Avramopoulos: Marrëveshja, me kushtet e 2009

Sep 19, 2012 | 15:28

“Çështja  e marrëveshjes së vitit 2009 për delimitimin e zonave detare duhet të zgjidhet duke aplikuar të gjithë kushtet për të cilat jemi pajtuar.” Kështu është shprehur Ministri i Jashtëm i Greqisë, Dimitris Avramopoulos, ndërsa ka raportuar për punën e tij në parlamentin grek.

“Mos harroni se problemi është aty, brenda Shqipërisë, dhe kur them kështu jam duke folur për marrëveshjen e delimitimit të zonës detare. Unë mendoj se është në interesin strategjik të dy vendeve për ta mbyllur këtë çështje në pritje, sa më shpejt të jetë e mundur, si dhe vlerësojmë deklaratat e kohëve të fundit që vijnë nga Tirana.”- është shprehur ai.

Në fjalën e tij, Avramopoulos ka theksuar se Greqia kërkon të ketë marrëdhënie të mira me fqinjët, gjithmonë mbi bazën e respektit reciprok, në respekt të historisë, kulturës dhe dinjitetit të secilit vend, duke pranuar se, kohët e fundit, marrëdhëniet e Greqisë me vendet fqinje kanë rënë, dhe kjo sipas tij, ka të bëjë me krizën ekonomike.

Avramopoulos vlerëson se Greqia, edhe pse të mira, marrëdhëniet me Shqipërinë kanë pësuar një rënie të lehtë.

“Për këtë arsye unë kam ftuar homologun tim për të vizituar Athinën, së shpejti, dhe ai sot ka konfirmuar vizitën e tij. Një faktor i rëndësishëm në këtë përpjekje është sigurisht prania e minoritetit kombëtar grek në Shqipëri, të drejtat e të cilit duhet të respektohen. Perspektiva evropiane e Shqipërisë dhe progresi i saj është një garanci shtesë në këtë drejtim.”- ka thënë Avramopoulos.

Marrëdhëniet me Shqipërinë, janë brenda prioriteteve tona, ka vazhduar ai, duke theksuar se, ne jemi të bashkuar me të ardhmen tonë të përbashkët evropiane, kështu që ne duam të kemi marrëdhënie të mira më Shqipërinë.

Diskutimet mbi ndërlidhjen energjetike mes dy vendeve me anë të tubacionit TAP, i sjellin marrëdhëniet mes dy vendeve edhe në nivel strategjik. Duke mbetur tek bashkëpunimi ekonomik, Avramopoulos ka thënë se “pavarësisht krizës ekonomike, dua të theksoj se vendi ynë mbetet investitori më i madh i huaj në Shqipëri.”

© Panorama.al

Te lidhura