BAKU- Gjatë qëndrimit të tij në Azerbajxhan kryeministri Sali Berisha është takuar me presidentin, Ilham Aliyev. Projektet madhore energjetike kanë qenë në qendër të bisedës mes tyre.
Kreu i qeverisë shqiptare ka ftuar kompaninë shtetërore të gazit dhe naftës Socar të marrë pjesë në privatizimin e Albpetrolit, si dhe në zhvillimin e masterplanit për ngritjen e rrjetit të transmetimit të gazit në Shqipëri.
Ai theksoi se projekti për gazsjellësin Trans-Adriatik, TAP, është projekti me fizibël për transmetimin e gazit azer drejt tregjeve europiane dhe me rëndësi vitale për sigurinë energjetike dhe zhvillimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe Europës.
Me propozim të presidentit Aliyev pritet të ngrihet një komision i përbashkët ndërqeveritar që do të shqyrtojë dhe ndjekë të gjitha iniciativat e bashkëpunimit dypalësh.
Ndërkaq, presidenti Aliyev falenderoi Kryeministrin Berisha për mbështetjen e Shqipërisë ndaj Azerbajxhanit, për postin e anëtarit të Këshillit të Sigurimit.
Më herët, kryeministri Berisha bëri një vizitë në monumentin kushtuar heroit kombëtar të Azerbajxhanit, Hajdar Alijev, ish-president i Republikës së Azerbajxhanit, pas shkëputjes nga ish-Bashkimi Sovjetik, vuri një kurore edhe tek monumenti i Zjarrit të Pashuar, në varrezat e dëshmorëve, si dhe nderoi rreth 150 personat e vrarë brenda një nate nga ushtria sovjetike në vitit 1990, në përpjekje për të shtypur pavarësinë e Azerbajxhanit.
© Panorama.al











