Socialistët do të mbledhin sot paradite Asamblenë Kombëtare të tyre. Para nisjes së saj, rreth orës 9:30, deputeti Gjiknuri dhe një nga ekspertët që ka analizuar CD e grupeve të numërimit, do të paraqesin për mediat të gjithë dokumentacion zgjedhor që ia bënë dje të njohur dhe Trupit Diplomatik në Tiranë. Më pas, Asambleja Kombëtare do të vijojë me rendin e ditës, i cili përfshin fjalën e Edi Ramës, por dhe vendimin për hapjen e fushatës zgjedhore në PS. Pritet që letra e hapur e Erion Braçes dhe platforma e Arben Malajt, me të cilën Asambleja u njoh dhe para dy javësh, të përbëjnë pika debati të forta në mbledhjen e sotme. Asambleja do të vendosë thirrjen e kongresit zgjedhor të PS në muajin tetor dhe ngritjen e dy grupeve të punës për programin e PS për të ardhur në pushtet dhe grupi për ndryshimet strukturore dhe statutore të PS. Grupet drejtohen nga Edi Rama dhe Gramoz Ruçi, ndërsa në përbërje të tyre ka dhe shumë nga deputetët e Grupit Parlamentar socialist. Zgjedhjet në PS do të prekin të gjitha strukturat e saj, që nga kryetari i organizatave socialiste e deri tek Asambleja Kombëtare dhe Kryesia e re që do dalë prej saj.











