
Një atlet iranian ka refuzuar t’i japë dorën Dukeshës së Kembrixhit, Kate Middleton ndërsa u nderua me medaljen e argjendtë në hedhjen e diskut.
Dukesha u prit ngrohtë në podiumin e medaljeve në Lojrat Paraolimpike që po mbahen në Britaninë e Madhe, nga fituesi i medaljes së arit, britaniku Aled Davis dhe fituesi i medaljes së bronxtë, kinezi, Lezheng Wang.
Por, kur i erdhi rradha Mehrdad Karam Zadehs, 40 vjeç, refuzoi të shtrëngonte duart me Dukeshën, por e përshëndeti atë me përulje dhe shtrëngim të duarve në gjoksin e tij.
Sipas Daily Mail, vendimi për të mos shtrënguar dorën me Dukeshën ka të ngjarë të jetë pjesë e kulturës iraniane, që nuk i lejon burrat të kenë kontakt fizik me gra në publik.
Po sipas Daily Mail, Kate Middleton duket se ka qenë e informuar për situatën, pasi edhe ajo nuk e zgjati dorën drejt atletit iranian.
Delegacioni iranian në Londër nuk e ka komentuar “incidentin”, por sipas Daily Telegraph ata u kanë thënë organizatorëve të lojrave se nuk kemi të bëjmë me një qëndrim politik.















