Ashton do të takojë Thaçin me Nikoliçin në Nju Jork

Sep 14, 2012 | 12:17

Ish-kryeministri serb, lideri i Partisë Demokratike të Serbisë, Vojislav Koshtunica, ka deklaruar se qeveria e Ivica Daçiç nuk mund ta shmangë njohjen e pavarësisë së Kosovës. “Shohim se qeverisë së re, i konvenon që BE-ja në këtë çast nuk kërkon nga Serbia njohjen e Kosovës, por ju paralajmërojmë se do të kërkojnë gjithçka dhe se pranimi do të jetë i pashmangshëm në fund. Kur fryti piqet, ai bie vetë”, tha Koshtunica për gazetën serbe “Vecernje Novosti”. Ai ka komentuar deklaratën e presidentit të Parlamentit Europian, Martin Shulz, i cili tha se në fund të rrugës për në BE është njohja e Kosovës. “Ka ardhur koha kur shtetet perëndimore do të shpallin se njohja e Kosovës është kusht për hyrje në BE”, tha ai. Deri tani, zyrtarisht vendet e BE-së kanë kërkuar që Serbia të vazhdojë negociatat me Kosovën dhe të sistemojë marrëdhëniet me të. Ata kanë kërkuar rritjen e përpjekjeve për të rifilluar bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit. Bisedimet pritet të kalojnë në një nivel më të lartë. Mediat flasin për largimin e negociatorit Robert Kuper nga bisedimet, që më 1 shtator. Ai mund të jetë këshilltar në  raundin e ardhshëm. Kryediplomatja europiane, baronesha Katerin Ashton, ka paralajmëruar takime me përfaqësuesit e Kosovës dhe të Serbisë në prag të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, sipas KTV. Ashton ka thënë se do të takojë Kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi dhee Presidentin serb, Tomisllav Nikoliçin, por nuk dihet nëse takimi do të jetë i përbashkët. Punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së nisin më 18 shtator. “Shefja e diplomacisë europiane, Katerin Ashton, do të bisedojë me Presidentin e Serbisë, Tomisllav Nikoliç dhe me Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, për vazhdimin e dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës”, tha zëdhënësja Maja Koçijançiç.

© Panorama.al

Te lidhura