Moti,Arvizu-Totozanit:Të shqetësuar për situatën

Feb 13, 2012 | 11:57

TIRANË- Ambasadori i SHBA-së në vendin tonë Aleksandër Arvizu ka shprehur shqetësim për situatën e krijuar në zonat izoluar prej ditësh nga bora dhe të ftohtit.

Në një takim të zhvilluar sot me Avokatin e Popullit, Igli Totozani, Arvizu ka bërë apel për ndërgjegjësimin dhe bashkëpunimin e vetë qytetarëve në këtë situatë të vështirë të motit.

Shpreh shqetësimin e Shteteve të Bashkuara për personat të cilët janë të bllokuar ne verilindje, juglindje dhe në veri të vendit. Jemi të shqetësuar për situatën e tyre dhe mirëqenien e tyre dhe shpresoj që të gjithë në këtë vend t’i bashkëngjitemi qeverisë qendrore dhe asaj vendore, për tu ardhur në ndihmë këtyre personave.”- tha Arvizu.

Ndërkohë që Avokati i Popullit, Totozani duke pranuar gjendjen e krijuar në zonat bllokuar nga bora ka shprehur gatishmërinë për mbështetje në nismat që po ndërmerr qeveria për përballimin e situatës së emergjencës.

Vetëm një natë më parë, kryeministri Sali Berisha shpalli gjendjen e fatkeqësisë natyrore në zonat e bllokuara, duke shpallur si prioritet të parë hapjen e gjithë akseve rrugore e më tej ndihma ushqimore, medikamente dhe gjithçka tjetër për banorët e izoluar.

© Panorama.al

Te lidhura