TIRANË- Kreu i PS-së, Edi Rama ka përsëritur sot se rruga e vetme për daljen nga kriza e zgjatur ku është zhytur vendi është rigjykimi përmes votës në Tiranë.
Në fjalën e gjatë në Asamblenë e PS-së, Rama ka deklaruar se forca që drejton në emër të interesit publik por edhe si fitimtare e zgjedhjeve është gati të rikthehet para popullit të Tiranës për rigjykim përmes votës.
“Mënyra se si do të zgjidhet kriza e zgjedhjeve në Tiranë është për vendin tonë më shumë se emri i zgjedhjeve, nëse humbësi Sali do dalë fitues me vendim gjykate, besimi i qytetarëve te e drejta e votës do marrë goditje me pasoja të pallogaritshme”- tha ai.
Sipas Ramës, fitorja e PS-së provokoi tërbimin e kundërshtarit, i cili humbi arsyen kur humbi në fund edhe Tiranën. Rama ka theksuar se gjatë turit në bazë përgjatë dy javëve janë zbërthyer elementët e mekanizmit të deformimit të rezultatit.
“8 maji na ka dhënë jo vetëm fitoren e zgjedhjeve por edhe mësimet që na duhet për të ndërtuar rrugën e sigurtë drejt fitores, me kreun e Asamblesë, kemi takuar të zgjedhurit socialistë, kemi hapur bashkë me ta faqen e nja analize që do të bëhet në cdo njësi vendore, qytet e fshat, qendër votimi të vendit, analizë e detajuar politike”- tha ai.
Rama i ka bërë apel Kolegjit Zgjedhor të vendosin drejtësi këtë radhë dhe jo vendim për interes të pushtetit. “Shpresoj që ata të respektojnë kushtetutën, standardet ndërkombëtare të interpretuara më së miri nga Komisioni i Venecias dhe të mos shpikin një tjetër standard, të respektojnë precedentët e paravendosur nga ata vetë, kur në disa njësi vendore ku të 5 gjykatësit kanë vendosur dhe firmosur pavlefshëmrinë dhe të mos hyjnë në histori në vetmohim, duke goditur të drejtën e popullit të Tiranës me votim të lirë përmes zgjedhjesh të lira”- tha Rama.
© Panorama.al











