
VLORE/ Ngjarja pranë godinës së Bashkisë. Një prej plumbave lëndon lehtë 45-vjeçarin
Dy persona me skafandra qëllojnë për ta grabitur
Qëllohet për t’u grabitur pronari i një argjendarie në qytetin e Vlorës. Ngjarja ndodhi në mes të ditës, në vendin e quajtur “6-katëshi” në afërsi të Bashkisë. Sipas Policisë së Vlorës, 45-vjeçari Bezhan Gjika ndodhej brenda dyqanit të tij, në lagjen “Osmen Haxhiu”, kur dy persona me motor dhe me skafandra në kokë, kanë qëndruar para argjendarisë. Ata kanë tentuar të hyjnë brenda me pistoletë në dorë, por pronari ka nuhatur qëllimin e tyre dhe rrezikun që po i kanosej dhe është munduar që ta mbyllë me pult qepenin. Në këtë moment, njëri prej grabitësve ka qëlluar me dy plumba drejt argjendarit. Njëri prej plumbave të armës së zjarrit ka prekur shkarazi në kraharor pronarin e dyqanit “Gjika”, ndërsa plumbi tjetër ra në dyqan, duke shkaktuar dëme brenda tij. Zhurma e qitjeve ka shkaktuar panik edhe te vetë autorët, të cilët nga frika se në vend mund të shkonin shumë dëshmitarë dhe policia, kanë nxituar të largohen. Policia e Vlorës konfirmon faktin se nuk është arritur të grabitet në dyqan asnjë prej bizhuterive, para apo objekte të tjera me vlerë. Dy autorët janë ngjitur mbi motor, duke u larguar në drejtim të “Kuzum Babasë”, siç kanë treguar dhe dëshmitarët e parë pas ngjarjes. Me shpejtësi ata kanë dërguar të lënduarin për të marrë ndihmën mjekësore. Mjekët kanë konfirmuar se Gjika është jashtë çdo rreziku, pasi plumbi e ka cikur, por pa e dëmtuar në brendësi. Sipas ekspertëve, autorët kanë qëlluar drejtpërdrejtë, pasi plumbi kishte si drejtim kraharorin e argjendarit. Vetëm pak milimetra më në thellësi të trupit, goditja do të kishte qenë fatale për jetën e pronarit të dyqanit. Sulmi ndaj pronarit të argjendarisë është bërë në orët e drekës, pak para se argjendaria të mbyllej për pushimin e drekës, ndërkohë që dyqani ndodhet përgjatë një rruge që lidh qendrën me spitalin, në një zonë të populluar me lëvizje. Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, krismat e armës kanë shkaktuar panik. Policia ka nisur kërkimet për autorët, por deri në mbrëmje nuk kishin asnjë të dhënë në lidhje me autorësinë. Ndërsa ka shoqëruar disa persona, kontingjent të krimit. Pritet që të merret dhe dëshmia e argjendarit, ndonëse paraprakisht deklarohet se është i vështirë identifikimi, për shkak të skafandrave që mbanin në kokë autorët.
2 GEZHOJA
janë gjetur në vendin e ngjarjes nga grupi që po heton tentativëne grabitjes së pronarit të argjendarisë në afërsi të Bashkisë së qytetit të Vlorës
VLORE/ QEMAL BIRAKU
© Panorama.al











