Ilia Guma: Biseda me Janullatos për heqjen e bustit të djalit nga kisha

May 21, 2012 | 11:55

Ilia Guma

Flet Ilia Guma, babai i Aristotelit, që u vra në Himarë.

“Të rihapen hetimet për vdekjen e djalit. Nuk u njoftova kurrë për gjyqet”

“Nuk e deshën të gjallë Aristotelin dhe e hoqën qafe. Tani, edhe të vdekur nuk po ma lënë të qetë tim bir, ndërsa vrasësi i tij u dënua sikur t’i kishte marrë jetën një zogu”.
Me këto fjalë Ilia Guma, babai i të ndjerit Aristotel Guma, kërkon rihapjen e hetimeve për tragjedinë e 12 gushtit 2010 dhe dënim maksimal me burg për autorin. Ngjarja ndodhi në Himarë, ku Aristoteli dhe disa të rinj vlonjatë u konfliktuan në mes të rrugës. Në sherr e sipër, njëri nga këta të rinj, Ilir Mukaj, e përplasi me makinë Aristotelin. Një aksident që për familjarët Guma dhe minoritarët e Himarës konsiderohet si “i qëllimshëm”, ndërsa nga drejtësia shqiptare është vulosur si “aksidental”. Një vit më pas, në përvjetorin e vdekjes së Aristotelit, atij iu soll një bust nga Greqia, nën kujdesin dhe pjesëmarrjen e disa politikanëve të njohur helenë, si dhe përfaqësuesve më të lartë të kishave ortodokse në Shqipëri e më gjerë. Statuja shtatlartë dhe e derdhur në bronz u vendos me ceremonial të madh në oborrin e kishës së “Gjithë Shenjtorëve” në Himarë-Fshat, por brenda pak orëve nisi debati për ta hequr. Nga njëra anë, Bashkia e Himarës nuk kishte miratuar leje zyrtare për lartësimin e monumentit. Nga ana tjetër, mitropoliti i Gjirokastrës ishte kundër vendosjes së një objekti brenda ambienteve të kishës, në rast se ai nuk përbën “shenjtëri”. Por euforia e disa shoqatave minoritare në Himarë dhe lobingu i politikanëve grekë bënë që përfundimisht busti i Aristotelit të qëndronte në oborrin e kishës. Derisa… Në fund të marsit, 8 muaj pas ceremonisë, busti u hoq! Në vend të statujës gjigande, tashmë është mbjellë një shkurre – bimë dekoruese e vogël, që nuk merret vesh mirë se ç’lloj është. Pas gjithë kësaj historie, babai i Aristotelit, Ilia Guma, ndihet i lodhur, por i fuqishëm në akuzat e tij që vijnë përmes kësaj interviste për gazetën “Panorama”…
Ende pa u mbushur një vit nga vendosja e bustit të Aristotelit në oborrin e kishës së “Gjithë Shenjtorëve”, ai u hoq. Pse?
Ishte një lodhje nervash e gjatë. Pas vendosjes së bustit na erdhi në shtëpi një prift nga Gjirokastra dhe na kërkoi që ta hiqnim nga oborri i kishës. Sipas tij, kisha ka rregullat dhe shkrimet e saj të shenjta, se kur një njeri mund të varroset brenda ambienteve apo t’i vendoset busti. Prifti më tha që nuk ishte e arsyeshme që statuja e Aristotelit të qëndronte aty dhe më kërkoi që ta hiqnim.
Mos ishte Mitropoliti i Gjirokastrës ai që ua sugjeroi, pasi ai ka qenë kundër që nga fillimi për vendosjen e bustit?

Vendosja e bustit të Aristotelit, tetë muaj më parë në oborrin e kishës në Himarë-Fshat

Jo, jo, nuk ishte ai vetë. Nuk ia mbaj mend emrin si e kishte prifti, por normalisht ishte i dërguar nga mitropoliti i Gjirokastrës. Kur më kërkoi që ta hiqnim bustin, unë i thashë: “E di ç’keni? A dëshironi që ta merrni fare bustin dhe ta dërgoni andej nga e sollët? Mua më ka vdekur djali, ndërsa ju ju pengon busti i tij në oborrin e kishës. Nëse ju pengon kaq shumë, kthejeni mbrapsht në Greqi statujën”. Drejt të them, nuk e kuptoj pse u bë kaq e madhe vendosja e bustit. Shoqëria shqiptare dhe gjithkush tjetër duhet të merren me vënien e drejtësisë në vend, pasi krimineli i tim biri mori dënim sikur të ishte gjuetar zogjsh pa leje dhe jo vrasës njeriu. Nuk është nevoja të hapim debate kot.
Po ju, a ishit dakord për vendosjen e bustit brenda oborrit të kishës?
Unë ua kam thënë që nga fillimi. Nëse dëshironi që të vendosni bustin gjëkund, merreni më parë leje nga Bashkia. Kur ata e kishin sjellë dhe dëshironin që ta ekspozonin bustin, pa marrë firmën e Këshillit Bashkiak.
Kujt ia keni thënë këto fjalë? Cilët janë “ata”?
Drejt të them, unë nuk i mbaj mend emrat. Më kujtohet vetëm se atëherë më telefonuan nga Athina dhe më thanë që po ndërtonin një bust për Aristotelin tim dhe, me rastin e përvjetorit të parë të vdekjes, do ta vendosnin në kishë. Pastaj më thanë edhe nga shoqatat minoritare këtu në Himarë. Iniciativa ka qenë e gjitha nga Greqia. Ata e vendosën, ndërsa më pas prifti i Gjirokastrës më erdhi në shtëpi dhe më tha që ta largoja që andej.
Dhe a ratë dakord?
Po nuk është se më interesonte busti, unë kam varrin e djalit, ku ka eshtrat. Pas bisedës me priftin e Gjirokastrës, kërkova të komunikoj me kreun e Kishës Ortodokse, Anastas Janullatos. Hirësisë i pata shkruar edhe një letër më parë. Folëm përmes telefonit dhe e pyeta se çfarë mund të më sugjeronte lidhur me bustin e Aristotelit. Ai më propozoi që të merrnim bustin dhe ta çonim aty ku është varri. Ia dëgjova fjalën dhe ashtu bëmë. Tani kjo është histori e mbyllur. Është tjetër histori ajo që duhet hapur.
Çfarë historie duhet hapur?

Në vend të bustit është mbjellë kjo shkurre, bimë zbukuruese që nuk i kuptohet lloji

Gjyqet për dënimin e vrasësit së djalit tim janë zhvilluar të gjitha pa dijeninë time. Nuk jam informuar asnjëherë. Edhe vendimin përfundimtar që kishte marrë Gjykata e Vlorës, vendimin e turpshëm dhe krejt absurd që kishte dënuar vetëm me 8 vjet vrasësin, e kam marrë vesh një muaj me vonesë.
Nuk kishit avokat?
Kisha avokat dhe vijoj ta kem. Por edhe ai më thotë që nuk është lajmëruar. Dënimi është dhënë më datën 12.05.2011 pa praninë e avokatit, pa praninë e asnjë familjari, pa dijeninë e askujt përveç gjyqtarit dhe familjes së vrasësit. Kishin kaluar 4 javë kur më thanë.
Atëherë kush jua komunikoi vendimin e gjykatës?
Më mori në telefon kryetari i shoqatës OMONIA, Vasil Bollano, dhe më tregoi. Ai kujtonte se ne e dinim dhe po pyeste se kur do ta çonim çështjen në Gjykatën e Apelit për ta kundërshtuar. Por kur e morëm vesh ne këtë, afati prej 10 ditësh për ta apeluar kishte marrë fund. Nuk e dimë të saktë, por kemi dëgjuar madje edhe se e kanë liruar vrasësin. Megjithatë, po e verifikojmë.
Duket e pabesueshme që të mos ketë qenë në dijeni edhe avokati…  Mos ju ka gënjyer ai?
Jo, jo. Nuk më ka gënjyer. Ai u çudit më shumë se unë dhe u bë keq. Më pas kemi shkruar së bashku disa letra dhe ua kemi dërguar Presidentit Topi, Kryeministrit Berisha, Aambasadës Greke, Ambasadës së SHBA-së, OSBE-së, kryeprokurores Ina Rama etj. Në këto letra shpjeguam situatën dhe mënyrën e marrjes së vendimit. Kërkuam rihapjen e dënimit dhe zhvillimin e një procesi të drejtë dhe të ndershëm për vrasësin e tim biri. Kërkojmë që ai të marrë dënimin maksimal. Ai e vrau me dashje Aristotelin dhe këtë e ka pohuar me gojën e tij. Mbajeni mend, në rast se nuk jepet shembull që ka drejtësi për Aristotelin, në Himarë do të përsëriten tragjedi të tilla.
Pse e gjykoni kështu?
Hapni sytë dhe shikoni si janë acaruar marrëdhëniet midis minoritarëve grekë këtu dhe shqiptarëve. Edhe verën e kaluar pati rrezik që të shpërthenin konflikte mes të rinjve. Duhet të jepet shembull nga Drejtësia shqiptare, që jeta e çdo njeriu vlen njësoj, pavarësisht kombësisë, shtetësisë, fesë apo çdo gjë tjetër. Ndërkaq, edhe disa parti politike shqiptare të mos nxisin konflikte etnike, por t’i qetësojnë ato.
Për kë e keni fjalën?
E drejta ime që të mos ua them emrat, por e kam fjalën për ata që mbështillen me copa kuq e zi. Nuk më pëlqen që politika shqiptare po përdor rininë, siç përdori vdekjen e Aristotelit.
E njëjta gjë thuhet edhe për minoritetin grek në Himarë, sikur po përdoreni nga politika greke…
Nga ne, minoranca, ardhka rreziku…? Po flas për veten që nuk jam përdorur asnjëherë.
Po nga kisha jeni përdorur?
A nuk isha unë ai që fola troç gjatë intervistës?! Shpreha rezervat, por edhe i dhashë meritat gjithsecilit. Të paktën mos e ngatërroni kishën në këtë mes, sepse ato janë faktorë uniteti, bashkimi dhe jo faktorë përçarjeje.

Nga e derguara jone ne Himare, ELISABETA ILNICA

© Panorama.al

Te lidhura