetën.Gruaja u nda nga jeta pas transportimit për në Spitalin Ushtarak, pasi nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra prej armës së Ylli Sherifit, rreth 40 vjeç. Ky i fundit ka qëlluar me breshëri arme prindërit e djalit që kishte marrë në shtëpi vajzën e tij vetëm për shkak se 40-vjeçari nuk pajtohej me këtë martesë. “O Fatmir, dil se të kam sjellë rrobat e nuses!”. Kjo ka qenë thirrja e Ylli Sherifit në derën e shtëpisë së Fatmir Elmazit. Ky i fundit ka dalë me shpresën se gjithçka do të shkonte normalisht, por sapo ka hapur portën e avllisë, është ndeshur me breshërinë e Kallashnikovit. Ngjarja ka ndodhur në orën 23:30 të së premtes, pak para mesnatës. Nga breshëria e plumbave në errësirë u plagos rëndë i zoti i shtëpisë, Fatmir Elmazi, ndërsa mori plagë të shumta dhe vdiq në spital shtetasja Anife Elmazi, 44 vjeçe, e cila kishte dalë në derën e shtëpisë duke ndjekur të shoqin. Si pasojë e breshërisë, policia njoftoi se është plagosur edhe shtetasi Ervin Ademi, 26 vjeç, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën në spital.
Martesa problematike
Të afërmit e familjes Elmazi prisnin dje ngushëllime në banesën në afërsi të shkollës “Bajram Curri”, në Allias të Tiranës. Familja Elmazi ishte vendosur në atë banesë vetëm disa ditë më parë kundrejt një qiraje mujore. Nuk kishin kaluar katër ditë qëkur djali i Anife Elmazit, tashmë e vdekur dhe Fatmir Elmazit, i plagosur rëndë, kishte çuar në shtëpi një vajzë. Ai kishte thënë se ajo ishte nusja e tij me të cilën do të kalonte jetën. Dhe familja ka pranuar vullnetin e të rinjve për të lidhur jetën së bashku. Por jo gjithçka ka shkuar si në vaj te babai i vajzës, shtetasi Ylli Sherifi. Pas largimit të vajzës nga banesa ai ka bërë denoncim në polici. Policia, e cila ka kryer kërkime për vajzën, e ka gjetur atë dhe pasi ka mësuar se ajo kishte shkuar me dëshirë në familjen Elmazi, dy familjet janë thirrur në Komisariatin Nr. 4 dhe, siç thonë të afërmit e Fatmir Elmazit, gjithçka ishte sqaruar. Palët i kishin dhënë dorën njëri-tjetrit dhe kishin rënë dakord me vendimin e dy të rinjve për martesë. Pa kaluar katër ditë nga “pajtimi” në polici, babai i vajzës ka vrarë me armë zjarri nënën e dhëndrit dhe ka plagosur rëndë babanë e tij. Fatmir Elmazi ndodhet në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak, ndërsa gruaja e tij nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra. Policia e kryeqytetit, e cila ka vënë në pranga autorin e krimit, shtetasin Ylli Sherifi, ka ngritur ndaj tij akuzën e vrasjes me paramendim dhe vrasjes me dashje në tentativë në rrethana të cilësuara.

Policia: Vrasja, për martesën e vajzës

Drejtoria e Policisë së Tiranës njoftoi dje arrestimin e shtetasit Ylli Kujtim Sherifi, rreth 40 vjeç, banues në Allias, me akuzën e vrasjes së Anife Elmazit dhe plagosjes rëndë të bashkëshortit të saj dhe një personi tjetër. “Ky shtetas, mbrëmë, rreth orës 22:45, në Allias, pranë shkollës ‘Bajram Curri’, Tiranë, dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri automatik shtetasit: Anife Kadri Elmazi, 44 vjeçe, e cila pas plagëve të marra ka vdekur në spitalin ‘Nënë Tereza’, shtetasin Fatmir Hikimet Elmazi, 49 vjeç, i cili ndodhet në gjendje të rëndë për jetën në spital, dhe shtetasin Ervin Skënder Ademi, 26 vjeç, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën”, tha zëdhënësja e Policisë së Tiranës, Alma Katragjini. Ajo theksoi se për hetimin e kësaj ngjarjeje u ngrit menjëherë një grup i posaçëm hetimor, i cili u mor me procedurat e shoqërimit të dëshmitarëve në vendngjarje, marrjes në pyetje dhe veprimeve të tjera hetimore. “Dyshohet se ngjarja ka ndodhur për shkak të një martese të paaprovuar midis vajzës së autorit dhe djalit të shtetasve Anife dhe Fatmir Elmazi”, tha zëdhënësja e Policisë së kryeqytetit.

“Vajza e vrasësit prishi fejesën për djalin e viktimës”

TIRANE – Në Allias askush nuk e miraton veprimin e kryer nga Ylli Sherifi, i cili vrau krushkën dhe plagosi rëndë krushkun. Banorët e zonës ku ndodhi ngjarja, por edhe të afërm të familjes Elmazi, thonë se vajza e Ylli Sherifit kishte vendosur gjithçka vetë. “Ajo ishte fejuar diku tjetër në Tiranë nga babai i saj muaj më parë dhe e prishi atë fejesë sepse donte djalin e Anifes dhe Fatmir Elmazit. Ka ardhur në këtë shtëpi me dëshirën e saj dhe e padetyruar nga askush, por ç`e do, babai i saj i vrau krushqit në derën e shtëpisë, edhe pse ishte pajtuar me ta në polici pak kohë më parë”, thotë një i afërm teksa rri në portën e shtëpisë duke pritur miqtë që vijnë për ngushëllim. Ngjarja e rëndë ka tërhequr vëmendjen e banorëve të zonës, ndërsa policia arriti të arrestojë autorin pak orë pas krimit. Sipas policisë, shtetasi Ylli Sherifi ra në pranga dhe u sekuestruara arma e krimit.

 

TRAZHGIM SOKOLAJ

© Panorama.al

Te lidhura