“Asgjë nuk ka vlerë në këto momente sesa jeta e atij që iku”- Bashkëshortja e Berishës homazhe në nder të Gerti Bogdanit: Lutem që familja të gjejë forcën për ta kapërcyer këtë dhimbje

Sep 19, 2024 | 11:21
SHPËRNDAJE

Bashkëshortja e Sali Berishës, Liri Berisha, ka folur për mediat, ku ka shprehur ngushëllime për vdekje e ish-deputetit demokrat Gerti Bogdani.

liri berisha

Pas homazheve në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë, për mediat Liri Berisha është shprehur se “asgjë nuk ka vlerë në këto momente sesa jeta e atij që iku”.

Më tej ajo u lut që familja e tij, prindërit e bashkëshortja, të gjejnë forcën për të kapërcyer këtë humbje të madhe.

“Asgjë nuk ka vlerë në këto momente se jeta e atij që iku. Në pozicionin e nënës dua të ngushëlloj prindërit dhe lutem bashkë me ta të gjejnë forcën për ta kapërcyer këtë dhimbje të rëndë. Edlirën, para së cilës dalin detyra të rënda dhe të vështira kryer. Ngushëllime miqve, shokëve, me të cilët bëri një rrugëtim të shkurtër. Do ta kujtojmë më shumë dashuri, respekt dhe me shumë mirësi “, tha Liri Berisha.

Ndarja papritur nga jeta e Gerti Bogdanit

Ish-deputeti i Partisë Demokratike Gerti Bogdani u nda dje nga jeta tragjikisht në moshën 44 vjeçare pas një ataku kardiak. Ndarja e parakohshme nga jeta tronditi mbarë opinion publik.

Mësohet se Bogdani u dërgua në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në gjendje të rëndë, por fatkeqësisht nuk mundi të mbijetonte pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, sipas të cilëve ish-deputeti mbërriti i pajetë. Bogdani ishte duke konsumuar kafe në një ambient të njohur në qendër të Tiranës kur pësoi atak kardiak.

“Kam probleme me frymëmarrjen”, iu është drejtuar ai miqve të tij, me të cilët po pinte kafen dhe është larguar për në tualet. Por pasi është vonuar, miqtë e tij të shqetësuar shkuan dhe hapën derën me forcë.

Mësohet se ata e gjetën ish-deputetin e PD-së të shtrirë përtokë dhe i kanë dhënë ndihmën e parë. Më pas lajmëruan ambulancën, por sipas dëshmitarëve është vonuar. Gerti Bogdani mori ndihmën e parë mjekësore në ambulancë dhe më pas në QSUT, por nuk arriti që të mbijetojë. Policia njoftoi zyrtarisht se ishte ora 11:30 kur ndodhi ngjarja.

Gert Bogdani lindi më 7 korrik të vitit 1980 në Tiranë. Ai ishte baba i dy fëmijëve të ardhur nga martesa me aktivisten Edlira Çepani. I arsimuar jashtë vendit, u rikthye në Shqipëri dhe në vitin 2005 u përfshi në politikën aktive në radhët e Partisë Demokratike. Në vitin 2007 u zgjodh kryetar i Njësisë Bashkiake Numër 10 në Tiranë dhe në garën elektorale të vitit 2009 fitoi mandatin si deputet në Parlamentin e Shqipërisë, mandat që e rinovoi në zgjedhjet e 2013 duke u rizgjedhur për herë të dytë deputet i PD-së. Gert Bogdani rezultoi kandidati më i votuar për anëtar Kryesie, me 281 vota të anëtarëve të Këshillit Kombëtar në vitin 2021.

Gjatë dy mandateve parlamentare, Bogdani ka shërbyer edhe në Komisionin e Integrimit Europian dhe në Komisionin e Medias. Gert Bogdani ka mbajtur edhe detyrën e kryetarit të Forumit Demokrat dhe për afro pesë vite ka qenë sekretar për Marrëdhëniet me Jashtë në Partinë Demokratike. Në vitin 2005, pranon ftesën për t’u angazhuar në politikë, shtyrë nga thirrja e brendshme qytetare për të kontribuar për vendin. Në vitin 2007 fillon detyrën si sekretar i Marrëdhënieve me Jashtë i PD, të cilën e kryen me sukses deri në vitin 2019, duke zgjeruar ndjeshëm rrjetin ndërkombëtar në mbështetje, jo vetëm të Partisë Demokratike, por sidomos të Shqipërisë – që nga Kongresi e Senati Amerikan, Parlamenti Europian e Bundestagu Gjerman, veçanërisht në raste të votimeve të rëndësishme për Shqipërinë dhe Kosovën.

Në këtë detyrë ai ka arritur me sukses të mbështesë anëtarësimin e PD në Bashkimin Ndërkombëtar Demokrat – IDU, aplikimin e LDK-së për anëtarësimin në Partitë Popullore Europiane – EPP, si dhe ka kontribuar në anëtarësimin me të drejtë vote të Partisë Demokratike në EPP. Në vitin 2007 kandidon në Zgjedhjet Vendore, duke qenë i pari kandidat nga e djathta që bëhet kryetar i minibashkisë nr. 10 në Tiranë dhe kryebashkiaku më i ri i zgjedhur ndonjëherë, duke bërë për vete komunitetin dhe duke marrë mbështetjen e elektoratit të njësisë përtej ndryshimeve politike majtas apo djathtas. Në vitin 2009, Gerti Bogdani, kandidon në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009 dhe zgjidhet deputeti më i ri në Kuvendin e Shqipërisë. Gjatë dy legjislaturave parlamentare 2009 – 2013 dhe 2013 – 2017 kontribuoi në nisma ligjore me impakt për arsimin, mbështetjen sociale dhe të rinjtë.

Gjatë dy mandateve parlamentare shërbeu në Komisionin e Integrimit Europian & në Komisionin e Medias, si dhe i përkushtohet problematikave të komunitetit autokton tiranas. Në 2009 Bogdani mori edhe detyrën e kryetarit të FRPD. Pas 2 viteve në pozicionin e zv.presidentit, në vitin 2014 zgjidhet president i IYDU – Bashkimi Rinor Ndërkombëtar Demokrat, në Asamblenë në Lisbonë & ushtron këtë detyrë 2014 – 2016, duke u bërë politikani i parë shqiptar që zgjidhet në një pozicion kaq të lartë drejtues në një organizatë ndërkombëtare. Pas vitesh angazhimi aktiv në strukturat drejtuese, në zgjedhjet e 2019, bëhet anëtari më i votuar në kryesinë e Partisë Demokratike, me mbi 70% të votave.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura