Atentatori i Burgasit drejt Londrës, alarm për izraelitët

Jul 23, 2012 | 11:25
Stadiumin Olimpik, Londër

I dyshuari i dytë për organizimin e sulmit të autobusit të hebrenjve në Burgas, Bullgari, po lëviz me një pasaportë amerikane nën emrin David Xheferson dhe konsiderohet një kërcënim i madh për skuadrën izraelite në lojërat olimpike. Pas sulmit, ai është larguar nga Bullgaria dhe shërbimet sekrete të përfshira në hetimin e ngjarjes së aeroportit të Burgasit, ku humbën jetën pesë të rinj hebrenj, njeriu-bombë dhe shoferi i autobusit, besojnë se i dyshuari i dytë për sulmin terrorist po udhëton drejt Londrës. Agjentët besojnë se ai ka një tjetër sasi eksplozivi të ngjashme me atë që shpërtheu autobusin në Burgas. Ndërsa shërbimet sekrete izraelite, të cilat i janë bashkuar hetimit për ngjarjen, vazhdojnë të këmbëngulin se ekziston një skuadër ekzekutuesish iranianë, të cilët do të kryejnë sulme terroriste në Europë, kryesisht kundër atletëve të tyre në Londër. Autoritetet britanike të sigurisë kanë rritur masat e vëzhgimit dhe monitorimin ndaj atletëve të Izraelit.
Sipas “Sunday Times”, qeveria izraelite i trembet një përsëritjeje të ngjarjes si në Lojërat Olimpike të vitit 1972, kur 11 nga atletët dhe trajnerët e tyre u vranë. Izraeli ka dërguar agjentë shtesë nga shërbimi i sigurisë “Shin Bet” për të rritur mbrojtjen rreth skuadrës olimpike. Shërbimet e jashtme sekrete izraelite, “Mossad”, besohet se gjithashtu kanë dërguar agjentë të tyre në Europë në kërkim të një grupi europianësh të bardhë që janë konvertuar në fenë islame dhe po punojnë me forcat iraniane Quds dhe Hezbollahun. Operacioni i sigurisë rreth Lojërave Olimpike është i paprecedentë. Sipas mediave britanike, lojërat olimpike do të monitorohen nga 17 000 trupa dhe 7 000 roja private. Qentë nuhatës dhe aparatura skanimi të ngjashme me ato në aeroporte do të vendosen në çdo hyrje stadiumi dhe në pjesët më të larta të stadiumeve do të qëndrojnë gjithnjë snajperë në gatishmëri. Në rrugët e Londrës do të ketë 12 500 oficerë të tjerë policie që do të monitorojnë dhe në stadiumin olimpik do të ketë “dhoma paniku” me masa të forta sigurie që do të përdoren për personalitete VIP dhe spektatorë në raste sulmesh.

Të panjohurit
Një grup i panjohur islamik, që thuhet të jetë degë e Al Kaedës, “Qaedat al-Jihad”, ka marrë përsipër përgjegjësinë e sulmit të autobusit të hebrenjve dhe ka njoftuar mbi sulme të tjera gjatë muajit të Ramazanit. Në deklaratën e tyre thuhet se muaji i shenjtë i Ramazanit është muaj i luftës së shenjtë për Allahun kundër armiqve të tij, amerikanëve dhe hebrenjve dhe se lufta do të vazhdojë deri kur amerikanët të largohen nga tokat islamike. Por Ministria e Jashtme izraelite nuk e ka konfirmuar këtë deklaratë.

Netanjahu
Kryeministri izraelit, Beniamin Netanjahu, të dielën përsëriti se autorë të sulmit në Burgas janë Irani dhe “mbështetësit e tij terroristë”, Hezbollahu. Netanjahu tha se beson fort që ekzekutues i sulmit ka qenë grupi Hezbollah dhe se ka “baza të forta” për të treguar se ky sulm është i ngjashëm me të tjerët rreth botës kundër hebrenjve. “Është i njëjti modus operandi”, tha ai të dielën për “Fox News”. “Janë ata dhe ne e dimë këtë”, theksoi Netanjahu, duke e quajtur qeverinë iraniane regjimin më të rrezikshëm në botë.

© Panorama.al

Te lidhura