Atletikë, niset para në start, eliminohet Usain Bolt

Aug 29, 2011 | 12:26

Pasi ka dominuar në gjysmëfinalen e mëngjesit, Usain Bolt ka bërë një gabim naiv përpara startit. Përjashtimi nga gara në Botëror ka qenë i paevitueshëm. Gjithsesi, Xhamajka ka festuar me Johan Blejk, i cili është renditur i pari me kohën 9″92 në garën e 100 metrave, përpara Valter Diks dhe Kim Kolins. Sprinteri xhamajkan nuk e ka kursyer spektaklin. Para fillimit, ashtu si zakonisht, ai ka bërë shaka me publikun dhe kamerat, tejet i sigurt në aftësitë e veta. Por, kësaj here diçka nuk shkoi ashtu siç duhej. E vërteta është që Bolt u nis përpara goditjes që lajmëron nisjen, dukshëm përpara të gjithëve. Xhamajkani e kuptoi menjëherë që gaboi rëndë: ndaloi, mbuloi kokën me bluzë si të ndihej i turpëruar, pastaj e hoqi dhe doli jashtë pistës. Situata ishte e njëjtë me atë të Lindord Kristit në vitin 1996, kur u skualifikua, sepse u nis para të tjerëve në finalen e Lojërave Olimpike të Atalantës. Mirëpo, në atë kohë, që të skualifikoheshe, ishin të nevojshme dy gabime. Në ditët e sotme, me rregulloren e re, me të parin eliminohesh.

© Panorama.al

Te lidhura