Qëllohet me armë në Tiranë ish-avokati i Nehat Kullës. Dino Leli, avokat i ish të fortit të Tiranës, është qëlluar me armë dje në mbrëmje nga persona të paidentifikuar. Ai ka qenë në trotuar tek Rruga e Elbasanit, kur është
qëlluar disa herë me armë në ora 21:30. Si pasojë e të shtënave, që besohet se kanë dalë nga një armë sportive, juristi ka pësuar dëmtime në
pjesën e njërit vesh dhe në qafë, por pa rrezik për jetën. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të kryqëzimit të madh tek ura e Rrugës së Elbasanit në
Tiranë. Sipas përshkrimeve nga vendi i ngjarjes, mësohet se ish-avokati i Nehat Kullës ka qenë në trotuar në anë të rrugës automobilistike, duke
folur në telefon. Një automjet i është afruar atij nga Unaza dhe, pasi ka ulur shpejtësinë, prej makinës është qëlluar me një armë të vetme
drejt avokatit. Për shkak të errësirës, të qenit në lëvizje dhe të shtënave nga automjeti, avokati Dino Leti ka marrë lëndime në njërin vesh, ndërsa nuk pa pasur dëmtime të tjera nga të shtënat me armë. Pas krismave të ndodhura në ora 09:30, avokati është dërguar në spital nga policia. Mësohet se ai
nuk ka mundur të identifikojë automjetin apo personat që kanë qëlluar me armë në vendin e ngjarjes, pasi ishte rrëzuar përtokë që në
krismën e parë.
HETIMET
Burime zyrtare të policisë së Tiranës thanë mbrëmë se fillimisht, plagosja e shtetasit Dino Leti, banues në Tiranë, ishte raportuar si një ngjarje aksidentale. Mirëpo më pas, policia verifikoi se bëhej fjalë për një atentat. Kjo, nisur nga fakti se avokati ndodhej në zonën ku u sulmua
me armë pikërisht për të takuar një klientin e tij të radhës. Sipas policisë,
avokati kishte shkuar tek Rruga e Elbasanit dhe po priste të takohej me klientin e tij të radhës në momentin kur është qëlluar me armë.
Emri i Dino Letit njihet më së shumti për mbrojtjen që ai i ka bërë në gjyq ish të fortit të Tiranës, Nehat Kulla. Sipas njoftimeve nga policia dje në
mbrëmje, avokati mësohet se ishte qëlluar me armë pikërisht pasi kishte folur në telefon me klientin e tij, të cilit i kishte konfirmuar se sapo kishte mbërritur tek Rruga e Elbasanit, në vendin ku kishin lënë të takoheshin. Sipas
hetimeve të kryera mbrëmë nga policia, mësohet se avokati nuk kishte arritur ta takonte klientin e tij, edhe pse ka pritur disa minuta. Burimet
nga policia thanë se ngjarja u hetua nga Komisariati Nr.1 në Tiranë dhe ende nuk i ka kaluar sektorit të vrasjeve.
FLET AVOKATI
Pasi është dërguar në Spitalin Ushtarak në Tiranë, policia ka marrë
në pyetje avokatin Dino Leti. Ai ka dhënë shpjegime në lidhje me
ngjarjen në Spitalin Ushtarak, duke thënë se ka marrë dëmtime në vesh nga të shtënat me armë. Avokati ka theksuar gjithashtu se kohët e fundit nuk ka
pasur konflikte as personale, as për detyrën. Ai ka sqaruar se kur u qëllua me armë ndodhej në vendin e ngjarjes për të takuar në klient. “Nuk kam
konflikte as probleme me njeri, nuk di shkak tjetër për këtë që ka
ndodhur, veç detyrës sime si avokat”, mësohet se ka thënë i plagosuri.











