SHKODER – Kur autorët janë ende të lirë, familja Marku përcolli dje në banesën e fundit mes dhimbjesh dhe djalin e vetëm të saj, ekzekutuar pas një prite në spitalin e Shkodrës. Jurgen Marku, vetëm 22 vjeç, ndërroi jetë 48 orë pas atentatit dhe fiks 48 orë më vonë pas funeralit të të atit iu bashkua atij në varrezat e Rr’majit. Babë e bir u ekzekutuan të enjten, që shkoi pas një grindjeje për një fjalë goje në zonën turistike të Thethit, por që pati pasoja fatale për familjen Marku. Frederik Marku, 46 vjeç, ndërroi jetë në vend, ndërsa i biri nuk ia doli dot me gjithë përkushtimin e mjekëve. Mes një dhimbjeje të thellë dhe një numri të madh personash, rreth orës 18:00 të ditës së djeshme u përcoll në banesën e fundit Jurgen Marku. Për këtë ngjarje të rëndë Policia e Shkodrës thotë se motivet janë të zbardhura tashmë dhe mbetet vetëm ndalimi i tre autorëve të dyshuar, të shpallur në kërkim. I vetmi person në prangë është 25-vjeçari Lenonard Nika, i akuzuar si bashkëpunëtor në vrasjen e Frederikut dhe Jurgenit. Ky i fundit nuk e ka pranuar akuzën deri tani, duke deklaruar se ndonëse ishte i pranishëm në sherrin e ndodhur në Theth një ditë para krimit, nuk ka qenë pjesëmarrës në atentatin e një dite më vonë. Një tjetër pikë ku janë përqendruar hetimet, është ajo e djegies së bujtinës së Frederik Markut në Theth duke u gdhirë dita e shtunë. Të gjitha të dhënat flasin për zjarrvënie të qëllimshme. Ndërtesa ishte thuajse në përfundim e sipër dhe nuk kishte asnjë mundësi për një djegie aksidentale. Po kështu, flakët që iu vunë furgonit të familjes rreth 20 metra larg shtëpisë, e forcojnë akoma më shumë dyshimin se zjarri ishte i vënë nga persona që mendohet të kenë lidhje me atentatin ndaj babë e bir. r.d











