Ashton: Thaci-Nikolic do takohen në Nju Jork

Sep 14, 2012 | 13:20

Kryeministri i Kosoves Hashim Thaçi dhe presidenti serb Tomislav Nikoliq do te takohen në Nju-Jork në fund të këtij muaji. Lajmin e ka dhene zedhenesja e shefes për Politikë të Jashtme dhe për Siguri e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, Maja Kocijancic.

”Shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, do t’i takojë me vete kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin dhe presidentin serb, Tomislav Nikoliq. Ajo do t’i takojë ata gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në fund të këtij muaji në Nju-Jork, dhe temë e diskutimit me ta do të jetë vazhdimi i dialogut”, ka thënë ajo.

Lidhur me deklaratat e fundit nëpër media, se dialogun e ardhshëm do ta ndërmjetësojë Catherine Ashton me sekretaren e Shteteve të Bashkuara, Hillary Klinton, Kocijancic nuk e ka mohuar e as nuk e ka pohuar.

“Dialogu është mbajtur gjithmonë nën përkujdesjen e përfaqësueses së lartë të Evropës, Catherine Ashton. Ajo është shumë e angazhuar personalisht”, tha ajo, pa hyrë në detaje tjera.

Lidhur me temat e radhës që do të dialogohen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Kocijancic tha se modalitetet janë ende duke u diskutuar dhe se duhet të pritet deri në fund të konsultimeve për të parë kur dhe si do të zhvillohet dialogu i radhës.

Në anën tjetër, zyrtarë të lartë të Qeverisë Kosovës thonë se nuk janë të njoftuar për takimin e paralajmëruar mes Ashton dhe Thaçit në Nju-Jork. Megjithatë, ata insistojnë që Prishtina zyrtare nuk do të pranojë vazhdimin e dialogut pa u zbatuar fillimisht nga ana e Serbisë marrëveshjet e arritura deri më tani.

“Nuk kam njohuri për takimin e Ashton me kryeministrin në Nju-Jork. Sa u përket kushteve tona për vazhdimin e dialogut, ai është zbatimi i marrëveshjeve të deritanishme”, u shpreh për “Zëri”, zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi.

© Panorama.al

Te lidhura