
Një konflikt për gërvishtjen e dy makinave është bërë shkak për vrasjen e një 49-vjeçari në Tiranë pasditen e djeshme.Viktima Abdulla Vrapi ka shmangur vrasjen e djalit të tij 23-vjeçar dhe është qëlluar me 5 plumba pistolete. Ai ka hyrë në mes autorit dhe djalit të tij, Albert Vrapit dhe ka mbetur vetë viktimë e ngjarjes, duke penguar plumbat që ishin drejtuar për tek djali i tij. Ngjarja ndodhi rreth orës 16:30, në vendin e njohur si “Depot e Ujit”, mes Qytetit Studenti dhe Senatoriumit, në Tiranë. Pas një përleshjeje fizike ku janë përdorur shkopinj bejsbolli dhe zinxhirë hekuri, konflikti është mbyllur me përdorimin e armëve të zjarrit, ku ka mbetur i vrarë 49-vjeçari Abdulla Vrapi. Forcat e policisë së Komisariatit Nr.1 kanë arritur të identifikojnë dhe të arrestojnë brenda 15 minutave autorin e dyshuar të krimit. Sipas burimeve nga policia, ai është 27-vjeçari Indrit Tresa, nga fshati Baldushk i Tiranës. Policia tha se i dyshuari për krimin administron një prej linjave të autobusëve të Baldushkut dhe gjithashtu ka në pronësi një hotel pranë Saukut. Burimet nga vendi i ngjarjes thanë se Indrit Tresa ka qenë i shoqëruar edhe nga tre miq të tij në momentin kur ka ndodhur ngjarja. Ai fillimisht është zbuluar nga policia nëpërmjet makinës tip “Passat”, me xhama të thyer nga përleshja tek vendi i ngjarjes. Sipas burimeve nga policia, autori dhe tre miqtë e tij janë gjetur në hotelin e të dyshuarit, para të cilit është gjetur e parkuar edhe makina që ishte përdorur në vrasje. Hetuesit thanë se konflikti që dje u mbyll me vrasje, ka nisur katër muaj më parë mes djalit të viktimës dhe autorit, pas një aksidenti, ku ishin përfshirë autobusi i Tresës dhe makina e Vrapit
VRASJA
Rreth orës 16:00, Indrit Tresa, bashkë me tre miqtë e tij kanë shkuar pranë shtëpisë së viktimës, me një makinë tip “Passat”, me ngjyrë jeshile dhe targa të huaja. Aty ka dalë Albert Vrapi, djali i viktimës me të cilin autori i vrasjes ka nisur të debatojë dhe ka lëshuar fyerje ndaj tij. Sherri është parë nga Abudlla Vrapi dhe i vëllai që banon aty afër, të cilët kanë nxituar të shmangin zënkën mes të rinjve. Ndërsa në këtë moment Albert Vrapi, djali i viktimës, ka nxjerrë nga bagazhi i makinës një shkop bejsbolli dhe ka goditur xhamin e përparmë të mjetit të autorit. I dyshuari dhe tre personat që ndodheshin në makinë kanë zbritur në tokë dhe kanë nisur të godasin me zinxhirë 23-vjeçarin Vrapi. Mes të rinjve janë futur babai i të riut, Abdulla Vrapi dhe xhaxhai i tij, duke dashur të ndërprisnin sherrin. Konflikti fizik ka vazhduar për disa minuta përgjatë rrugës, rreth 50 metra dhe të gjithë protagonistët kanë pësuar plagë nga shkopinjtë dhe zinxhirët, duke e gjakosur asfaltin. Në një moment, Indrit Tresa ka nxjerrë nga brezi pistoletën, duke ia drejtuar Albert Vrapit, me të cilin edhe e kishte nisur konfliktin. Sapo ka parë këtë veprim, Abdulla Vrapi ka hyrë në mes të birit dhe autorit, pikërisht në momentin kur arma është shkrepur 5 herë. Të gjithë plumbat kanë goditur 49-vjeçarin, i cili ka mbetur i vdekur në vend. Djali dhe vëllai i viktimës nxituan për të parë nëse Abdullai ishte gjallë apo jo kur autori përfitoi për t’i hipur makinës dhe u largua nga vendi i ngjarjes. Menjëherë pas ngjarjes, të afërmit e viktimës lajmëruan policinë, duke dhënë edhe përshkrimet e nevojshme për autorin. Ai u arrestua brenda një kohe mjaft të shkurtër, teksa fshihej në hotelin e tij, pranë Saukut, në Tiranë.
Aksidenti 4 muaj më parë, shkak i vrasjes
Vrasja e Abdulla Vrapit sipas policisë e ka zanafillën katër muaj më parë, pas një konflikti që djali i tij, Alberti, ka pasur me autorin e krimit, Indrit Tresën, për përplasjen e makinave. Sipas burimeve nga grupi hetimor, para katër muajsh, Tresa ka përplasur me autobus makinën tip “Benz 240”, që drejtonte djali i viktimës. Incidenti ka ndodhur tek Rruga e Elbasanit në afërsi të Saukut dhe fillimisht dy protagonistët kanë debatuar për pagesën e dëmit që ishte shkaktuar nga përplasja. Ky problem vazhdonte të ishte i pazgjidhur deri dje, kur ndodhi vrasja. Sipas dëshmitarëve, që janë fqinj të familjes Vrapi, autori dhe djali i viktimës kishin zënka të vazhdueshme, sa herë që rastisnin të shiheshin në rrugë dhe motivi ishte gjithmonë përplasja e mjeteve. Që pas aksidentit, Indrit Tresa kalonte pothuajse çdo ditë me makina të ndryshme në rrugën pranë lagjes ku banon familja Vrapi, pranë “Depove të ujit”. Madje, dëshmitarët kanë pohuar në polici se i dyshuari ishte bërë mjaft i njohur në zonë kohët e fundit, pasi vazhdimisht pinte kafe tek lokali i lagjes, që ndodhet shumë pranë shtëpisë së viktimës. Në këtë lokal, ai përballej vazhdimisht me djalin e viktimës, të cilin e provokonte duke lëshuar fyerje në drejtim të tij. Dëshmitarët u shprehën në polici se herë të tjera nuk ka pasur konflikt fizik mes tyre, por në shumë raste i dyshuari lëvizte me shpejtësi me makinë dhe xhironte gomat nëpër lagje. Më parë kishte pasur revoltime dhe kërcënime verbale mes autorit dhe djalit të viktimës, por gjithçka ishte zgjidhur me debat në distancë, pa u përleshur fizikisht.
Dëshmitarët: Sherri nisi pas thyerjes së xhamit të makinës
TIRANE – Një sipërfaqe rruge rreth 50 metra e gjatë dhe 20 metra e gjerë ishte e rrethuar pasditen e djeshme me shirita policie si skenë krimi, në vendin e njohur si “Depot e ujit” në Tiranë. Asfalti ishte i përgjakur pothuajse në të gjithë pjesën e rrethuar dhe dëshmitarët që diskutonin me njëri-tjetrin shpreheshin se aty kishte ndodhur “luftë”. Ngjarja ka ndodhur në një zonë mjaft të populluar dhe që fatkeqësisht dje ishte e populluar nga fëmijë dhe adoleshentë, nën moshën 16 vjeç. Të gjithë janë bërë dëshmitarë të asaj skenë “lufte”, siç e quajnë ata. “Autori kishte ndaluar makinën para rrugicës që të çon tek shtëpia e Dullës (kështu e quajnë fëmijët Adbullah Vrapin) dhe në makinë ndodheshin edhe 3 të tjerë. Berti goditi xhamin e parë me shkop bejsbolli dhe ata zbritën si të tërbuar nga makina”, treguan dje fëmijët, që u bënë dëshmitarë të vrasjes. Më pas, ata treguan se mes autorit, 3 miqve të tij dhe djalit të viktimës, babait dhe xhaxhait të tij, nisi një përleshje e ashpër, ku u përdorën shkopinj, zinxhirë e gurë. “Djali që ishte me ‘Passat’-in jeshil nxori nga bagazhi disa zinxhirë të trashë dhe ndiqte Bertin për ta goditur. Ata ecnin dhe godisnin njëri-tjetrin, ndaj gjithë rruga u bë me njolla gjaku. Në një moment, ai djali i ‘Passat’-it nxori një pistoletë duke ia drejtuar Bertit, por aty u fut në mes Dulla dhe u vra”, u shprehën dëshmitarët. Më pas, ata treguan se katër djemtë, mes tyre edhe autori, kishin hipur në makinën tip “Passat” dhe kishin nxituar të largoheshin nga vendi i ngjarjes.
Policia: Autori qëlloi i vetëm
Indrit Tresa ka qenë i shoqëruar me dy miq të tij kur ka vrarës shtetasin Abdulla Vrapi, megjithatë policia ka ngritur akuzë për vrasje vetëm ndaj biznesmenit, pronar i një hoteli dhe menaxher i linjës së autobusëve të Baldushkut. Sipas Policisë, shokët e autorit të dyshuar të ngjarjes kanë qenë të pranishëm në vendin e krimit dhe madje kanë marrë pjesë në përleshje, por nuk kanë qenë bashkautorë apo pjesëmarrës në vrasjen e Abdulla Vrapit.
ETLEVA DELIA
© Panorama.al











