Babai i Elenit: Vajzën ma vranë pas shpine, krimi sfidon shtetin

Feb 7, 2012 | 14:48

Shtepia e Eleni Bashos ne Shkoze

Thanas Dodi i bën apel Policisë për zbardhjen e ngjarjes

“Eleni nuk na është ankuar ndonjëherë për probleme me bashkëshortin e saj, Ilian”

Ende nuk e ka marrë veten nga humbja e vajzës, Elenit. As mendon se do ta marrë ndonjëherë. Nëpër kokë i sillen shumë versione pse mund ta kenë vrarë, por asnjëri prej tyre nuk i jep përgjigjen se kush është autori i plumbave. “Jam krejt në ajër. Nuk e besoj dot që më vranë vajzën, nënën e dy fëmijëve. Ma vranë pas shpine, si burracakë. Një krim i ulët dhe i poshtër, që nuk ka ndodhur as në kohët kur Shqipëria funksiononte me kanun. Një krim që sfidon shtetin dhe ligjet e tij”, thotë për gazetën “Panorama” Thanas Dodi, babai i Eleni Bashos, 36-vjeçares që u ekzekutua me 3 plumba mbrëmjen e së enjtes, pak metra para se të hynte në shtëpinë e saj, në Shkozë të Tiranës. Si prind “i djegur”, ai ngre zërin sa herë i kujton se ngjarja makabre ka mbetur ende pa autor, e ul volumin dhe rezervohet në dyshime për dhëndrin e tij, Ilia, ndërsa hesht komplet kur e pyet për dy fëmijët që Eleni la pas. Për dy jetimët, 15-vjeçarin Thanas (ka trashëguar emrin e gjyshit) dhe 11-vjeçaren Athina, Thanas Dodi duket se nuk gjen më fjalë. Por para se të heshtë, ne kemi biseduar gjatë…
Ngushëllime për vajzën. Si po e përballoni humbjen e saj?
Nuk është një humbje që përballohet, vetëm pranohet. Humbja e fëmijës është fatkeqësia më e madhe që mund t’i ndodhë një prindi. Më dhemb në shpirt që e vranë, por edhe për mënyrën si e vranë.
Cilën mënyrë?
E vranë me plumba pas shpine. E vranë si burracakë, si ordinerë. Një krim i ulët dhe i poshtër, që nuk ka ndodhur as në kohët kur Shqipëria funksiononte me kanun. Kurrë nuk është dëgjuar më parë për gravrasje të tillë. Ky krim i shëmtuar përbën një sfidë për shtetin dhe ligjet e tij, para se ndonjë grua tjetër të ketë fatin e zi të Elenit. Para se fëmijë të tjerë të mbeten jetimë. Pasiguria ka arritur kulmin. Kriminelët, me këto lloj ekzekutimesh japin mesazhe se ata janë mbi ligjin. Dhe në rast se vrasësi i Elenit nuk gjendet, atëherë vërtet është mbi ligjin.
A e dini arsyen pse e vranë vajzën tuaj?
Jam si në ajër. Mendoj lloj-lloj versionesh, por janë fantazi kot. E vërteta është se nuk ia kam idenë pse e kanë vrarë dhe për më tepër në atë lloj mënyre, pas shpine. Nuk e heq dot nga mendja këtë. Nga nuk më shkon mendja…
Ju shkon edhe te bashkëshorti i Elenit, Ilia?
Unë nuk e kam akuzuar në asnjë moment Ilian për vrasjen e Elenit dhe as po e akuzoj. Normalisht, e kam pyetur se çfarë mund të dijë rreth ngjarjes, ndonjë gjë më tepër nga ne, duke qenë se ata ishin burrë e grua dhe më ka thënë që edhe ai është si ne. Pra, nuk di asgjë tjetër përveç faktit që i kanë vrarë gruan.
Dhe ju e besoni këtë?
Unë do të besoj atë që thotë Ilia, për sa kohë policia nuk ka prova që ai është autori i vrasjes. Është shumë lehtë që të akuzosh një person, aq më tepër në rrethanat e tij, duke qenë se nuk po gjenden elementë për zbardhjen e krimit. Unë humba vajzën, ai humbi gruan e tij dhe nënën e dy fëmijëve. T’i them unë sot që “ti ma ke vrarë vajzën”, por çfarë t’i them pastaj nesër, pasnesër kur policia të gjejë autorin e vërtetë?! A do të ma pranonte ai ndjesën time? A do të pranonte ai që të shihja nipin e mbesën, babain e të cilëve e akuzova si vrasës. Jo, nuk dua të nxitohem dhe preferoj që t’i besoj. Nuk mundem dot të dyshoj te Ilia.
Ju mbase jo, por policia ka rezervat e saj ndaj Ilias. E ka radhitur në listën e të dyshuarve kryesorë?
Policia atë punë ka, të hapë pista hetimi dhe t’i verifikojë. Ama nuk më vjen aspak mirë që këto ditë është spekuluar kaq shumë. Jo çdo dyshim është fakt. Është e drejta e policisë për të dyshuar te Ilia, por jo e drejta ime për të njollosur dhëndrin pa fakte. Policia ka hapur disa pista hetimi dhe prej tyre vetëm njëra është e duhura, sepse vetë e vërteta është një. E zëmë kemi një numër prej 10 të dyshuarish nga ana e policisë, por ama vetëm një është autori. Dhe kur bën llogaritë 1 me 10, është pak e vështirë të gjesh vrasësin me hamendësime. Siç duket, Ilia është në listën kryesore të të dyshuarve të policisë, sepse është kryesori edhe në familje, por kjo nuk e bën atë vrasës.
Po te ndonjë person tjetër, dyshoni? Sado i largët qoftë dyshimi…
Nuk fantazoj dot për asnjeri. Kjo për shkakun se nuk di që vajza ime të ketë pasur probleme me ndokënd. Po ashtu, edhe për dhëndrin, Ilian. Ne jetojmë ngjitur dhe nuk na kanë sjellë telashe asnjëherë. As tani, e as më parë. Ne jemi vetëm në pritje të policisë, organeve të hetimit dhe çdo institucioni tjetër që po merret me këtë ngjarje, që të zbardhë të vërtetën. Me këtë rast, nëpërmjet gazetës suaj i bëjmë apel drejtësisë, shtetit, por edhe organizatave të grave që të gjejnë autorin e vrasjes së Elenit.
Si kanë qenë ndër vite marrëdhëniet e vajzës suaj me Ilian?
Unë nuk ua di çdo muhabet të brendshëm, pasi normalisht nuk ka çift që tregon gjërat më intime. Megjithatë, që të jem krejt i sinqertë, di të them që as unë dhe as bashkëshortja ime nuk kemi marrë asnjëherë ndonjë ankesë nga Eleni lidhur me sjelljen e Ilias. Po ashtu, me sa i kemi vënë re, kanë qenë të përkushtuar ndaj njëri-tjetrit dhe shumë të lidhur me familjen dhe shtëpinë.
Po kohët e fundit?
E njëjta situatë. Madje kishin avancuar edhe në planet e tyre për të hapur biznesin më vete. Dilnin që të dy në mëngjes për ndonjë porosi dhe ktheheshin pasdite vonë, pas pune. Nuk ndodhte që në darkë të mos ishin në shtëpi, pranë fëmijëve. Në rast se kishin diçka që nuk shkonte, besoj se do ta kishim marrë vesh. Shtëpitë janë ngjitur…
Nga jashtë duket vilë e bukur shtëpia e vajzës suaj. Janë hedhur dyshime edhe për burimin e parave me të cilat është ndërtuar shtëpia e dhëndrit tuaj, duke aluduar se merrej me trafik droge?
Këto ditë janë thënë e shkruar shumë gjëra dhe drejt të them, jam indinjuar shumë. Eleni dhe Ilia kanë punuar prej më shumë se dy dekadash për të pasur këtë shtëpi që bie në sy nga jashtë dhe të mobiluar shumë thjesht nga brenda. Si kjo kanë më shumë se sa gjysma e Tiranës, madje shumë më të bukura, krejt luksoze dhe kjo nuk i bën 200-300 mijë veta trafikantë droge. Vajza dhe dhëndri kanë punuar në Greqi që nga viti 1991. Nga viti 2000 e këtej po ashtu kanë punuar me firmën e tyre të pajisjeve dentare. Pas 20 vitesh lodhje, mund, djersë, më thoni ju tani, a është mëkat të kesh një shtëpi, madje të papërfunduar akoma, në periferi të Tiranës. Dhe jo ajo periferia luksoze e Tiranës, por këtu në fund të dynjasë, në vendin më pak të preferuar, në Shkozë. Kur jemi vendosur ne këtu, ishin pak shtëpi dhe nuk kishte shumë banorë. Vetëm 2-3 vitet e fundit ka filluar të popullohet zona dhe sërish vijnë me numërim. Ju siguroj që shtëpia e vajzës sime është ngritur me djersët e ballit.
Shpesh krimet mbesin pa autor. Natën e vrasjes së Elenit ndërroi jetë edhe një femër tjetër, Megi 25-vjeçare. Edhe atë nuk dihet se kush e qëlloi. Besoni se do të gjendet vrasësi i Elenit?
Dëgjova për atë vajzë, edhe pse nuk kam shumë informacione. Shpreh ngushëllim për familjarët e saj dhe unë ua di dhimbjen më mirë se askush tjetër në këto momente. Por të paktën prindërit e saj e dinë që “atë e mori plumbi”. Pra, ishte rastësisht dhe e deshi Perëndia pranë dhe e mori. Ndërsa në rastin e Elenit, nuk mund të flemë pa e ditur se çfarë i ndodhi. E kuptoni që ky është ankth më vete? Është frikë dhe pasiguri për ne!
Për çfarë frikësoheni?
Sepse ku ta dimë ne se ai që ka vrarë Elenin nuk vjen nesër a pasnesër dhe të na ekzekutojë edhe ne. Të na vrasë pas shpine apo të na hedhë bomba në oborr. Nëse ka diçka më shumë që ne nuk e dimë, atëherë jemi të pasigurt si ne, ashtu edhe fëmijët. Nëse është grabitje, sërish qëndron pasiguria, por është e të gjithëve. Ndërsa nëse është ngatërrim personi, atëherë do të pranojmë fatin e keq të vajzës sonë. Për çdo rast, cilado qoftë e vërteta, le të dalë. Edhe nëse do të kishte diçka që nuk do të na pëlqente neve si prindër. Jam gati të pranoj të vërtetën ashtu siç është.
Po në rast se nuk do të gjendet autori, çfarë do të bëni?
Për momentin po u besoj institucioneve shqiptare. Nuk dua t’i paragjykoj në punën e tyre dhe e di se për shkak të rrethanave ku mungojnë dëshmitarët, është e vështirë që të gjendet autori. Megjithatë, unë nuk do ta lë me kaq. Do të shkoj deri në instancat më të larta kombëtare e ndërkombëtare, deri sa të gjej emrin e vrasësit. E atij gravrasësi!

Vëllai i Elenit, Vasili: E kemi pyetur Ilian për konfliktet
Kunati i Ilia Bashos kërkon vrasësin nga ekspertët e hetimit

Si babai, edhe djali. Vasil Dodi, vëllai i Eleni Bashos, është gjithashtu pa ndonjë ide se kush mund t’ia ketë marrë jetën së motrës. Edhe pse është i pari prej familjarëve që ka gjetur trupin e pajetë të Elenit dhe e ka transportuar atë drejt spitalit me shpresën se është ende gjallë, ai nuk ka parë autorët e masakrës dhe as dyshon në ndonjë person konkret. “Cilindo prej ne familjarëve, sado që të pyesni, nuk kemi as dijeninë më të vogël lidhur me autorët e vrasjes. Pse, nuk duam ne që të ndihmojmë me informacione dhe të kapen kriminelët?! Pas humbjes së Elenit, tashmë kjo është dëshira jonë më e madhe, por vetë ne nuk e plotësojmë dot. Shpresojmë që policia të ketë punuar me çështjen dhe të na tregojë në ditët e ardhshme se si është e vërteta. Kush ma vrau motrën dhe pse?”, thotë ai për gazetën “Panorama”. Si zyrtar pranë Ministrisë së Punëve dhe Çështjeve Sociale, Vasil Dodi, i mirinformuar me ligjet, duket se i di mirë procedurat e hetimit, teksa thekson se ai ende nuk është marrë në pyetje dhe se është në pritje të këtij procesi. “Nuk është se di ndonjë gjë, por të paktën të mësoj diçka më shumë”, shton ai. Vasili është vëllai i vetëm i dy motrave, Mirelës që jeton në Greqi dhe Elenit, që u ekzekutua mbrëmjen e së enjtes. Ai ka qenë shumë i lidhur me Elenin, duke qenë se edhe shtëpitë i kanë ndërtuar bashkë në periferi të Shkozës. Sa u përket marrëdhënieve me bashkëshortin e Elenit (Ilian), Vasili mbështet deklaratat e babait të tij, Thanasit. “Nuk kam akuza për Ilian. Fakti që ne kërkojmë të gjenden autorët e vrasjes nuk ka të bëjë me idenë se ne dyshojmë te ai. Edhe pyetjet që i kemi bërë ne vetë Ilias, nuk kanë qenë me bindjen se e ka vrarë ai me dorën e tij. I kemi kërkuar që të dimë nëse ata si familje kanë pasur ndonjë konflikt, që ne të afërmit nuk e kemi mësuar më parë. Pra, i kemi kërkuar bashkëpunim për të gjetur sa më shpejt autorët. Megjithatë, ashtu si ne, edhe Ilia nuk di asgjë. Tashmë shpresa e të gjithëve është te ekspertët e hetimit”, thotë vëllai i Elenit, ndërsa konfirmon telefonatat e Ilias drejt numrit të tij, gjatë kohës që vetë ai po asistonte pranë mjekëve që po përpiqeshin më kot t’i rikthenin të motrën në jetë. Me mbërritjen e Ilias pranë urgjencës, ata kanë ndenjur pak minuta bashkë, duke qenë se kanë ardhur forcat e rendit për t’i marrë paraprakisht në pyetje. Vasili është kthyer më shpejt në shtëpi, ndërsa Ilia ka qëndruar për 3-4 orë me policinë. Më pas, janë bashkuar që të dy në shtëpitë që kanë ngjitur me njëri-tjetrin në Shkozë, për t’u nisur të nesërmen, të premten, në orën 05:00 të mëngjesit drejt fshatit Andon Poçi, ku edhe është varrosur Eleni. Pas ceremonisë mortore, Vasili është kthyer menjëherë drejt Tiranës, ndërsa Ilia ka ndenjur atje pa i mbushur dy net. Mbrëmjen e vonë të së shtunës, ai është lajmëruar prej ekspertëve të hetimit që të kthehej me urgjencë në Tiranë, pasi duhej ta merrnin në pyetje sërish.

Dëshmojnë shoqet e Eleni Bashos

Yllka Shehaj dëshmon për disa orë në polici: 36-vjeçarja ishte tek unë para vrasjes

Vrasja e laborantes, kolegia: Më tha se do divorcohej
Dy laborante dentare, kolege e njëkohësisht mikesha të Eleni Bashos, gruas që u vra mbrëmjen e së enjtes, u morën në pyetje për disa orë rresht në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Në deklarimet e tyre, sipas Policisë, koleget e viktimës kanë hedhur dyshime për një krisje të marrëdhënies bashkëshortore të laborantes 36-vjeçare me bashkëshortin e saj Ilia Basho. Sipas vajzës së parë që është marrë në pyetje dje nga grupi hetimor, e cila është mikeshë e Bashos, e

Ilia Basho, i shoqi i laborantes Eleni Basho

njëkohësisht punon në laboratorin e saj tek Rruga e Kavajës, nëna e dy fëmijëve i kishte shprehur se në marrëdhëniet me të shoqin ishin shfaqur probleme. Burime nga grupi hetimor thanë se mikesha e Eleni Bashos ka deklaruar gjithashtu se viktima prej disa muajsh kishte pasur dyshime për një lidhje jashtëmartesore të të shoqit. Për këtë arsye, marrëdhëniet mes tyre ishin ftohur dhe konfliktet në çift ishin të vazhdueshme. Këto konflikte që ata kishin me njëri-tjetrin, sipas laborantes së marrë në pyetje, kishin shtyrë çiftin Basho që të hiqte dorë nga ortakëria në kompaninë e produkteve dentare, në mënyrë që të ndanin pasurinë që do të përfitonin. Sipas dëshmitareve, Eleni i është shprehur mikeshës së saj se nga frika e një divorci të mundshëm, i kishte kërkuar të shoqit që edhe shtëpinë ta regjistronin në emër të saj. Vajza ka thënë dje në polici se ky ishte shqetësimi i vetëm që Eleni Basho kishte 3 muajt e fundit, të cilin ia kishte shprehur asaj në mirëbesim vetëm dy javë para se të vritej pranë shtëpisë së vet në Shkozë. Dyshimet për një lidhje jashtëmartesore të Ilia Bashos, grupi hetimor i kishte ngritur edhe më parë, nga disa dëshmitarë që kishin parë në fillim të muajit nëntor të vitit të kaluar një zënkë të Eleni Bashos me një femër tjetër. Thëniet e dëshmitares në fjalë pritet të verifikohen tashmë nga policia.
DESHMIA E LABORANTES
Në vazhdim të mbledhjes së dëshmive në lidhje me vrasjen e shtetases 36-vjeçare Eleni Basho, policia ka marrë dje në pyetje një tjetër kolege të viktimës. Mbrëmë, deri në orët e vona, në Drejtorinë e Policisë së Tiranës ndodhej duke dhënë dëshminë e saj edhe laborantja që takoi Eleni Bashon, vetëm pak minuta se ajo të vritej mbrëmjen e së enjtes në Shkozë. Laborantja Yllka Shehaj ka deklaruar në polici se e njihte çiftin Basho, pasi ajo furnizohej me materiale dentare në kompaninë ku ata ishin bashkëpronarë deri disa muaj më parë. Madje ajo ka treguar se edhe natën që Eleni Basho u ekzekutua; 36-vjeçarja kishte shkuar tek laboratori i saj, në Shkozë, që t’i dërgonte një porosi (pasta dhëmbësh), për të cilat Shehaj e kishte porositur. Pasi ka qëndruar tek laboratori i Yllka Shehajt për disa minuta, Eleni Basho është nisur për në shtëpi, ku edhe është vrarë me tre plumba pas shpine, vetëm disa metra larg shtëpisë së saj.

Tabulatet
Pas vrasjes së shtetases Eleni Basho, grupi i hetimit menjëherë kërkoi tabulatet e bisedave telefonike dhe mesazheve të saj. Kërkesa e grupit të hetimit për këtë informacion u bë me qëllim verifikimin e ndonjë konflikti apo marrëdhënie problematike që 36-vjeçarja mund të kishte pasur para vrasjes. Burime zyrtare nga grupi i hetimit kanë thënë dje se nga verifikimi paraprak që u është bërë tabulateve dhe listës së SMS-ve e telefonatave, nuk është gjetur asgjë e dyshimtë që do të orientonte ndonjë pistë hetimi në lidhje me vrasjen e 36-vjeçares.

Pasuria
Viktima e vrasjes së ndodhur të enjten në Shkozë të Tiranës, Eleni Basho, kishte hedhur në emër të saj aksionet e pronësisë në kompaninë e tregtimit të produkteve dentare. Emri i saj ishte vendosur që në vitet 2003-2004, kur bashkëshorti i saj, Ilia Basho, punonte në organet tatimore. Për të shmangur konfliktin e interesit, ai nuk kishte vënë emrin e tij në këto biznese, por kishte vendosur emrin e gruas së tij Eleni Basho, e cila ishte përfaqësuese ligjore e biznesit të familjes në fushën e tregtimit të pajisjeve dentare.

Hetohet për grabitje e vrasje për motive të dobëta
Hetimi, Eleni Bashon mund ta kenë ndjekur para vrasjes
TIRANE – Laborantja dentare, Eleni Basho, ishte duke u kthyer në banesën e saj të enjten e javës që shkoi, në momentin kur u qëllua me tre plumba duke gjetur vdekjen. Para vrasjes, ajo kishte qenë tek kolegia e saj, shtetasja Yllka Sehhaj. Sipas hetimeve të zhvilluara nga Prokuroria, është mësuar se pasi ka dalë nga banesa e Shehajt, Eleni Basho është kthyer me autobus për në banesën e saj, në zonën e Shkozës në Tiranë. Vrasja ka ndodhur pak minuta pasi Eleni Basho kishte zbritur nga autobusi, në kohën kur ajo po ecte në këmbë në drejtim të banesës së saj. Organi i akuzës dyshon se autorët mund ta kenë ndjekur viktimën që nga autobusi dhe më pas kanë zgjedhur vendin e përshtatshëm për të shtënë me armë në rrugicë në kohën kur kishte rënë errësira, në mënyrë që të mos identifikoheshin. Në lidhje me pistat e hetimit, Prokuroria theksoi se është duke ndjekur provat në lidhje me një tentativë grabitjeje të mundshme, ndërsa po verifikohen edhe motivet e dobëta në lidhje me këtë çështje. Organi i akuzës theksoi se nuk ka prova për motive të dobëta, megjithatë edhe një version i tillë është në hetim.

Bie “biznesi”
Burimet zyrtare nga hetimi i çështjes së vrasjes së Eleni Bashos kanë thënë dje se pista e kryerjes së krimit për shkak të mosmarrëveshjeve të biznesit thuajse ka rënë. Sipas hetimeve, mësohet se shtetasja Eleni Basho ishte bashkaksionere në kompaninë “Nova Dental Albania”, ndërsa së fundi kishte vendosur t’i shiste aksionet e saj për një shumë rreth 100 mijë euro tek ortaku i deritanishëm. Sipas Prokurorisë, ishte rënë dakord që pagesa të bëhej me këste dhe kështu kishte ndodhur. Palët kanë njohur detyrimet e tyre dhe nuk kanë pasur asnjë mosmarrëveshje apo pretendim në lidhje me transferimin e pronësisë së aksioneve.

ELISABETA ILNICA & ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura