Athinë, arrestohet vrasësi i dy emigrantëve shqiptarë

Jun 17, 2011 | 9:04

ATHINE – Policia greke arrestoi dje njërin nga autorët e vrasjes së dy shqiptarëve të ndodhur në Athinë pas mesditës të së martë. Mediat greke kanë njoftuar dje arrestimin e shtetasit Zhani Gërdhuqi, 34 vjeç nga Vlora, i dyshuar për ekzekutimin e dy emigrantëve në Athinë. Sipas Policisë greke, i arrestuari është i dyshuar për kryerjen e vrasjes së shtetasve shqiptare Klajdi Hoxha dhe Armando Kola. Zhani Gerdhuqi, nga Vlora, rezulton të ketë pasur një precedent penal për vjedhje në Shqipëri, por më pas ka dalë nga burgu dhe ka emigruar në Greqi. Vrasja në Athinë ka ndodhur në një lokal në rrugën “Sofokleus 182?, në lagjen “Kalithea”. Dy viktimat ishin duke ngrënë bukë në kohën kur vrasësit kanë qëlluar me breshëri në distancë të afërt. Armando Kola, 31 vjeç dhe Klajdi Hoxha, 26 vjeç, u vranë njëri në tavolinë dhe tjetri disa metra më tej, pasi tentoi të largohej nga vendi i ngjarjes. Sipas Policisë greke, autori i krimit, pas një debati me personat e tjerë në tavolinë, ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar dy viktimat, duke i lënë të vdekur në vend. Dëshmitarët në vendin e ngjarjes i thanë policisë se njëri nga të vrarët u qëllua dy herë me pistoletë në kokë, kurse viktima e dytë ishte ngritur ndërkohë nga tavolina, por është ndjekur nga autori i ngjarjes, i cili me armë në dorë ka vrapuar derisa ka arritur ta vrasë edhe shqiptarin e dytë me një plumb në kokë. Autori i krimit me shqiptarin e mbetur u larguan më pas nga vendi i masakrës. Ai ra në pranga dje pas dëshmive dhe provave të mbledhura nga policia, e cila dyshon se bëhet fjalë për larje hesapesh.

© Panorama.al

Te lidhura