Aventurat e Liamit me femrat dhe miqësia me personazhet VIP

May 20, 2012 | 14:06

Flet shoku i tij, Ermal Bashllari: Liam ka qenë gjithmonë i preferuari i femrave, sepse ka ditur t’i respektojë.

Rrugët e jetës i kanë ndarë, edhe pse kujtimet mund t’i bashkojnë herë pas here. Ermal Bashllari ka zgjedhur profesion të rreptë ushtaraku, në të kundërt nga Liami që ka shpirt artisti. Miku i tij më i ngushtë flet për tipin e 33-vjeçarit nga Tirana, marrëdhënien me femrat dhe paratë, miqësinë me artistët, historia me Evelin dhe si e sheh ai në lidhje me banorët e tjerë:
Dimë që je shok fëmijërie me Liam. Deri në çfarë moshe jeni shoqëruar bashkë?
Ne kemi ndenjur bashkë rregullisht, pothuaj çdo ditë, derisa Liami emigroi jashtë. Por pavarësisht se jetonim larg, nuk i kemi humbur kontaktet në asnjë moment.
Çfarë kujton nga ajo kohë,  ka qenë djalë i hedhur apo i urtë?
Liami ka qenë djalë i hedhur, i shoqërueshem dhe i gjindshëm. Personalisht e kam pasur afër sa herë që kam pasur nevojë, dhe të gjithë do të donin ta kishin shok. Për Liamin kam vërtet shumë për të thënë. Ka shpirt artisti dhe mund të them që ai e dashuron artin dhe e ndien muzikën në shpirt.
Tani që e sheh në “Big Brother 5”, si po të duket në lojë, ç’mendim ke për sjelljen e tij me banorët e tjerë?
E ndjek rregullisht, dhe kur nuk kam mundësi për shkak të punës më informojnë kolegët, familja dhe miqtë. Sjellja e tij me banorët e tjerë me duket korrekte, pasi u jep të gjithëve atë që meritojnë. Ka treguar gjatë gjithë kohës që di ta vlerësojë shoqërinë dhe ka frymën e bashkëpunimit. Këtë e ka treguar në raport me Arbrin dhe nominimin që nuk ia bëri Edgarit.
Me sa dimë, ai ka pasur një grup muzikor në atë kohë. Cilat kanë qenë njohjet e tij me artistët në atë kohë, me cilët prej tyre ka pasur miqësi?
Ai ka qenë bashkë me katër shokë pjesëtarë të grupit “Space Boys’, ku këndonin dhe kërcenin, frekuentonte për natë diskot, dhe merrte pjesë në shumë evenimente, ku ishin të ftuar. Po ju them një kuriozitet, se grupit “Spirit Voice” tek kënga e parë e tyre ai i ka bërë një pjesë të koreografisë. Në atë kohë ka pasur shoqëri dhe ka me Jonida Maliqin, Ingrid Gjonin, Stinen etj.
Si kanë qenë marrëdhëniet e tij me femrat? Ka qenë i preferuari i tyre?
Në marrëdhënie me femrat, Armando (Liam) ka qenë dhe është tip korrekt, pra nuk di të ngatërrojë ndjenjën me miqësinë. Ka qenë i preferuari i femrave, sepse ka ditur gjithmonë t’i respektojë dhe t’i bëjë të ndihen të vlerësuara.
Edhe vetë ai ka treguar se ka bërë jetë plot eksperienca. Ka qenë tip aventurier Liami, dhe a kujton ndonjë aventurë të tij?
Eksperiencat e tij nuk kanë fund në fakt, janë pa mbarim gjithmonë në eksplorim të jetës. Nuk mendoj së është tip aventurieri, është tip që mendon shumë, do më të mirën për veten dhe për njerëzit e tij të dashur. Aventura ka aq shumë, sa nuk di kë të zgjedhësh.
Është Liami tip i paparishikueshëm, është tip konfliktual apo i përmbajtur?
Është tip i përmbajtur, di të kontrollojë emocionet, nuk është tip impulsiv dhe di t’i kapërcejë pengesat me qetësi. Mundohet që të mos lëndojë kurrë të tjerët.
Pse mendon se Liami nuk u lidh me asnjë nga vajzat në BB 5, nuk i pëlqyen apo për hir të Evelin?
Mendoj se Liami nuk u lidh me asnjë femër në shtëpi, sepse ai zemrën ia ka falur tjetër njeriu. Nuk do të bënte kurrë kompromise për të rrezikuar lidhjen e tij për lojë.
Me cilën nga vajzat e BB5 mund të kishte krijuar Liami një lidhje?
Absolutisht  me asnjërën, sepse ai në radhë të parë ka respekt për veten dhe personin që ka në krah. Së dyti ndjenja e fortë që ka për Evelin.
Fakti që Ermal e ka krijuar një lidhje brenda shtëpisë me Françeskën, e favorizon më shumë se Liamin për të qenë fitues i kësaj loje?
Mendoj se një lidhjë aty brenda ka të mirat dhe të këqijat e veta. E mirë është se publiku dëshiron të shohë çifte të lumtura, dhe e keqja është që kjo të pengon të luash lojën. Por Liamin nuk e pengon ky çift, sepse ata mund të bëjnë gjithçka derisa të sakrifikojnë ndjenjën për lekët. Këtë e vërtetuan tek nominimet dhe sjellja me njëri-tjetrin gjatë javës.
E sheh Liamin si fitues të BB5, dhe cili nga banorët e tjerë e rrezikon më shumë?
Për mua ai është fitues, por është publiku ai që i ka parë vlerat e tij, dhe do të dijë të vlerësojë sjelljen dhe spektaklin që ai na ka dhuruar. Fjala e fundit u ngelet votave të tyre. Nga kush mund të jetë i rrezikuar, është Erioni që nuk di të pozicionohet në një lidhje, nga Arbri që është i lëkundur, Genta që nuk di të bëjë tjetër gjë veçse transport dhe deformim të fjalëve, nga Françeska, tek e cila nuk shoh ndonjë vlerë që rinia ta marrë si shembull, apo Ermali që di vetëm të bërtasë. Dëshiroj dhe i uroj fitoren mikut tim, Liam.
A është Liami i dhënë pas parasë, dhe mendon se po i përdor të gjitha mënyrat për t’i fituar 100 milionët?
Liami nuk e shet shpirtin për para, dhe këtë e them me siguri e bindje të plotë.

© Panorama.al

Te lidhura