
Policia nis hetimet për ekzekutimin e 36-vjeçares Eleni Basho. Pista kryesore, konflikt në biznesin e produkteve mjekësore dentare
Nëna e dy fëmijëve, 15 dhe 10 vjeç, është varrosur dje në fshatin e lindjes, Andon Poçi, në Gjirokastër. Çifti Basho kishte ardhur në Tiranë para pesë vitesh, pas emigracionit në Greqi. I shoqi, Ilia, është administratori i një kompanie tregtuese të produkteve dentare. Kryekomunari i komunës së Odrijes: Ishte nënë e respektuar, vrasësi ka ngatërruar objektiv.
Ekzekutimi në Shkozë, Policia: I shoqi i viktimës, grosist i produkteve dentare
“Laborantja u qëllua nga pas”
Biznesi i produkteve mjekësore dentare është pista kryesore e hetimit të Policisë në lidhje me vrasjen e laborantes Eleni Basho, e cila u qëllua me tre plumba pranë banesës së saj në Shkozë, mbrëmjen e së enjtes. I shoqi i saj, Ilia Basho, ishte administrator i një kompanie tregtuese të produkteve dentare, siç mësohet nga Policia, një prej kompanive më të mëdha të kësaj fushe në vend. Ai besohet se i kishte dhënë asaj një shumë rreth 24 mijë euro të fituara në biznes për t’i hedhur në bankë, ose për t’i paguar tek palë të treta, ndërkohë që nuk kishte konfirmim për depozitimin e kësaj shume. Motivet e vrasjes së laborantes dentare, Eleni Basho, 36 vjeçe, mbeten ende të paqarta, megjithatë Policia dyshon se pas kësaj ngjarjeje ka motive financiare. Grupi hetimor ka kryer disa veprime të rëndësishme paraditen e djeshme, ndonëse nuk ka arritur në ndonjë konkluzion përfundimtar. Nga këqyrja e kufomës së 36-vjeçares, është mësuar se ajo është qëlluar në distancë të afërt, pasi ka faktorë plotësues. Po kështu, predhat e kanë hyrjen në shpinën e viktimës dhe daljen e kanë në pjesën e përparme në gjoks, çka tregon se vrasësi ka qëlluar kur ndodhej pas viktimës. Policia dje fillimisht ka marrë në pyetje dëshmitarin Viktor B., i cili është edhe personi që ka lajmëruar Policinë për ngjarjen, rreth orës 18:20 të së enjtes. Ai ka raportuar në sallën operative se pranë firmës së betonit “Sina”, në Shkozë, është plagosur me armë zjarri një grua, e cila është nisur drejt spitalit “Nënë Tereza”.
Dëshmitari
Personi në fjalë ka deklaruar në polici, gjatë marrjes në pyetje, se nuk ka arritur të shohë asnjë person të dyshimtë, pasi ka dëgjuar tri të shtëna arme zjarri. Ai thotë se ka nxituar të shohë se çfarë kishte ndodhur, por ajo çfarë ka parë ishte vetëm trupi i një gruaje i shtrirë në tokë, në një pellg uji. Nga dëshmia e tij nuk ka rezultuar ndonjë gjë konkrete, që mund të ndihmonte për hetimin. Ndërsa bashkëshorti i laborantes 36-vjeçare është marrë në pyetje disa orë pas vrasjes për të dhënë deklarimet e tij. Ilia Basho mësohet të ketë dëshmuar se, deri para rreth një muaji, ai ka qenë bashkortak në një kompani produktesh dentare, në kompaninë “Nova Dental”, që ndodhet pranë ish-Parkut të Autobusëve, në Tiranë. Pas ndarjes nga ortaku i tij do të ndanin edhe përqindjet e parave që kishin investuar dhe përfituar në atë biznes. Ai ka deklaruar në polici se 3 ditë para vrasjes së të shoqes i kishte dhënë asaj 24 mijë euro, që kishte marrë nga kompania dentare, që t’i depozitonte në bankë. Por nuk ishte ende në dijeni, nëse i kishte depozituar apo jo. Kjo ka qenë një dëshmi kontradiktore për grupin hetimor, pasi është parë me dyshim deklarimi i Ilia Gocajt, i cili për 3 ditë pretendon se ende nuk e kishte mësuar nëse e shoqja i kishte depozituar paratë apo jo. Megjithatë, policia ka nisur verifikimin e llogarive bankare, pasi në çantën e viktimës nuk është gjetur asnjë faturë nga banka për depozitimin. Burimet thanë gjithashtu se dje është përjashtuar përfundimisht mundësia e ndonjë tentative grabitjeje, me pasojë vrasjen e Eleni Bashos. Kjo për faktin se pranë vendit ku u vra Eleni Basho, policia ka gjetur të paprekur çantën e saj me rreth 2 mijë euro brenda, si dhe celularët.
Biznesi i produkteve dentare
Bashkëshorti i Eleni Bashos, laborantes së vrarë tri ditë më parë në Tiranë, rezulton administrator i një kompanie të madhe produktesh dentare. Është fjala për kompaninë Nova Dental Albania, me adresë tek Rruga e Kavajës. Objekti i veprimtarisë së saj është importimi në Shqipëri dhe më pas tregtimi i materialeve e pajisjeve laboratorike dentare. Personi i kontaktit i kësaj kompanie është shtetasi Ilia Basho, i shoqi i laborantes së vrarë të enjten në Tiranë.
Djali i viktimës festonte 15-vjetorin
Për pak ditë, djali i familjes Basho festonte ditëlindjen e tij të 15-të. Burime nga fshati Andon Poçi tregojnë se prindërit e djalit të madh, Ilia dhe Eleni Basho, po planifikonin që të organizonin një festë të madhe për të birin. Ata po kërkonin lokalin e duhur ku do të mblidhnin familjarët dhe miqtë në këtë eveniment për të birin. Mësohet se ditëlindja ishte në muajin shkurt dhe thuajse ishin bërë përgatitjet. Por, tre plumba të mistershëm i morën jetën nënës së djalit, duke këputur në mes çdo plan për të shijuar së bashku gëzimet familjare. Djali 15-vjeçar ishte fëmija i madh i familjes Basho dhe pas tij kishte lindur fëmija e dytë, vajza e çiftit, e cila kishte mbushur 9 vjet. Ata kanë qenë të dy në ceremoninë mortore, duke përcjellë me vaj nënën e tyre.
Fqinjët: S’kishin probleme
Grupi hetimor i Policisë së Tiranës shkoi dje paradite në lagjen ku banonte Eleni Basho dhe tentoi të marrë në pyetje komshinjtë, por nuk ia arriti qëllimit, pasi nuk gjeti njerëz në banesa. Në orët e pasdites, si dhe në mbrëmjen e së enjtes menjëherë pas krimit, policia ka marrë në pyetje fqinjët e bashkëshortëve Ilia dhe Eleni Basho dhe ka mësuar prej tyre se ata shkonin mirë dhe nuk kishin konflikte apo mosmarrëveshje.
Dëshmitarja
Fqinjët: Shiu dhe errësira na pengoi shikimin
Edhe pse janë prej 4-5 vitesh gati derë më derë, familja Basho njihet shumë pak nga fqinjët e saj. Kjo “largësi” nuk është se ka ndodhur për shkak të natyrës së ftohtë së njërës ose tjetrës palë, apo për ndonjë keqkuptim mes tyre, por ngaqë çifti Basho ishte thuajse gjithë kohës në punë. “Ata dilnin shpejt nga shtëpia dhe ktheheshin vonë. Duke qenë se parkonin brenda oborrit të shtëpisë, rrallëherë rastiste që t’i takonim. Hynin dhe dilnin me makinë nga vila dhe kur i shihnin, vetëm bënin një përshëndetje miqësore”, thotë fqinja e familjes Basho. Sa i përket ngjarjes së mbrëmshme, ajo shton se “kemi dalë disa veta me radhë jashtë dhe e kemi gjetur të shtrirë përtokë. Po binte shi dhe po frynte erë. Ishte shumë errësirë dhe nuk shihnim dot më shumë se 2-3 metra larg. Madje, edhe Elenit nuk ia dallonim dot plagët qartë, sepse u mbulua si nga gjaku, ashtu edhe nga shiu që e shpëlante gjakun. Por më shumë pati gjak dhe ndërkohë që përpiqeshim t’ia ndalnim, lajmëruar edhe policinë”. Sipas saj, bashkëshorti i Elenit, Ilia, nuk ka qenë aty, në momentin kur kanë gjetur trupin dhe ai ka ardhur rreth 20 minuta më vonë. Siç kishte treguar vetë Ilia më pas, ai kishte qenë duke shpërndarë materialet e punës nëpër pikat që furnizonte.
Eleni Basho varroset në fshatin e lindjes
Historia e çiftit Basho, nga dashuria në të njëjtin fshat e deri te transferimi në Tiranë
Fëmijët, djali 15 vjeç dhe vajza 10 vjeçe i bashkëngjiten kortezhit
E kanë nisur jetën bashkë nga shkuesia, por mbi të gjitha, nga dashuria. Eleni dhe Ilia Basho kanë gati dy dekada të martuar, për t’i ndarë vdekja dy ditë më parë. Nënë e dy fëmijëve, djalë dhe vajzë, Eleni u qëllua me 3 plumba mbrëmjen e së enjtes, duke ndërruar jetë menjëherë. Pranë trupit të pajetë ka mbërritur pak minuta më vonë bashkëshorti i saj, krejt i pikëlluar dhe duke qarë me lot burri. Megjithatë, ardhja e tij nuk ka shërbyer për gjë tjetër, veçse si dëshmi për efektivat e policisë se nuk ka qenë aty kur ka ndodhur vrasja. Eleni u varros dje, ndërsa zyrtarisht nuk ka asnjë të dyshuar. Pista hamendësimesh qarkullojnë gjithkund, sidomos nëpër oborret e fqinjëve të çiftit Basho…
Shpërngulja në Tiranë
Familja Basho ka rreth 5 vite që është transferuar në Tiranë. Ata kanë ndërtuar dy vila në verilindje të ish-Uzinës së Autotraktorëve. Njëra e bardhë me dekoracion tullash dhe tjetra në ngjyrë vishnje, që dallojnë si ndër më të bukurat e zonës. E para është e Ilias, ndërsa e dyta e vëllait të tij. Duket që janë të ndërtuara vonë, për shkak të mureve që e tregojnë ende paksa lagështinë e gëlqeres “së freskët”. “I kanë ngritur përnjëherë. Ndërsa ne të tjerët kemi ardhur 10 apo 15 vjet para këtyre dhe ende nuk kemi shtëpi të mira, dy familjet Basho ndërtuan brenda një viti dy vila. U kuptua menjëherë që kishin para”, thotë fqinja ngjitur, e cila menjëherë kërkon të saktësojë. “E kanë nisur herët me punën. Kanë qenë në Greqi me vite, kanë punuar shumë atje, ndërsa vitet e fundit bënin tregti me pajisje për laboratorë. Për punë dhëmbësh, me sa di unë. Janë shumë mirë nga gjendja ekonomike dhe as nuk iu është ndjerë zëri në lagje. Të urtë, shumë të urtë dhe shihnin punën e tyre. Edhe fëmijët e tyre janë për ‘marshallah’. Një djalë për dhëndër dhe vajzë për ëndërr…”, thekson fqinja e saj, me origjinë nga Dibra dhe e ardhur në Tiranë 13 vite më parë. Sipas saj, duke qenë se ishin dy vëllezërit bashkë, si dhe prindërit e tyre, familjet Basho nuk është se ua kishin nevojën fqinjëve. Kjo grua rreth të 70-ave, ishte ndër të paktët banorë dje nëpër shtëpitë rrotull familjes Basho. Të tjerët, siç na tregoi ajo, i ishin bashkuar kortezhit mortor për të varrosur Elenin në Gjirokastër.
Historia e çiftit
Të dyja vilat luksoze të familjeve Basho, dje “u gdhinë” me grila të mbyllura. Vetëm dritat e jashtme ishin lënë ndezur. Mbase qëllimisht, mbase i kishin harruar. Familjarët ishin nisur në mëngjes herët drejt Gjirokastrës, pasi trupi i pajetë i Eleni Bashos ishte vendosur që të prehej në varrezat e fshatit Andon Poçi. Është vendi ku ajo është lindur dhe rritur, martuar dhe trashëguar. Siç kemi mundur të mësojmë nga të afërmit e çiftit, Andon Poçi është fshati i të dyve, Elenit dhe Ilias. Duke qenë vllehë, atyre u kërkohej sipas traditave që edhe njeriun e jetës ta zgjidhnin brenda komunitetit. Me propozimin e familjarëve dhe pëlqimin e të dyve, ata kanë lidhur kurorë 20 vite më parë. Pasi kanë qëndruar disa kohë në fshat, janë larguar drejt Greqisë, ku kanë jetuar dhe punuar deri para 6 vitesh. Njëkohësisht, kishin filluar të investonin në Shqipëri, në fushën e pajisjeve dentare. Iniciativë kjo, që Ilia e kishte marrë edhe para se të transferohej përfundimisht në Tiranë, për shkak se Eleni ishte specializuar si laborante. Nga martesa, Ilia dhe Eleni kanë lindur dy fëmijë. Djali është më i madhi dhe këtë muaj mbush 15 vjeç, ndërsa vajza është vetëm 10 vjeçe. Që të dy, nga mbrëmja e së enjtes janë jetimë… Dje, ata i kanë dhënë lamtumirën e fundit nënës së tyre!
Kryekomunari: Vrasësi ka ngatërruar objektiv
GJIROKASTER – I gjithë komuniteti vlleh që jeton në fshatin Andon Poçi dhe më gjerë është tronditur nga lajmi i rëndë. Banorët që e njihnin Elenin që të vogël kanë qenë pjesë e ceremonisë së martesës së saj dhe së fundi e kanë përcjellë vajzën e tyre drejt banesës së fundit. Gjergj Zharkalli, kryetar i komunës Odrije, u shpreh dje për gazetën “Panorama” se gjithkush është i pikëlluar. “Nuk ka ndodhur në dhjetëra vjet që një anëtari të komunitetit tonë t’i merret jeta, jo më të qëllohet me armë ndaj një gruaje të respektuar, ndaj nënës së dy fëmijëve”, tha ai. Duke qenë vetë banor i fshatit, kryekomunari thotë se lajmin e mësuan nga televizionet dhe menjëherë kontaktuan me të njohur të tyre në Tiranë për të konfirmuar se viktima ishte pikërisht Eleni Basho. “Jemi të shokuar. Asnjëherë nuk kemi përjetuar gjë më të rëndë. Ne si komunitet vlleh shohim punën tonë, çdo gjë e kemi arritur me djersën e ballit. Për ne, motivi i vetëm që i mori jetën Elenit është se autori ka ngatërruar objektiv”, deklaron në emër të komunitetit që përfaqëson Gjergj Zharkalli. Ai thotë se të gjithë banorët e fshatit nuk kanë bindje tjetër veç kësaj, pasi familja Basho ishte e respektuar dhe pa asnjë problem. “Vrasësi që mund të ketë qenë me pagesë ka ngatërruar person”, këmbëngul kryekomunari. I pyetur nëse vetë kryekomunari apo banorët e fshatit Andon Poçi kanë dëgjuar për konflikt të Ilia Bashos me ortakët e tij në biznes, ai e mohon këtë. “Me aq sa kam dëgjuar, ortaku i Ilias ishte person i mirë, me origjinë nga Saranda, me të cilin janë ndarë në mënyrë shumë të qetë. Nuk kam dëgjuar asgjë të keqe në veprimtarinë e çiftit në Tiranë”. Sipas Zharkallit, të gjithë anëtarët e komunitetit vlleh, të cilëve u përkasin dhe bashkëshortët Basho, krijojnë marrëdhënie të mira me persona të tjerë dhe në asnjë moment nuk mund të ndodhë të shkaktohen probleme. Madje, kryekomunari Gjergj Zharkalli citon dhe një shprehje që simbolizon marrëdhëniet e tyre: “Ne bëjmë biznes edhe me djallin dhe vetë djalli do të zbutet nga mirësia jonë”.
Kortezhi mortor sfidon dëborën
Dëbora e rënë ditët e fundit, e cila mbuloi dhe fshatin Andon Poçi, nuk ka penguar kortezhin e gjatë mortor të përcillte me nderimin e fundit 35-vjeçaren Eleni Basho. Temperaturat nën zero janë sfiduar nga pjesëmarrësit. Megjithëse makinat mund të afroheshin deri në portën e varrezave të fshatit, qindra njerëz në ceremoni kanë ecur në këmbë, duke mbajtur në krahë arkivolin me trupin e pajetë të nënës së dy fëmijëve. E bashkë me ta, edhe vetë fëmijët e saj.
ETLEVA DELIA & ELISABETA ILNICA
© Panorama.al











