Austri, tjetër baba monstër, dhunoi seksualisht vajzat për 41 vjet

Aug 26, 2011 | 11:23

Horror i ri në Austri, rishfaqet një tjetër rast makabër ‘Fritzl’. Një shtetas austriak po hetohet, pasi ka mbyllur dy bijat e tij në një dhomë për 41 vjet dhe ka abuzuar seksualisht në mënyrë të përsëritur me to, në një rast që ngjan me atë të Josef Fritzl. Policia konfirmoi dje detaje të tmerrshme të çështjes në qytezën St Peter am Hart, pranë Brannau, qyteti ku ka lindur Hitleri, në afërsi të kufirit gjerman. Dy femrat me probleme mendore nuk lejoheshin të kontaktonin me botën e jashtme dhe u lejohej kalimi vetëm në një dhomë të pronës së madhe. Izolimi me botën jashtë i ka lënë të dyja vajzat rëndë psikologjikisht, të traumatizuara dhe që të dyja janë tani në kujdesin e mjekëve. Nëna e vajzave, e cila ka vdekur tre vjet më parë, me sa duket kishte dijeni mbi abuzimin, por thuhet se ishte shumë e frikësuar për ta raportuar. Por historia e tmerrit doli në dritë, kur burri, tani 80 vjeç, ra dhe përplasi kokën ndërsa po përpiqej të bënte seks me më të madhen e dy grave, e cila tani është në moshën 53-vjeçare. Motra e saj më e vogël është 45 vjeç. Ai kishte qëndruar pa lëvizur për dy ditë, deri kur një punonjës social, i cili duhej ta kontrollonte atë, e zbuloi të shtrirë në dysheme. Policia beson se gratë ishin rrahur dhe abuzuar seksualisht që nga viti 1970, si dhe i kishin të ndaluara të gjitha kontaktet me botën e jashtme. Babai monstër është liruar nga spitali dhe u lejua të shkojë në një shtëpi përkujdesjeje, por pa mbikëqyrje nga policia, sepse ata besojnë se nuk ka rrezik që ai të përpiqet të largohet. Ky rast kujton atë të austriakut Josef Fritzl, i cili u burgos përjetë për përdhunimin, incestin, skllavërimin dhe izolimin e vajzës së tij, Elisabeth, për mbi 24 vjet, në Amsteten, Australi. Ai pati shtatë fëmijë me të. Natasha Kampush, tani 23 vjeçe, u rrëmbye gjithashtu dhe u mbajt kundër vullnetit të saj nga një tjetër austriak, Volfgang Priklopil, për më shumë se tetë vjet. Ajo arriti të arratisej në vitin 2006. Rrëmbyesi i saj pastaj vrau veten.

© Panorama.al

Te lidhura