
Tjetri në gjendje të rëndë. Vrasja dyshohet për motive hakmarrjeje.
Atentat dy vëllezërve në qytetin e Milotit, njëri vdes, ndërsa tjetri plagoset rëndë. Ngjarja ndodhi mbrëmë rreth orës 20:00, kur vëllezërit binjakë, Alfred dhe Altin Gega 35 vjeç, po ktheheshin më këmbë në banesë. Persona ende të paidentifikuar i kanë qëlluar ata me breshëri me një armë zjarri automatike. Sipas Policisë, viktima e këtij atentati është Alfred Gega, i cili ka mbetur i vdekur në vend. Ndërsa vëllai i tij, Altin Gega, është plagosur dhe ndodhet në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Banorët rreth vendit të ngjarjes i kanë pohuar policisë se kishin dëgjuar të shtëna me breshëri. Por ata nuk i kishin vënë rëndësi, pasi sipas tyre, çdo natë në këtë qytet dhe rrethinat e saj ka të shtëna me armë automatike. Pak minuta pas ngjarjes, ka qenë një kalimtar që ka gjetur Altin Gegën teksa mundohej të tërhiqej zvarrë për të kërkuar ndihmë te banesa më e afërt. Ai ka sinjalizuar menjëherë policinë, ndërsa i ka ardhur në ndihmë të plagosurit. Por pak metra më tej, banori i lagjes ku ndodhi krimi ka gjetur edhe viktimën, Alfred Gega, i cili nuk kishte asnjë shenjë jete. Mësohet se autorët iu kishin zënë pritë vëllezërve Gega vetëm pak metra larg banesës së tyre. Sipas burimeve nga grupi i hetimit, ka dyshime se autorët, të cilët mund të jenë të paktën dy persona, kanë qenë në dijeni të lëvizjeve të viktimave. Ata i kanë pritur në afërsi të banesës dhe pasi i kanë qëlluar me breshëri, janë larguar në drejtim të paditur me makinë.
Pas sinjalizimit të dhënë, policia mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes, fillimisht ajo e rajonit të Milotit, më pas edhe blutë e Kurbinit e të Lezhës. Ata bënë këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe sekuestruan disa gëzhoja të armës automatike, të cilat do të dërgohen për ekspertizë përkatëse në laboratorin e Kriminalistikës. Policia kreu edhe rrethimin e vendit të ngjarjes, ndërsa u ngritën disa postblloqe për të ndaluar e verifikuar çdo lëvizje apo mjet të dyshimtë. Mësohet se i plagosuri u dërgua fillimisht për ndihmë mjekësore në spitalin e Laçit, por për shkak se gjendja e tij ishte kritike për jetën, atëherë u nis me urgjencë në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Mësohet se vëllezërit 35-vjeçarë ishin të papunë, por policia nuk bëri të ditur të dhëna nëse ata ishin me precedentë penalë. Pas hetimeve paraprake, rezultoi se viktima kishte qenë i martuar dhe ishte divorcuar rreth tri vite më parë. Policia nuk përjashtoi pistën e ndonjë hakmarrjeje të mundshme për çështje që kishin të bënin me këtë fakt. Por blutë bënë të ditur se janë duke hetuar edhe në pista të tjera, pa përjashtuar ndonjë konflikt personal të viktimës, apo shkaqe të tjera që mund të kenë çuar deri në vrasjen e mbrëmshme.
MILOT/ ROLAND NIKOLLI
© Panorama.al











