
Tenton të vrasë fqinjin me dy granata, humb jetën fëmija i pafajshëm.Një vajzë 3 vjeçe ndërroi jetë nga plagët e marra, ndërsa e ëma dhe gjyshi janë në gjendje të rëndë, nga atentati i kryer prej një 74-vjeçari. Qyteti i Delvinës u trondit dje nga ngjarja e ndodhur në lagjen më të vjetër të tij, në atë “Xhermëhallë”. Sipas Policisë, Selman Meleqi, 74 vjeç, rreth orës 17:00 ka hedhur dy granata dore në një banesë dykatëshe, duke synuar të vriste një person me të cilin kishte prej vitesh probleme pronësie. Por, gabimi i shënjestrës i ka kushtuar jetën 3-vjeçares Sara Zera dhe ka lënë të plagosur rëndë të ëmën e saj 35-vjeçare, Age Zera, si dhe gjyshin. Siç informojnë burimet policore, shënjestra e atentatit ka qenë shtetasi Syrja Boçi, për të cilin autori kujtonte se jetonte në banesën tjetër, ku realisht jetonte me qira familja Vathi, me origjinë nga Shkodra. Selman Meleqi ka shkuar pranë banesës, një apartament në një godinë të vjetër dhe ka hedhur dy granata dore. Në banesë ndodhej çifti i bashkëshortëve, Nikollë e Bardha Vathi, e bija e tyre Age Zera, si dhe mbesa e mitur. Nga dy shpërthimet e fuqishme ka mbetur e vdekur në vend fëmija, ndërsa nënës dhe gjyshit të saj u është dhënë ndihma e parë në spitalin “Petro Nako” të Sarandës. Sipas mjekëve, për të voglën nuk ka pasur asnjë shans mbijetese, pasi goditja e fortë i ka shkaktuar plagë të mëdha në anën e majtë të trupit. E ëma e saj mësohet se është dëmtuar në anën e djathtë, madje një copë predhe i ka mbetur e ngulur në organet e brendshme dhe mjekët e Sarandës e kanë pasur të pamundur të ndërhyjnë. Në këto kushte kanë bërë transportin e saj drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë me helikopter. I ati i Ages, Nikollë Vathi, vazhdon të trajtohet në Spitalin e Sarandës, në gjendje të rëndë, por jashtë rrezikut për jetën.
Forcat policore të Delvinës e Sarandës, që kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes, kanë gjetur autorin në gjendje shoku pas gabimit të shënjestrës dhe vrasjes së trevjeçares. Ai është shoqëruar menjëherë drejt Komisariatit të Delvinës, ku është arrestuar nën akuzat “vrasje me paramendim”, “vrasje me paramendim mbetur në tentativë”, “mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”.
Burime policore bëjnë të ditur se shkak për ngjarjen është bërë një konflikt pronësie. Godina në të cilën jetonin viktimat ishte në pronësi të autorit dhe vëllait të tij, të cilët ia kishin dhënë me qira familjes Vathi. Pak metra më tutje, ndodhej një ndërtesë në pronësi të vëllait të shtetasit Syrja Boçi, i cili kohët e fundit po ndërtonte duke iu afruar më shumë godinës së vëllezërve Meleqi. Autori Selman Meleqi prej kohësh ishte futur në konflikt me shtetasin Syrja Boçi. Nuk dihet se çfarë e ka shtyrë Meleqin të mendojë se në banesën që vëllai i tij ia kishte dhënë me qira familjes Vathi nga Shkodra, ndodhej Syrja Boçi. Kjo ka bërë që ai të drejtohej atje me dy granata dore, duke shkaktuar tragjedinë e së shtunës pasdite.
Autori
Selman Meleqi jetonte i vetëm prej shumë vitesh. Ai ishte divorcuar nga e shoqja dhe tre djemtë ishin të ndarë e jetonin në shtëpi më vete. Policia e ka arrestuar në flagrancë dhe pritet të marrë dëshminë e tij mbi ngjarjen e rëndë, ku një fëmijë pa faj e familjarët e tij u bënë shënjestër të atentatit.
DELVINE/ SHPRESA DINE
© Panorama.al











