
Topi: Gjyqtarët ta mbrojnë vetë pavarësinë, të vendosin pa u ndikuar.
Ambasadori: Asnjë hetim s’zhvillohet pa u hequr imuniteti.
Ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, përsëriti dje kërkesën e tij për heqjen e imunitetit të gjyqtarëve kundrejt hetimeve penale.
I ftuar në konferencën e kryetarëve të gjykatave të larta të Europës Qendrore dhe Lindore, ambasadori i SHBA, Arvizu, tha se gjyqtarët nuk duhet të jenë mbi ligjin dhe se kufizimi i imunitetit do të përmirësonte perceptimin e publikut për Gjyqësorin. I pranishëm në tryezën e konferencës, ku merrnin pjesë 14 gjyqtarë nga vende të ndryshme të Europës, ishte edhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Presidenti Topi e vuri theksin te pavarësia e Gjyqësorit dhe integriteti i gjyqtarit, si mënyrë që vendimmarrjet të mos ndikohen nga ndërhyrjet lobuese politike apo ekonomike.
Kërkesa e ambasadorit
Gjatë fjalës së tij në konferencë, ambasadori amerikan, Arvizu, pohoi për të pranishmit se çështja e imunitetit është çështje problematike në Shqipëri. “Dua gjithashtu të prek një çështje që nuk e di në vendet tuaja a është cekur, por që në Shqipëri është një çështje problematike. Pra, është çështja e imunitetit gjyqësor. Në këtë vend dhe ndoshta në disa prej vendeve tuaja, gjyqtarët, parlamentarët dhe zyrtaret e tjerë të lartë gëzojnë një imunitet shumë të gjerë. Jo vetëm prej ndjekjes penale, por edhe të qenit i hetuar. Asnjë hetim nuk mund të zhvillohet përderisa nuk është hequr imuniteti, duke shkatërruar kështu fshehtësinë e nevojshme për hetime të suksesshme penale. Nëse dëshironi të përmirësoni perceptimin e publikut për Gjyqësorin, atëherë gjyqtarët nuk duhet të jenë mbi ligjin, që do të thotë veçanërisht mbi ligjin penal”, u shpreh ambasadori Arvizu. Njëkohësisht, kryediplomati amerikan theksoi se për një drejtësi efektive nevojitet transparencë dhe pavarësi. “Drejtësia efektive kërkon që ligji të jetë i drejtë, i shkruar mirë dhe i qartë. Qytetarët duhet të besojnë se sistemi gjyqësor është mënyra më e mirë që qytetarët të zgjidhin problemet e tyre. Pika e parë për drejtësinë efektive është transparenca, e cila është thelbesore për qytetarët. Pika e dytë është pavarësia e Gjyqësorit, e cila kërkon integritet personal të gjyqtarëve dhe nevojë për t’i rezistuar tundimit të parasë”, tha ambasadori.
TOPI
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, u shpreh se janë vetë gjyqtarët ata që duhet të ruajnë të pastra interesat e dhënies së drejtësisë dhe pavarësinë e institucioneve. “Në një shoqëri ku interesat e politikës apo forma të tjera presioni mbi pushtetin gjyqësor kërkojnë të imponojnë vendimmarrjen dhe anësinë e institucioneve të Drejtësisë, janë vetë gjyqtarët ata që duhet të ruajnë të pastra interesat e dhënies së drejtësisë, pavarësinë e institucioneve të demokracisë dhe parimin e ndarjes së pushteteve. Shpesh këto parime janë delikate dhe të vështira për t’u gjetur në formë të shkruar në Kushtetutë apo në ligje të tjera, por, për këtë arsye puna e gjyqtarëve është e bukur dhe e vështirë. Gjetja e frymës dhe shpirtit të ligjit, të ndarjes së pushteteve dhe pavarësisë së institucioneve është një sfidë profesionale dhe intelektuale e përhershme dhe e vështirë”, u shpreh Presidenti. Në lidhje me pavarësinë e Gjyqësorit, kreu i shtetit tha se “krijimi i kushteve ligjore që gjyqtarët të japin një vendim të drejtë dhe të pandikueshëm është një mbrojtje që kushtetutshmëria u jep jo gjyqtarëve, por qytetarëve të vet. Vetëm një gjyqtar i pavarur ka mundësinë, autoritetin dhe garancinë që të mbrojë dhe japë drejtësi, jashtë ndikimeve të çdo forme qofshin”.
Konferenca
Konferenca e kryetarëve të gjykatave të larta të Europës Qendrore dhe Lindore ishte nismë e institutit “CEELI” me seli në Pragë. Duke parë interesimin dhe përfitimin e vendeve pjesëmarrëse prej saj, kryetarët e gjykatave të larta të këtyre shteteve vendosën unanimisht që kjo konferencë të organizohet çdo vit në një nga vendet pjesëmarrëse. Në mbështetje të këtij vendimi, Shqipëria është vendi i parë që çel punimet e kësaj konference që do të zgjasë tri ditë.Anëtarësimi në BE
Presidenti Topi kujtoi dje se arritja e standardeve në sistemin e drejtësisë është një nga kriteret themelore të kërkuara nga BE. “Dëshiroj që në këtë 100-vjetor të themelimit të shtetit shqiptar, të kenë mundësi që të marrin statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian! Dhe pa dyshim, një nga kriteret themelore që do ta bëjë të mundur këtë, është arritja sa më shpejt të jetë e mundur, e standardeve që kanë të bëjnë me Drejtësinë”, tha Topi.
Kryegjyqtarja: Pengesë edhe problemet buxhetore
Beçaj: Bllokimi i reformave, problem në sistemin gjyqësor

TIRANE – Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, u shpreh dje në konferencë se Gjyqësori shqiptar ende vuan efektet negative të debateve institucionale, sociale dhe politike. “Korrupsioni dhe dobësia e institucioneve trajtohen si probleme kryesore që rrjedhin nga sistemi i drejtësisë. Bllokimi i reformave, mungesa e vëmendjes dhe ndërveprimit me dy pushtetet e tjera kanë krijuar probleme në mbarëvajtjen e punës së përditshme nëpër gjykata. Mungesa e reformave ligjore, buxhetet e pamjaftueshme dhe mungesa e një pavarësie efektive në menaxhimin e tyre, krijojnë efekte të drejtpërdrejta në shërbimet ndaj qytetarëve, duke krijuar premisa të mundshme për të cenuar procesin e rregullt ligjor”, u shpreh Beçaj. Referuar tendencës gjithmonë në rritje të numrit të çështjeve gjyqësore, Beçaj u shpreh se “shfrytëzimi eficiient i të gjithë mekanizmave administrativë të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve nga ana e pushtetit ekzekutiv do t’i shërbente më mirë individit dhe do të krijonte besimin se gjykatës mund t’i drejtohesh si hallka e fundit për zgjidhjen e një konflikti. Në vijim Beçaj pohoi se “lufta” e Gjyqësorit për të forcuar më tej pavarësinë e tij vazhdon ende. “Jam e mendimit që lufta e Gjyqësorit për të ruajtur dhe përforcuar më tej pavarësinë e tij ende vazhdon, edhe pse në aspektin struktural shtetet tona në procesin e reformimit kanë adoptuar praktikat më të mira europiane dhe perëndimore. Është i pamohueshëm fakti se Gjyqësori është ende i brishtë dhe jo pak herë peng i vullnetit të politikëbërësve, të cilët duke shfrytëzuar në mënyrë jo të drejtë mekanizmat e vendosur për të garantuar pavarësinë e Gjyqësorit, vazhdojnë të bëhen pengesë në funksionimin e duhur të këtij pushteti”, tha Beçaj.
ARMAND BAJRAMI
© Panorama.al











