
Ambasadori amerikan në Shqipëri, Aleksandër Arvizu, bëri apel dje për kufizimin e imunitetit të zyrtarëve shtetërorë ndaj hetimeve për korrupsion.Gjatë fjalës së mbajtur dje në një ceremoni për njësitë Task-Force Antikorrupsion në Prokurori, në kuadër të programit të 6-të të Sfidës së Mijëvjeçarit, ambasadori i SHBA tha se inkurajon politikën që të ndryshojë ligjet në mënyrë që ato të zbatohen njësoj. I gjendur në një panel me shefin e SHISH-it, Bahri Shaqiri, me ministrin e Financave, Ridvan Bode, zv.ministrin e Brendshëm, Avenir Peka, kreun e ILDKP-së, Adriatik Llalla dhe kryeprokuroren Ina Rama, ambasadori amerikan tha se shumë vende të Bashkimit Europian kanë rol të kufizuar me imunitetin e zyrtarëve, kurse Shqipëria qëndron e vetme si një vend ku imuniteti pengon hetimet. “Asnjë diskutim për drejtësinë nuk është i plotë nëse nuk flitet për imunitetin”, tha Arvizu. Ai, duke shfrytëzuar qëndrimin në një sallë me prokurorët dhe hetuesit e njësive Task-Force, tha: “E di se kanë shprehur shqetësim, por jeni shprehur se pamundësia për heqjen e imunitetit pengon hetimet”. Në të njëjtën linjë duket se qëndron edhe kryeprokurorja Ina Rama. Ajo theksoi dje se imuniteti në shumë raste ka qenë pengesë për punën e Prokurorisë shqiptare. “Sfida vazhdon, janë fituar disa beteja, por jo lufta”, tha Ina Rama. “Ne e kemi mbajtur qëndrimin tonë për imunitetin, që ka qenë pengesë për hetimet, por në fund është çështje e vullnetit politik, nuk na takon ne”, tha Ina Rama, prokurore e Përgjithshme e vendit.
Pas përfundimit të aktivitetit të djeshëm, pyetjes nëse Prokuroria i ka shkelur procedurat në hetimin ndaj ish-zv.kryeministrit Meta, Ina Rama iu përgjigj duke thënë: “Asnjëherë. Asnjëherë nuk i kemi shkelur procedurat”. E pyetur në lidhje me akuzat e bëra nga Meta në adresë të Prokurorisë, Ina Rama tha: “Janë retorikë politike, gjithçka që kemi për këtë çështje ia kemi lënë sallës së gjyqit”.
Shefi i SHISH
Bahri Shaqiri, drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Informativ Shtetëror, theksoi dje se eksperienca e shërbimit sekret në ndjekjen potenciale të grupeve kriminale ka treguar se ka ndërthurje mes krimit ekonomik e korrupsionit me pastrimin e parave, evazion, korrupsion, abuzim e shpërdorimin e fondeve publike dhe vepra të tjera penale, deri në falsifikim kartëmonedhash.
I pranishëm në aktivitetin e djeshëm ishte edhe ministri i Financave, Ridvan Bode. Ai tha se krimi ekonomik dhe pastrimi i parave po bëhen gjithnjë e më komplekse. Bode theksoi se duhen marrë masa konkrete e dinamike për parandalimin dhe goditjen e këtij lloj krimi. “Duhet reformuar me forcimin e kapaciteteve njerëzore e teknike, si dhe me trajnimin e gjyqtarëve e prokurorëve”, tha Bode. Kreu i ILDKP-së, Adriatik Llalla, theksoi se njësitë e përbashkëta hetimore të krijuara në Prokurori që nga 2007-a me Tiranën e më pas në rrethe, dhanë një impuls në luftën ndaj korrupsionit.
Ina Rama: Meta bën retorikë politike
Prokurorja e Përgjithshme i konsideroi si retorikë politike akuzat e bëra nga ish-zv.kryeministri Ilir Meta në adresë të organit të akuzës. Duke mos dashur të komentojë më tej, pasi i cilësoi akuzat si retorikë politike, Ina Rama tha se Prokuroria e Përgjithshme, gjithçka që ka pasur për të thënë në lidhje me këtë çështje, ia ka lënë sallës së gjyqit.
Në Gjykatën e Lartë, pak ditë më parë u vendos gjykimi i kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme për akuzën e korrupsionit ndaj ish-zv.kryeministrit Ilir Meta. Hetimi i kësaj çështje filloi mbi bazën e përgjimit të Dritan Priftit, por Gjykata e Lartë i cilësoi të parregullta dy ekspertiza të Prokurorisë për këtë çështje.
“Prokuroria, si celulë politike”
Kreu i LSI-së akuzoi pak ditë më parë Prokurorinë për shkelje të ligjit. “Ka një shkelje totale të procedurave nga ana e Prokurorisë. Ka funksionuar si një celulë politike ekstremiste për të dëmtuar personin tim dhe forcën politike që unë drejtoj vetëm për arsye elektorale”, u shpreh Meta. Sipas tij “Ende në Prokurori ekziston e kalçifikuar mendësia e funksionimit të saj si në kohën e Sigurimit të Shtetit. Gjë që është tërësisht e papranueshme për një vend demokratik dhe europian siç është Shqipëria. Natyrisht, që kur të përfundojë i gjithë ky proces, unë do ta informoj Parlamentin për të gjitha këto shkelje skandaloze. Sepse Parlamenti është gënjyer, Parlamenti është mashtruar. Natyrisht, unë e kërkova vetë heqjen e imunitetit edhe ky ishte dhe një vullnet i maxhorancës. Në këtë institucion të nisë një reformë serioze, pasi me veprimet skandaloze po shkaktohen jo vetëm probleme politike, por edhe sociale”
Haxhinasto: Reagimi ynë, sipas etikës diplomatike
Pas reagimit të qeverisë rumune për gafën e ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Tirana zyrtare është shprehur se ka vepruar sipas etikës diplomatike. Ministri Haxhinasto thirri për sqarime ambasadorin rumun në vendin tonë lidhur me deklaratën e supozuar të Presidentit rumun, Trajan Basesku, për kosovarët. “Ministria e Punëve të Jashtme, lidhur me deklarimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rumanisë për lajmin e publikuar në media për deklaratat e pretenduara të Presidentit rumun, sqaron se ka vepruar në përputhje të plotë me etikën diplomatike dhe praktikën e njohur ndërkombëtare, si dhe në frymën e një vullneti të mirë për marrëdhënie miqësore dhe respekt të ndërsjellë midis dy vendeve dhe popujve tanë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë. I pyetur në një prononcim për mediat, Haxhinasto tha se “marrëdhëniet midis Republikës së Shqipërisë dhe Rumanisë janë marrëdhënie shumë të mira, të cilat nuk cenohen as nga manipulimet mediatike, as nga shprehjet emocionale. Ka një komunikim shumë korrekt me Ambasadën dhe autoritetet rumune dhe unë do të vlerësoja se ai incident – e përsëris edhe njëherë – ishte çështje manipulimi mediatik dhe tashmë është tejkaluar”.
TRAZHGIM SOKOLAJ
© Panorama.al











