Autoritet serbe vazhdojnë me politikat e tyre shkatërruese ndaj çdo simboli apo elementi të shtetësisë së Kosovës.
Në vendkalimin kufitar Tabanoc të gjithë udhëtarëve të huaj, të cilët në pasaportat e tyre kanë pasur vula doganore të Republikës së Kosovës autoritetet serbe u kanë vendosur vulën ‘ponishteno’, që do të thotë anulohet.
B. Xh nga Tetova deklaroi për agjencinë e lajmeve INA se, në vendkalimin kufitar Tabanoc, policët serbë në fletët e pasaportës ku kanë qenë të vendosura vulat e Republikës së Kosovës kanë vendosur vula të pavlefshme.
“Në kohën kur po flitet për minishengenin ballkanik, lëvizjen e lirë të personave sipas modelit të vendeve të Bashkimit Evropian, Serbia po vendos barriera të reja duke u shfaqur sërish me atë mentalitetin e viteve të 90-ta kur shqiptarët keqtrajtoheshin nëpër kufijtë e këtij shteti”, shprehet B.XH.
Qytetarët e Maqedonisë reagojnë kundër vendosjes së vulave të vendosura nga autoritetet doganore të Kosovës në pikat kufitare Bllacë dhe Jazhincë. Qytetarët e Maqedonisë dhe ata të Kosovës shpresojnë se së shpejti do të arrihet dhe praktikohet marrëveshja për kalimin e kufijve vetëm me letërnjoftime dhe të shmangen procedurat e pasaportave.
Një marrëveshje të tillë deri tani Maqedonia ka arritur me Beogradin, Tiranën dhe Podgoricën. MPB e Maqedonisë ka paralajmëruar se së shpejti një marrëveshje e tillë do të firmoset edhe me Prishtinën. (INA)
© Panorama.al











