Babai i Canës: Kam frikë nga trazirat

Jun 7, 2011 | 11:39

Agim Cana, babai i futbollistit, u druhet trazirave sot në mbrëmje në Zenicë. Nuk e thotë këtë sepse është prindi i një prej futbollistëve që do të zbresë sot në mbrëmje në fushë, por ngaqë e njeh mirë stadiumin dhe e di mirë se çfarë atmosfere krijohet në Zenicë, në një ndeshje që konsiderohen nga vendësit si sfida për “jetë a vdekje”. Agim Cana ka luajtur në këtë stadium edhe para 26 viteve, kur ishte futbollist i Dinamos së Zagrebit. “Druaj se kjo ndeshje nuk do të përfundojë si duhet. Madje, druaj edhe nëse do mund të përfundojë. Kam frikë nga incidentet e tifozëve”, – thotë për “Panorama Sport” Cana.
Precedenti
“26 vite më parë, kur Bosnja ishte pjesë e ish-Jugosllavisë, Dinamo e Zagrebit luajti një ndeshje kundër një skuadre turke të vlefshme për Kupat e Europës, – tregon Agimi. – Jugosllavët e dinin shumë mirë se çfarë stadiumi ishte dhe çfarë tifozësh kishte, ndaj për këtë arsye zgjodhi këtë stadium. Ndeshja nuk përfundoi, edhe pse ne ishim në avantazh, për shkak të sjelljeve të tifozëve”.
Situata
Atmosfera në pamje të parë ka qenë fare e qetë në Bosnjë, por Agim Cana thotë se kështu ndodh gjithnjë. “Me sa po shoh unë, situata nuk ka ndryshuar, është po i njëjti ambient, po i njëjti mentalitet. Unë kam frikë se nëse ne i ndalim boshnjakët, apo më keq akoma i mundim ata në fushën e tyre, situata mund të precipitojë keq dhe ndeshja nuk mund të mbyllet. Media e ka fryrë shumë situatën dhe pas humbjes me Rumaninë janë bërë si bisha të tërbuara”.

© Panorama.al

Te lidhura