Avokatja e Bombajt: Të arrestohen 4 gjobëvënësit

Jun 7, 2011 | 11:32

TIRANE – Avokatja e regjisorit Leonard Bombaj ka hedhur poshtë çdo akuzë të bërë ndaj artistit të njohur, i cili në shtator të vitit 2010 është denoncuar për përdhunimin e një vajze 15-vjeçare, pasi ajo ishte përjashtuar nga organizata artistike “Sirea film”. “Përpara një ngjarjeje tronditëse mund të ketë shumë dyshime, mendime, opinione etj., por një gjë është e sigurt: tashmë ka një vendim gjykate për ‘arrest me burg’ për bandën që ka kërcënuar z. Leonard Bombaj, e kërkuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Z. Leonard Bombaj e ka denoncuar i pari rastin e kësaj bande dhe tani çështja është e gjitha në dorë të Drejtësisë”, ka thënë dje avokatja Gjystina Galloshi, në një deklaratë për median. Avokatja, në emër të klientit të saj Leonard Bombaj, kërkon që ligji të veprojë në mbrojtje të njerëzve të ndershëm dhe familjarë, siç është rasti i artistit, Leonard Bombaj. Avokatja akuzon ndërkohë dhe vajzën që denoncoi Bombajn, duke pohuar se ajo është hakmarrë për famën e humbur. Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda ka nxjerrë urdhër-arresti për 4 persona që akuzohen se kanë kërkuar 20 mijë euro me dhunë nga Bombaj pas historisë me 15-vjeçaren.

© Panorama.al

Te lidhura