Trageti “Adriatica 1”, gjatë ankorimit në Portin e Durrësit
Mjeti i linjës Bari-Durrës tërhiqet deri në port. Shkëputet energjia elektrike.
Kthehej nga vizita në Itali. Trageti avari, në panik 290 pasagjerë.
Mbyllet me aventurë vizita e fundit zyrtare jashtë vendit e Presidentit në ikje, Bamir Topi. Një defekt në tragetin e linjës Bari-Durrës bëri që kreu i shtetit, bashkë me 289 pasagjerë të tjerë, të qëndrojnë në det dyfishin e lundrimit normal. Me 13 orë vonesë mbërriti dje trageti “Adriatica 1”, i cili u tërhoq nga rimorkiatorë në miljet prej kufirit të ujërave territoriale Itali-Shqipëri e deri pranë Portit të Durrësit. Një aventurë që fillimisht përhapi panik për të gjithë udhëtarët e shumtë, kryesisht emigrantë, por që më vonë pati si shoqërues vetëm lodhjen prej lundrimit të tejzgjatur. Rreth 23 orë ka zgjatur i gjithë lundrimi që nga nisja në Bari rreth orës 23:00 të së martës e derisa mbrëmë u lidhën çimat e tragetit në Portin e Durrësit, ndërsa ora po shkonte 22:00. Makina e Presidentit Topi ka dalë e para nga trageti për të vazhduar drejt daljes së Portit, pa asnjë deklaratë mbi këtë ngjarje që pati për protagonist dhe kreun më të lartë të shtetit. Pas tij dolën në sheshin e trageteve qindra pasagjerë të tjerë, një pjesë e madhe e të cilëve mbanin në krah fëmijë të përgjumur, ndërsa vetë tërhiqnin me vështirësi këmbët. “Mbetëm në det të hapur. Pa ujë e pa bukë”, ankoheshin ata, ndërsa i drejtoheshin pikës së kontrollit, duke shkelur në tokë pas më shumë se 1 ditë nate në udhëtim.
Burime nga Kapitaneria e Portit të Durrësit bënë të ditur se shkak për vonesën në lundrim është bërë një avari në sistemin e ajrimit. Sipas Kapitanerisë, sinjali për këtë defekt u dha rreth orës 06:00 të mëngjesit të djeshëm, rreth 24 milje larg brigjeve të Durrësit. Me gjithë përpjekjet që mekanikët e tragetit kanë bërë për të riparuar defektin, që mendohet të jetë shfaqur për shkak të karburantit të keq, nuk kanë mundur dot ta vënë sërish në punë atë. Ka qenë e pamundur që trageti të riniste lundrimin dhe, në këto kushte, Kapitaneria e Portit të Durrësit ka vënë në dispozicion dy mjete, një rimorkiator dhe një motovedetë të kufirit, për ta tërhequr tragetin drejt brigjeve shqiptare. Mësohet se kapiteni i tragetit i ka vënë në dijeni pasagjerët dhe Presidentin Topi për defektin, por duke i qetësuar se udhëtimi do të kryhej, ndonëse me vështirësi. Sipas pasagjerëve, kreu i shtetit ka qëndruar në kabinën e tragetit thuajse gjatë të gjithë lundrimit. Në ato momente që ata e kanë parë Topin, tregojnë se ndonëse ai ka ruajtur gjakftohtësinë, nuk ka mundur dot ta fshehë mërzinë e shfaqur si pasojë e udhëtimit mjaft stresant dhe shumë të gjatë, jo në distancë, por në kohë. Sapo ka parë që trageti u ankorua, kreu i shtetit ka qenë personi i parë që ka lënë atë dhe ka dalë menjëherë prej tij. Ai nuk ka dashur ta komentojë situatën, ndaj është mjaftuar vetëm me një ngritje dore teksa ishte duke lënë tragetin. Për shkak të avarisë, në traget nuk ka pasur energji elektrike dhe, si pasojë, kuzhina e tij ka dalë jashtë përdorimit. “Kemi udhëtuar më shumë se 22 orë pa ushqim. Nuk morëm masa, për shkak se nuk e parashikuam se do të mbërrinim me vonesë. Kemi vuajtur shumë. Ta mbajmë mend këtë udhëtim”, u shpreh një emigrant nga Elbasani. Mësohet se autoritetet italiane janë ofruar për të transportuar me helikopter Presidentin Topi, por ai ka refuzuar që ta bëjë një gjë të tillë.
Presidenti Topi, udhëtim vajtje-ardhje me traget
Makina e Presidentit Topi duke lënë terminalin
Për Presidentin Bamir Topi nuk ishte hera e parë udhëtimi me traget në këtë linjë. Veç udhëtimeve private, ai kishte kërkuar vetë që të realizonte me traget lundrimin drejt Italisë, ku do të zhvillonte takime zyrtare në rajonin e Pulias. Me tragetin “Adriatica 1” ai ka udhëtuar të dielën, bashkë me Zonjën e Parë dhe këshilltarin diplomatik, Çlirim Çepani. Takimet në Itali të Topit janë të fundit që kryhen jashtë vendit si kryetar shteti, pasi më 24 korrik i përfundon mandati i Presidentit. Burime zyrtare të Presidencës thanë dje se udhëtimin me traget Presidenti Topi e kishte zgjedhur personalisht, si vajtje dhe ardhje. Por, pa e parashikuar dot se do të ishte një udhëtim super i gjatë, prej të cilit humbi dhe takimet zyrtare të planifikuara për t’u zhvilluar gjatë ditës së mërkurë.
Kapiteni: Avaria, nga cilësia e keqe e naftës
Hysni Aruçi
Kapiteni i Portit të Durrësit, Hysni Aruçi, tha dje se ekuipazhit të tragetit i janë dashur më tepër se 4 orë punë për të riparuar defektin dhe për të rindezur motorët e mjetit. “U njoftuam me radio nga kapiteni i tragetit, ashtu sikurse e parashikon edhe ligji i detit. Menjëherë e kuptuam se ndodheshim përpara një ngjarjeje detare. Trageti kishte pësuar defekt në agregatet e motorëve. Ngjarja kishte ndodhur 24 milje larg bregdetit tonë. Edhe pse kapiteni i tragetit më kërkoi kohë për të pastruar tubat e ajrit dhe sistemin e filtrave, unë nisa në drejtim të tij 2 mjete ndihmëse, një rimorkiator dhe një motovedetë të Policisë kufitare dhe urdhërova drejtuesit e tragetit që të rinisnin lundrimin sapo të kontaktonin me mjetet ndihmëse”, deklaroi kapiteni i Portit të Durrësit. Sipas kapitenit Uruçi, shkak për problemin e djeshëm është bërë karburanti i cilësisë së dobët me të cilin mjeti është furnizuar në Itali.
Trageti Trageti “Adriatica 1” ishte në qarkullim në linjën Durrës-Bari dhe anasjellas, prej rreth 1 muaji. Mësohet se pronari i tij është shtetas grek, por për periudhën e verës mjeti lundrues u mor me qira nga një shtetas shqiptar për t’u shfrytëzuar. Kapiteni i Portit të Durrësit tha dje se trageti ishte brenda normave teknike të lundrimit. Ai ishte kontrolluar para se të kryente lundrimin drejt Portit të Barit.
Pasagjerja: Në traget pa drita e ushqime Merjete Shala, e cila udhëtonte së bashku me vajzën e saj me tre fëmijë në tragetin ‘Adriatika 1’ tregon orët e ankthit. “U imbarkuam në traget në Portin e Barit rreth orës 21.00 të ditës së martë dhe kemi mbërritur pas më shumë se 24 orësh në Durrës. Gjithçka ishte në rregull, por afër mëngjesit vumë re se trageti uli shpejtësinë. Dolëm të gjithë nga dhomat dhe pyetëm se çfarë po ndodhte. Pak minuta më vonë na njoftuan se trageti kishte pësuar një avari, por që pasagjerët nuk rrezikoheshin. Na thanë gjithashtu të mos shqetësoheshim pasi ishte vetëm një defekt dhe pasi ta rregullonin do të rinisnim lundrimin. Por kaluan disa orë derisa trageti u nis për rrugë por me një shpejtësi fare të vogël. Në traget nuk kishte furnizim me energji elektrike e kështu nëpër dhoma nuk kishte drita. Na dhanë ujë, por ushqim nuk kishte. Personeli i tragetit na tha se në traget ndodhej edhe presidenti i Republikës, por ne nuk e besuam pasi menduam se mos kjo ishte taktikë për të na qetësuar”.
Familjarët në port, në ankth Ankthi nuk përfshiu dje vetëm ata që udhëtonin në traget, por edhe familjarët e pasagjerëve që prisnin të afërmit e tyre në Portin e Durrësit. Estref Isufi thotë se për orë të tëra nuk ka marr asnjë sinjal nga djali i tij. “Kam këtu në port që në mëngjes, pasi kam ardhur për të pritur djalin që kthehet nga Italia. Për shumë orë nuk u lidha dot me të dhe askush këtu në port nuk më jepte një përgjigje se çfarë kishte ndodhur me tragetin e linjës Bari-Durrës, më të cilin udhëtonte edhe im bir. U mundova për më shumë se tri orë të lidhesha në telefon me djalin, por për shkak se trageti kishte ndaluar në ujërat neutrale nuk kishte valë telefoni. U shqetësova pa masë. Më vonë pastaj e mora vesh nga televizori ç’kishte ndodhur”.