Asambleja, “ngrijnë” zgjedhjet në PS

Jun 18, 2011 | 10:53

Socialistët do të mbledhin sot Asamblenë Kombëtare, ku pritet të ketë vendimmarrje rreth qëndrimit të opozitës pas zgjedhjeve të 8 majit.Kreu socialist, Edi Rama, përmes një fjale para anëtarëve të Asamblesë Kombëtare, do të evidentojë situatën politike në vend pas zgjedhjeve të 8 majit, veprimtarinë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe të Kolegjit Zgjedhor. Pritet që në qendër të fjalës së tij të jetë kryeministri Berisha dhe kryetari i KQZ-së, Ristani, ndërsa do të artikulohen dhe qëndrimet e mëtejshme të socialistëve ndaj maxhorancës. Por, ndryshe nga ç’ishte parashikuar në rendin e ditës, ku do të miratohej vendimi për hapjen e fushatës zgjedhore në PS, Asambleja pritet ta “ngrijë” këtë proces, për ta zhvilluar në një fazë tjetër të mëvonshme, pasi të jetë mbyllur plotësisht çështja e zgjedhjeve në Tiranë dhe të ketë dalë rezultati përfundimtar. Fushata zgjedhore në PS do të rinovonte të gjitha strukturat socialiste, që nga kryetari i organizatës socialiste e deri te delegatët e kongresit, i cili do të zgjidhte Asamblenë Kombëtare dhe Kryesinë e re.
Bojkoti
Çështja më e debatueshme në mbledhjen e sotme të Asamblesë Kombëtare pritet të jetë bojkoti i Parlamentit nga deputetët socialistë. Drejtues të PS janë shprehur se bojkoti i Parlamentit do të vazhdojë deri në fund të procesit të ankimimit dhe të nxjerrjes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të Tiranës. Nënkryetari i Grupit Parlamentar socialist, Erjon Braçe, është shprehur në mënyrë të përsëritur se PS duhet të heqë dorë nga bojkoti i Parlamentit dhe ta zhvillojë luftën politike në sallën e Parlamentit, por dhe në rrugë, përmes protestave. Pritet që këtë qëndrim Braçe ta deklarojë dhe në mbledhjen e sotme të Asamblesë, duke kërkuar një politikë më të fortë opozitare ndaj maxhorancës aktuale në pushtet. Pritet gjithashtu që ai të risjellë edhe njëherë platformën e tij antikorrupsion dhe pastrimin e politikës nga të korruptuarit. Mësohet se edhe deputeti Arben Malaj të paraqesë një platformë gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare, e cila do të synojë modernizimin e PS dhe përcaktimin e rregullave të reja në fushatën zgjedhore të PS.

Viti zgjedhor në PS

Viti 2011 është një vit zgjedhor në Partinë Socialiste, pasi zgjedhjet e fundit u zhvilluan në 2007-n, kur forumet morën mandatin e plotë. Por, në këtë vit zgjedhor, ai që nuk do të përfshihet do të jetë kreu i PS-së, Edi Rama. Pas humbjes së zgjedhjeve të përgjithshme të 2009-s dhe dorëheqjes që Rama dha pas shumë debatesh, ai u konfirmua sërish kryetar, por kësaj radhe me një mandat të plotë 4-vjeçar, mandat që përfundon në 2013-n.

Qëndrimi i PS-së
Procesi i administrimit të zgjedhjeve të Tiranës pas numërimit të kutisë së fundit në Njësinë Bashkiake Nr. 5, vendimmarrja e KQZ-së për të numëruar fletët e votimit të hedhura gabim, por dhe vendimet e Kolegjit Zgjedhor për vendimmarrjen e KQZ-së, i kanë çuar drejtuesit e PS të artikulojnë qëndrime radikale. Drejtues të PS kanë deklaruar se deri dhe revolta popullore do të organizohen nëse rezultati përfundimtar për kryetarin e Bashkisë së Tiranës do të rrëmbehet, sipas tyre, në tryezë nga përfaqësuesit e maxhorancës në KQZ.

Bojkoti i Kuvendit
Marrëdhënia e kushtëzuar e Grupit Parlamentar socialist me Kuvendin pritet të zërë një pjesë të debatit në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare socialiste. Dy deputetët të saj kanë thyer vendimin politik të marrë nga Grupi socialist tri javë më parë, për të mos shkuar në asnjë komision dhe në asnjë seancë plenare të Kuvendit. Kastriot Islami dhe Andis Harasani kanë marrë pjesë në seancat e fundit parlamentare dhe kanë kërkuar që deputetët socialistë të përmbushin detyrimin që kanë ndaj zgjedhësve të tyre.

 

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura