
Asgjësohen 25 tonë produkte ushqimore të skaduara ose të kontaminuara në të gjithë vendin.Kjo masë është ndërmarrë pas 4000 inspektimeve të kryera që nga nisja e sezonit veror. Gjatë kontrolleve janë gjetur një sërë produktesh ushqimore pa etiketë në gjuhën shqipe, si dhe kushte të higjienës e ruajtjes jashtë standardeve. Po kështu, në subjekte prodhuese janë gjetur punonjës pa uniformë dhe të patrajnuar. “Është konstatuar gjithashtu menaxhim jo i mirë i mbetjeve në linjën e prodhimit apo subjekte që nuk i kanë të ndara produktet ushqimore nga ato jo ushqimore (industriale). Në shumë subjekte mungojnë planet për dezinfektimin dhe deratizimin e stabilimentit”, deklaroi dje kreu i AKU, Genc Juka. Ai theksoi se një tjetër problematikë është mungesa e kushteve të higjienës, të cilat nuk janë brenda kërkesës së legjislacionit në fuqi. “Është konstatuar shpesh se produkti i gatshëm shpesh është në të njëjtën magazinë me produktin gjysmë të gatshëm apo ambalazhin”, tha Juka. Sipas tij, në fokus të këtyre inspektimeve kanë qenë stabilimentet e prodhimit, manipulimit dhe tregtimit të produkteve me origjine shtazore dhe të produkteve me origjinë joshtazore, magazinat ushqimore, supermarketet, si dhe baret e restorantet, sidomos në pikat turistike. “Në muajt qershor-korrik, AKU ka kryer më shumë se 4000 inspektime në të 12 qarqet e vendit, duke bllokuar dhe asgjësuar më shumë se 25 tonë produkte ushqimore, të cilat janë konsideruar jashtë parametrave dhe si shumë të dëmshme për konsumatorin”, bëri me dije kreu i AKU. Ai shtoi se është pezulluar aktiviteti i 20 subjekteve deri në përmbushjen e detyrave të lëna për zbatim dhe është marrë masa administrative e gjobës për 18 subjekte të tjera. “Nga ana tjetër, duam të theksojmë se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit është i hapur për çdo lloj bashkëpunimi në shërbim të qytetarëve për sa i përket shërbimit veterinar në vendin tonë dhe shpreson tashmë në një bashkëpunim sa më të frytshëm me pushtetin lokal, jo vetëm në Tiranë, por dhe në të gjithë Shqipërinë, duke qenë në koherencë edhe me miratimin shumë shpejt të ligjit të ri veterinar”, tha Juka. Sipas tij, AKU i ka përqendruar kontrollet në subjekte, duke pasur parasysh madhësinë dhe sasinë e produkteve që operatori i biznesit ushqimor prodhon dhe tregton, por edhe problematikën e inspektimeve të mëparshme. “AKU funksionon në bazë të një plani vjetor inspektimesh, dhe nga llojshmëria (gama) e produkteve ushqimore që tregton, duke u fokusuar në produktet me origjinë shtazore, si dhe produktet me origjinë joshtazore, të cilat konsumohen me shumë në periudhën e verës (uji, pijet freskuese, patatinat”, tha Juka. Ai theksoi se fryma e inspektimeve të mësipërme nga ana e AKU nuk është penalizimi i operatorit të biznesit. “Në rastet kur është konsideruar e arsyeshme nga ana e inspektorëve, është lënë detyra për zbatim që të kontrollohen në një afat të përcaktuar. Gjatë këtij plani inspektimi në varësi të problematikave të vërejtura, janë lënë këto detyrat për zbatim”, tha Juka.
Inspektimi
Mangësitë
– Produkte ushqimore pa etiketë në gjuhën shqipe.
– Punonjës pa uniformë dhe të patrajnuar.
– Menaxhim jo i mirë i mbetjeve në linjën e prodhimit.
– Subjekte që nuk i kanë të ndara produktet ushqimore nga ato jo ushqimore (industriale).
– Nuk kanë plan për dezinfektimin dhe deratizimin e stabilimentit.
– Kushtet e higjienës nuk janë brenda kërkesës së legjislacionit në fuqi.
– Produkti i gatshëm shpesh është në të njëjtën magazinë me produktin gjysmë të gatshëm apo ambalazhin.
Detyrat
– Të mos tregtohen produkte të importit pa etiketë në gjuhën shqipe.
– Të rinovohen librezat shëndetësore.
– Të bëhen analizat e produktit përfundimtar.
– Lënda e parë të shoqërohet gjithmonë me certifikata cilësie dhe fletë-analiza.
– Të kryhen analizat e ujit që përdoret në prodhim.
– Mishi të tregtohet i vulosur dhe produktet e tjera me origjinë shtazore të shoqërohen me certifikatë veterinare.
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











