Avokati i Argitës e Shkëlzenit akuzon Tahirin

May 5, 2012 | 13:00

Mungesa e deputetit të PS Sajmir Tahiri është bërë shkak dje për shtyrjen e seancës së radhës në Gjykatën e Tiranës mes tij dhe Shkëlzen e Argita Berishës, djalit dhe vajzës së Kryeministrit, të cilët kanë bërë padi në gjykatë për shpifje. Avokati i fëmijëve të Kryeministrit, Argita Malltezi dhe Shkëlzen Berisha, në një deklaratë për median elektronike dje, akuzoi deputetin e Partisë Socialiste, Sajmir Tahiri, duke thënë se po u fshihet organeve të Drejtësisë. Avokat Sokol Barçi tha se “sot (dje), për të tretën herë radhazi, deputeti Saimir Tahiri nuk u paraqit në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në procesin e hapur nga paditësit Argita Malltezi dhe Shkëlzen Berisha, për shpifjet e bëra nga Tahiri në adresë të tyre. Me justifikime qesharake, Tahiri për të tretën herë radhazi i fshihet përballjes me ligjin duke u përpjekur t’u bishtnojë shpifjeve të veta. E ftojmë deputetin Tahiri të mos fshihet, por të respektojë gjykatat dhe sistemin e drejtësisë të vendit, të ketë kurajë të vijë në sallat e gjyqit, të përballet me ligjin njëlloj si gjithë qytetarët e këtij vendi dhe të provojë akuzat që ka bërë”, shtoi avokati. Fëmijët e Kryeministrit e kanë akuzuar deputetin e PS-së për shpifje dhe secili kërkon 4 000 000 (katër milionë) lekë shpërblim prej tij. Dje deputeti Tahiri ka deklaruar në media se ndodhej jashtë Shqipërisë dhe paraqitja në gjykatë ka qenë e pamundur.

© Panorama.al

Te lidhura